Jam njohur që nga viti 2010, kur është tentuar që të dalë nga struktura e forcës detare kjo bazë, pra të mbyllet dhe të transferohet për në Pashaliman. Në vitin 2010 kemi bërë debate me Ministrinë e Mbrojtjes dhe konkretisht me ministrin Imami. Kemi çuar edhe argumentet përse nuk duhet të mbyllet kjo bazë, që ka të bëjë me të gjitha konventat ndërkombëtare që ky shtet ka ratifikuar dhe që ne jemi përgjegjës, por që ka të bëjë edhe me anën ekonomike-financiare të transferimit të ushtarakëve, të një kontingjenti prej 180 ushtarakëve që duhej të lëviznin dhe të shkonin në Pashaliman.
-Pra ishte 2010-ta koha kur ju u njohët me vendimin për ta privatizuar bazën. Kush e kërkoi një gjë të tillë?
Me kërkesën e ministrit Imami dhe me punën që bënin zëvendësshefat e shtabit në atë kohë, bëri një strukturë vetë Shtabi i Përgjithshëm. Kjo është e jashtëligjshme sepse strukturën e Forcës detare e bën komandanti i Forcës dhe e paraqet te Shtabi i Përgjithshëm, dhe jo e kundërta. Në këtë strukturë përfshihej që kjo bazë të mbyllej, të transferohej në Pashaliman. Këtë ne e argumentuam me të gjitha ligjet e shtetit, me konventat ndërkombëtare dhe thamë që është e pamundur sepse edhe kostoja e shtetit, por edhe siguria kombëtare bie. Zona e Durrësit është zona me trafikun më të madh të anijeve dhe kërkon siguri maksimale.
-Në dijeninë tuaj, kush ishte kompania private e interesuar që të merrte bazën e Bishtit të Pallës? Sa informacion kishit për këtë?
Unë kisha një informacion jo legal, në bazë të thashethemeve, po e quaj kështu, që gjoja do të vinte një firmë, dikush tha austriake, e cila kishte një buxhet prej 60.000.000 dollarësh dhe do të bënte një investim aty, duke nisur që nga portet e jahteve, që nga një shkollë marine, që nga një fshat turistik, hidroplanë e me radhë. Por në atë kohë m’u lakua që është biseduar dhe ka rënë dakord dhe dhëndri i kryeministrit të asaj kohe z. Sali Berisha, Jamarbër Malltezi. U përmend si emër. Por këto ishin biseda private më tepër dhe jo zëra zyrtarë.
-Unë kujtoj që ka pasur edhe një polemikë edhe në shtyp edhe lart, në qarqe politike, që ka pasur edhe kundërshti nga shtetet aleate tonat, siç është SHBA-ja. Ekziston një kundërshti e tillë?
Duke qenë se ne në atë kohë ishim futur edhe në NATO, problemi qëndronte që, vendet nuk ndërhyjnë shumë në këto problemet e brendshme të shtetit në lidhje me sigurinë kombëtare. Por kërkojnë elementë të sigurisë kombëtare. Dhe konkretisht në lidhje me këtë çështje, që ta mbyllësh apo të mos e mbyllësh bazën detare të Bisht-Pallës nuk kishte ndonjë mendim apo ndonjë kërkesë nga aleatët tanë të NATO-s. Kështu që kjo më shumë u kundërshtua nga na si profesionistë. Komanda e Forcës Detare u ndesh me Ministrinë e Mbrojtjes.
-Stërvitje kanë bërë aty dhe akoma vazhdojnë të bëjnë.
Aktualisht ajo vazhdon si bazë sepse struktura që ne ndërtuam në 2011-ën dhe e çuam dhe e diskutuam disa herë, mbeti po ajo strukturë. Unë më 5 janar 2012 u lirova nga detyra, pasi kundërshtova dhe dolën disa argumente të tjera.
-Pse e kundërshtuat këtë vendim për ta privatizuar bazën? Cilat ishin argumentet?
Argumenti ynë ishte se mbyllja e kësaj baze tregonte që ulej siguria kombëtare. Në hapësirën tonë detare, ne jemi shteti përgjegjës për të gjitha incidentet detare dhe ne duhet të jemi prezent për çdo gjë.
-Cili ka qenë pozicioni i ministrit të Mbrojtjes së asaj kohe, z. Imami, në procesin për ta privatizuar bazën? Çfarë mendimi ka pasur ai?
Imami kërkonte që kjo bazë të mbyllej. Këtë e tregon fakti që ishte përgatitur një strukturë nga zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm në atë kohë, dhe që ishte mbështetur edhe nga z. Imami, dhe donin ta prezantonin edhe në Bisht-Pallë, në një analizë të vitit 2010, të cilën unë e kundërshtova. Struktura që ne çuam nuk u pëlqeu, nuk ishte sipas dëshirës së z. Imami. Baza aktualisht sot ekziston, është në planin e përhapjes.
-E ndjeni që keni kontribut ju si ushtarak dhe si drejtues i lartë i flotës së asaj kohe që me vendosmërinë tuaj bëtë që baza të mos privatizohej?
Si Komandant i Forcës Detare mbaj përgjegjësi edhe para shefit të Shtabit dhe ministrit, por edhe para Kryeministrit dhe vetë Presidentit. Kështu që si këshilltari kryesor i tyre isha i detyruar që të mos e pranoja dhe ta mbroja këtë, që të rrisja kapacitetet e sigurisë së këtij vendi. Nga ana profesionale nuk mund të pranoja mbylljen e bazës vetëm se ishte dëshira e politikës apo e vetë ministrit.
-Pas këtij kundërshtimi që bëtë, erdhi dhe lirimi juaj nga detyra e drejtuesit të lartë të Flotës Detare të Shqipërisë. Cili ishte motivacioni i lirimit tuaj?
Kjo ishte një pikënisje. Qejfmbetja që kishte ministri në lidhje me pozicionin tim si komandant dhe me qëndrimet e mia në lidhje me bazën por edhe me shumë probleme të tjera për shumë prona të tjera që kishin forcat detare në Vlorë dhe në Plepa. Por problemi qëndron që ata bënë një motivacion që “do të bëjmë ristrukturimin e të gjitha forcave të armatosura dhe nuk mund të të pozicionojmë ty me gradën që ke”. Normalisht Komandanti i Forcave Detare me atë gradë është. Unë s’kisha plotësuar as kriteret minimale që të lirohesha sepse më duheshin edhe 3 vjet e disa muaj që t’i plotësoja sipas ligjeve të gradave.
-Pra, ju mendoni që ishte diçka e paramenduar, për shkakun se ju nuk vepruat sipas mendimit të tyre pikërisht për tjetërsimin e territorit të bazës detare?
Baza detare e Bisht-Pallës ka një sipërfaqe prej 75 hektarësh, por përveç kësaj ka pasur edhe probleme të tjera, në lidhje me Shkollën e Marinës në Vlorë, me vendkomandën në Plepa, me vendkomandën e Vlorës tek Uji i Ftohtë. Pra jemi ndeshur për disa probleme për këto vende që kërkoheshin të liheshin të lira. Faktikisht Shkolla e Marinës ka dalë nga plani i përhapjes dhe atje, pronarët anonimë e morën një pjesë të tokës dhe filluan ndërtimet. Pra, u shkatërrua si bazë. U realizua dëshira e tyre. Këto probleme ishin që ata të gjenin për mua një argument të paqenë, joligjor, dhe të më lironin nga detyra.
-I jeni drejtuar gjykatës për këtë padrejtësi që ju është bërë?
Po. Në vitin 2012 unë iu drejtova edhe Presidentit për dekretin që nxori. I dhashë argumentet që edhe ai kishte bërë shkelje ligjore. Megjithatë bëra padi penale dhe kam fituar të drejtën në Gjykatën e Apelit, në Gjykatën e Lartë. Vendimi i gjyqit thotë që duhet të kthehem në punë, por më trajtojnë dhe nuk më rikthejnë në punë. Vazhdoj të marr pagesën si Komandant i Forcave Detare.
-Pra shteti paguan dy komandantë: një virtual dhe një real?
Po. Për një vend pune paguhen dy persona.
-Bashkë me ju në atë kohë u largua edhe Artur Meçollari. A lidhet largimi i tij pikërisht me këto probleme? A kishit ju bashkëpunim me njëri-tjetrin? Ishit të një mendimi që këto duheshin ruajtur si asete dhe si pozicione strategjike për mbrojtjen e vendit?
Në kohën që unë isha komandant, Arturin e kam pasur zëvendëskomandantin tim. Të gjitha problemet e strategjisë së zhvillimit të Forcave Detare i bënim bashkërisht dhe bashkë me shtabin. Pra kishim një mendim të unifikuar. Kështu që pas largimit tim, këtë strukturë që ne kishim përgatitur dhe që ishte në kundërshtim me Shtabin e Përgjithshëm, do ta vazhdonte zëvendëskomandanti Artur Meçollari, për aq kohë sa të emërohej komandanti i ri. Unë jam liruar nga detyra më 5 janar 2012 dhe deri më 23 janar 2012 këtë detyrë e ka kryer Artur Meçollari. Duke qenë se edhe Arturi nuk ishte dakord, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i ka dhënë vërejtje sepse Arturi nuk u kishte dërguar strukturën që ata kishin kërkuar. Duke qenë se Arturi ishte vënë nën një presion të madh nga ministri dhe nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, më kërkoi ndihmë se si duhej të vepronte. I kam thënë që strukturën që kishim përgatitur së bashku ta firmosnin të gjitha komandat e reparteve dhe shtabi që ai të ishte i mbrojtur sepse ajo strukturë ishte e përgatitur nga të gjithë. Dhe ai kështu veproi. Kjo ka qenë zanafilla e shkarkimit të Arturit nga detyra, sipas meje, sepse edhe ai ishte kundër eliminimit të bazës së Bisht-Pallës.
-Ai është përzgjedhur nga Ministria e Punëve të Jashtme për të qenë pjesë e grupit negociator për çështjen e kufirit detar me Greqinë. Cili është mendimi juaj: a është personi i duhur për të qenë pjesë e këtij delegacioni?
Përzgjedhja që i është bërë Artur Meçollarit si negociator për marrëveshjen e detit është si një nga oficerët më të përgatitur dhe më i mundshmi që mund ta bëjë me integritet këtë marrëveshje dhe të ndihmojë në korrigjimin e marrëveshjes së bërë në 2009-ën. Ky grup ka edhe një avantazh. Duke qenë se kanë për bazë një vendim të Gjykatës Kushtetuese, këta duhet të jenë më seriozë dhe më të kujdesshëm për të realizuar mirë këtë marrëveshje.
-Ka pasur kundërshti për përfshirjen e tij në kë grup, me arsyetimin se ai është larguar nga ushtria sepse ka kryer spiunazh në vendin tonë. Jeni në dijeni të këtyre akuzave?
Nuk jam në dijeni të këtyre akuzave, për faktin që sot të diskutosh termin spiunazh më duket një mentalitet shumë i vjetruar. Unë nuk di se ku ka spiunuar ky oficer apo z. Meçollari, kujt i ka spiunuar dhe çfarë ka spiunuar. Ne jemi një shtet anëtar i NATO-s. Ne bashkëpunojmë në të gjitha mbledhjet dhe bëjmë strategji që janë afërsisht të njëjta. Pra, të gjitha problemet i kemi të përbashkëta. Është një familje NATO.
-Shërbimi Informativ i Ushtrisë ka një dosje për z. Meçollari, ku pretendohet se ai është përfshirë në spiunazh. Në bazë të kësaj dosjeje është formuluar edhe urdhri i lirimit nga detyra që mban firmën e ish-ministrit të Mbrojtjes të asaj kohe, z. Arben Imami. Sa të vërteta janë këto pretendime të Shërbimit Informativ të Ushtrisë?
Në korrik të vitit 2011, kryeministri Sali Berisha nxori një urdhër, me të cilin ngriti një grup negociator për marrëveshjen e detit. Midis të tjerëve më kishin futur edhe mua si Komandant i Forcave Detare, pavarësisht se duhej të vinin një vartësin tim dhe jo mua. Megjithatë, u mblodhëm në Ministrinë e Jashtme dhe diskutuam për këtë punë. Ne kishim bërë një studim se çfarë kishte ndodhur me marrëveshjen e mëparshme të vitit 2009 dhe ishim gjysmë të përgatitur bashkë me Arturin si zëvendëskomandant. Duke qenë se unë u lirova, këtë detyrë do ta vazhdonte Arturi sepse mua më ishte vënë si detyrë që në javët e para të janarit 2012 duhej të bëja një prefing për ta prezantuar në Ministrinë e Jashtme bashkë me grupin negociator. Unë u lirova dhe ia lashë Arturit që ta bënte prefingun. Në qoftë se Arturi do të ishte i implikuar, se e njëjta qeveri ishte edhe në 2012-ën, nuk do të merrte pjesë te grupi negociator, që më zëvendësoi mua, e para. E dyta, Arturi ka ikur nga Forcat Detare shumë shpejt sepse në janar erdhi komandanti i ri. Unë do të thosha që këto janë trillime dhe për mendimin tim janë të ulëta dhe për më tepër që dalin nga goja e një personaliteti të vendit tonë, ish-president, ish-kryeministër, që nuk rezervohet por baltos një figurë ushtarake. Këto për mua janë gjëra të ulëta. Artur Meçollari është një nga oficerët më të përgatitur, personalitet dhe atdhetar.
Marre nga: http://shqiptarja.com/politike/2732/kudret–ela-lufta-e-imamit-p-r-shitjen-e-baz-s-detare-471298.html