Në bilancin e saj për 6 mujori e dytë të viti 2015, Prokuroria e Përgjithshme thotë se dëmi i shkaktuar ndaj shtetit ka qenë rreth 60 milionë euro, për shkak të skemave të ndryshme të mashtrimit. Në publikimin e saj Prokuroria i referohet rasteve të mirënjohura në publik si ajo me skemën e mashtrimit nga ana e DIA-s, kompanisë së Kastriot Ismailajt, apo skema e mashtrimit e përdorur nga pronari i Agon Channel Francesco Becchetti, me një vlerë prej 40 milionë eurosh. Në bilanc është dhe skema e mashtrimit me rimbursimin e ilaçece, me një dëm prej 2 milionë eurosh, ku në krye të të dyshuarve është drejtuesi i kompanisë private Omega Farma si dhe një sërë zyrtarësh dhe ish zyrtarësh të Fondit të Kujdesi Shëndetësor.
Një tjetër skemë mashtrimi e zbuluar në dhjetor ishte dhe afera në tregun e karburanteve, ku përgjegjës konsiderohet administratori i “Tea Oil”, Adrian Xhillari. Vlera e shmangies së detyrimeve ndaj shtetit ishte rreth 2.5 milionë euro.
E fundit, ishte skema e mashtrimit në tregun e lojërave të fatit me një vlerë prej 1 milionë euro. Për këtë janë arrestuar Ndoj e Paulin Preçi, administratorë të kompanisë një kompanie lojërash fati.
Prokuroria në bilancin e saj ka shtuar se nënë sekuestro janë vënë deri më tani pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në vlerën e 45 milionë eurove.
Njoftimi nga Prokuroria e Pergjithshme
- Skemat mashtruese financiare
Gjatë 6mujorit të dytë të vitit 2015, Prokuroria Shqiptare ka përfunduar hetimet dhe ka evidentuar personat përgjegjës në disa skema mashtruese financiare në tregun e karburanteve, farmaceutik, konçensione, ndërtim, etj.
* Në muajin Tetor 2015, Prokuroria e Tiranës zbulon një skemë mashtruese me rimbursimin e fondit të ilaçeve, në vlerë rreth 2 milionë euro. Në krye të kësaj skeme dyshohet se është drejtuesi i kompanisë farmaceutike “Omega Pharma”. Kjo skemë ishte në vijim të një hetimi të nisur më parë gjatë vitit 2015, gjatë të cilës është evidentuar edhe një rast tjetër skeme mashtruese, për të cilën tashmë janë dërguar për gjykim disa zyrtarë të Fondit të Kujdesit
Shëndetësor dhe administratorë farmacish.
* Po në Tetor 2015, Prokuroria e Korçës zbuloi një skemë mashtruese financiare në vlerë rreth 1.5 milionë euro në tregun e materialeve inerte. Personat përgjegjës për këtë skemë u dërguan për gjykim në fund të muajit dhjetor 2015.
* Në muajin Nëntor 2015, Prokuroria e Tiranës zbuloi një skemë mashtruese financiare në tregun e shitjes së aksioneve të kompanisë së naftës “FULLPET”, në vlerë shmangie detyrimi ndaj shteti rreth 500 milionë lekë të reja.
* Në muajin Dhjetor 2015, Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dy skema shumë të mëdha financiare, të shtrira në disa vite. Fillimisht, është dërguar për gjykim skema “DIAADC”, dy kompani me administror Kastriot Ismailaj, me vlerë rreth 10 milionë euro. Në vijim, Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet për një tjetër skemë mashtruese, “KGE”, me vlerë rreth 40 milionë euro, për të cilën akuzohen shtetasit Francesko Beketi dhe disa bashkëpunëtorë të tij.
* Në muajin Dhjetor 2015, Prokuroria e Fierit zbulon një skemë mashtruese financiare në tregun e karburanteve, me vlerë shmangieje detyrimesh ndaj shtetit rreth 2.5 milionë euro. Për këtë skemë konsiderohet përgjegjës administratori i kompanisë “Tea Oil”, Adrian Xhillari. Për këtë skemë, aktualisht janë të arrestuar edhe disa ishzyrtarë të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, përfshirë ishzv.drejtoreshën e Përgjithshme, të dyshuar se me veprimet dhemosveprimet e tyre, kanë toleruar realizimin e kësaj skeme.
* Po në muajin Dhjetor 2015, Prokuroria e Tiranës zbulon një tjetër skemë financiare, kësaj radhë në tregun e lojëravë të fatit, me një dëm ndaj shtetit në vlerë mbi 1 milionë euro. Për këtë skemë, konsiderohen përgjegjës shtetasit Ndoj dhe Paulin Preçi, administratorë të kompanisë së lojërave të fatit “Saturn Games”.
- Sekuestro dhe konfiskime
Gjatë 6mujorit të dytë të vitit 2015, Prokuroria Shqiptare ka sekuestruar ose konfiskuar pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, në një total prej dhjetra miliona euro, kryesisht në zbatim të ligjit “Antimafia” ose për shkak të veprave penale të fallsifikimit të dokumentave dhe përfshirjes në skema mashtruese financiare. Në total, në 6mujorin e dytë 2015 janë sekuestruar: Llogari bankare në vlerë totale 3.2 milionë euro; Rreth 570 mijë m2 sipërfaqe tokë bujqësore dhe truall, një hotel dhe dy godina 8+12 kate, në vlerë totale rreth 23.6 milionë euro; Aksione në 8 kompani private. Po ashtu, me një vlerë ende të papërcaktuar, por në një shumë të përafërt rreth 15 milionë euro, janë sekuestruar edhe 8 apartamente, 2 vila 3katëshe, dy komplekse tregtare me sipërfaqe 11 mijë m2 dhe 10 mijë m2, një pikë karburanti, një ndërtesë 1700 m2, 2.1 milionë m2 tokë bujqësore dhe 700 m2 truall. Në mënyrë të detajuar,
paraqiten si më poshtë:
Në Qershor 2015, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon konfiskimin e rreth 18.5 milionë lekë të reja, 940 mijë dollarë amerikanë të gjendura në llogari bankare dhe bono thesari, si edhe dy automjete, të regjistruara në emër të shtetasit Kastriot Ismailaj, administrator i shoqërisë “Adriatic Develoment Corporation LTD”. Këto pasuri ishin fillimisht nën sekuestro preventive, me një vendim të Gjykatës së Tiranës.
* Po në Qershor 2015, me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, vendoset sekuestron preventive për disa kompani të administruara nga i pandehuri Francesko Beketi dhe bashkëpunëtorët e tij, në kuadër të hetimit për skemën mashtruese “KGE”.
* Në Korrik 2015, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon sekuestrimin e 6300 m2 tokë arë, me vlerë 11 milionë lekë të reja, në pronësi të Aleko Perlesi, në kuadër të ligjit “Antimafia. Në Dhjetor 2015, Prokuroria për Krime të Rënda ka kërkuar konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të kësaj pasurie.
* Prokuroria e Durrësit, me leje të gjykatës, ka vendosur në Korrik 2015 sekuestro preventive për 8 apartamente, një vilë, një lokal dhe një pikë karburanti, në pronësi të familjes Tepshi, të akuzuar nga autoritetet italiane për “trafik lëndësh narkotike”. Vlera e kësaj pasurie ende nuk është përcaktuar plotësisht.
* Në fund të Korrikut 2015, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon konfiskimin e llogarive bankare në shumën mbi 850 mijë euro, në emër të shtetasve Rovena Kalemi dhe Bledar Coraj, pasi nuk justifikonin burimin e tyre.
* Në Gusht 2015, Prokuroria për Krime të Rënda, pas lejes së marrë nga gjykata, ka vendosur sekuestron preventive për një hotel dhe dy godina banimi 8 +12 kate, me vlerë totale rreth 10 milionë euro, në pronësi të Astrit Limani, i dënuar në Itali për “trafik lëndësh narkotike”.
* Në Shtator 2015, Prokuroria për Krime të Rënda, në zbatim të ligjit “Antimafia”, ka vendosur sekuestro për mbi 11 mijë m2 truall dhe ndërtime, përfshirë biznese, si edhe për rreth 15.300 metra katrorë tokë bujqësore, të regjistruara në emër të shtetasit Dashamir Gjoka, i akuzuar nga autoritetet italiane për “trafik të lëndëve narkotike”. Vlera e këtyre pasurive është ende e papërcaktuar plotësisht.
* Po në Shtator 2015, Prokuroria e Vlorës ka sekuestruar rreth 130 mijë m2 tokë pyjore në Palasë, me vlerë rreth 280 mijë euro, e përfituar me dokumenta të fallsifikuara, në emër të shtetasit Timolea Dhimoleo. Për këtë pasuri, në Dhjetor 2015 u vendos konfiskimi dhe kalimi në favor të shtetit.
* Në Tetor 2015, Prokuroria për Krime të Rënda sekuestron 2.1 milionë metra katrorë tokë pyll, tokë arë dhe tokë truall në zonën turistike në Fier, përfshirë edhe 1700 metra katrorë ndërtesë, si edhe për 3 shoqëri private, të gjitha në emër të shtetasit Fatmir Kajolli, i dënuar në Itali për “trafik lëndësh narkotike”.
* Po në Tetor, Prokuroria për Krime të Rënda, në kuadër të letërporosisë së autoriteteve italiane, sekuestron kompleksin tregtar “Golden”, me sipërfaqe 10 mijë m2, si edhe disa pasuri të tjera të paluajtshme, me sipërfaqe totale rreth 500 m2, në emër të vëllezërve Altin dhe Emirjan Hajri, të akuzuar si drejtues të një rrjeti trafiku lëndësh narkotike.
* Prokuroria e Vlorës, në Tetor 2015, sekuestron rreth 44 hektarë tokë bregdetare, përfshirë edhe plazhin e Llamani, me vlerë mbi 9 milionë euro, e dyshuar si e përfituar në bazë të dokumentave të fallsifikuar në emër të shtetasit Jani Qirici.
* Në Nëntor 2015, Prokuroria për Krime të Rënda sekuestron llogarinë bankare 2 milionë euro të kompanisë “ALENFRA”, me administratore shtetasen italiane Simoneta Coniglio, e dyshuar për burim të paligjshëm krijimi.
* Në Dhjetor 2015, Prokuroria e Vlorës, në dy raste të ndryshme, ka vendosur sekuestro për një sipërfaqe toke prej 44 mijë m2, me vlerë 4.4 milionë euro, në zonën e plazhit të Jonufrës, e dyshuar si e përfituar me dokumenta të fallsifikuara nga pasardhësit e shtetasit Gjon Gjonboçari. Në rastin tjetër, janë sekuestruar 85 mijë m2 tokë në zonën e Palasës, me vlerë 200 mijë euro, e dyshuar si e përfituar në bazë të dokumentave të fallsifikuar nga disa shtetas.