Policia ka nisur prej mëngjesit të sotëm ofensivën ndaj trafikantëve të drogës në disa zona të vendit. Rreth 300 forca të policisë dhe FNSH-së kanë zbarkuar prej orës 04:00 në Shkodër, Vlorë, Gjirokastër dhe Durrës për të shkatërruar çdo hallkë të zinxhirit që merret me trafikimin e kanabisit.
Efektivët janë dërguar në zonat më problematike në mbjelljen e kanabisit, zonat e Dukagjinit, Lumit të Vlorës, Kurvelesh e Memaliaj, ndërsa në total janë sekuestruar 1.27 ton kanabis.
Burime për news24 bëjnë të ditur se në zonat përreth Vlorës policia ka gjetur magazina për tharje të kanabisit, por nuk jepen detaje nëse është sekuestruar lëndë narkotike. Gjithashtu mësohet se tre persona kanë rënë në pranga, mes tyre edhe ndërtuesi Fredinant Mile, i cili u kap në flagrancë me 41 kg marijuanë në pallatin e tij.
Gjithashtu, policia ka zbuluar bimë narktoike në proces tharje e përpunimi në Kuvelesh ndërsa në Gjirokastër janë sekuestruar rreth 400 kg kanabis.
Dy stane të shndërruar në laboratorë për tharjen e bimëve narkotike janë zbuluar në fshatrat Kallarat dhe Mesaplik.Burime nga policia bëjnë të ditur se në fshatin Zhapokikë në Memaliaj është gjetur drogë dhe armë, ndërsa kultivuesit kanë mundur të largohen duke u zhdukur në pyll.
Ndërkohë operacioni është përqëndruar në Nivicë, ku pretendohet se ka një pistë avionësh të improvizuar. Burime nga policia bëjnë të ditur se deri tani nuk është konstatuar asnjë pistë e dyshimtë.
Mëngjesin e sotëm policia është rikthyer edhe në Dukagjin, një zonë e evidentuar vazhdimisht për kultivimin e kanabisit, ku kanë zbarkuar forca të Policisë dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.
Policia mësyn sërish në zonat e thella të Dukagjinit, ku disa herë është qëlluar me armë në drejtim të forcave të rendit. Në zonën malore të Dukagjinit kultivimi i kanabisit është shtrirë në një territor të gjerë, në parcela të vogla dhe të veçuara, larg zonave të banuara, gjë që e ka bërë të vështirë punën e policisë.
Operacioni masiv antikanabis nisi dy ditë më parë në vijën bregdetare me përfshirjen e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, DELTA Force dhe Policisë kufitare. Rreth 272 forca policore patrullojnë non stop 24 orë në vijën bregdetare dhe kufirin jeshil. Në planin e masave janë të përfshira edhe Drejtoritë Vendore të Policisë në Qarqe të cilat janë të fokusuara në identifikimin dhe goditjen e vendeve të magazinimit të lëndëve narkotike.
AKSIONI NE VLORE
Në vijim të operacioneve antikanabis, Policia e Vlorës ka asgjësuar edhe 4650 bimë narkotike Cannabis Sattiva, në fshatrat Kallarat dhe Mesaplik. Gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Kallarat, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, Policia ka konstatuar një kasolle, ku nga kontrolli i ushtruar në të, janë gjetur rreth 100 bimë të thara brenda dhe rreth 200 bimë të tjera të mbjella jasht saj, të llojit Cannabis Sattiva.
Policia ka kapur në flagrancë 2 shtetas (brenda kasolles) si autorë të dyshuar në lidhje me posedimin dhe kultivimin e këtyre bimëve narkotike: Besmir Spaho, 30 vjeç, banues në Vlorë; dhe Erald Gjonbrati, 31 vjeç, banues në Vlorë.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në fshatin Mesaplik, Policia ka konstatuar tre kasolle, brenda të cilave janë gjetur rreth 2500 bimë narkotike të thara, 250 bimë të mbjella përreth tyre, si dhe ka sekuestruar një thes me 3 kg lëndë narkotike Cannabis Sattiva (në formë boçesh).
Në lidhje me këtë ngjarje, Policia ka proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasin K.Ll., 64 vjeç, për “Moskallëzim krimi”.
Gjithashtu, gjatë kontrolleve të ushtruara në fshatin Dukat të Vlorës, Policia ka asgjësuar rreth 1600 rrënjë bimë narkotike Cannabis Sattiva, të mbjella në një parcelë pranë vendit të quajtur “Qafa e Shëngjergjit”, për të cilat po punohet për kapjen e kultivuesve të tyre.
Po punohet për konstatimin e ambienteve të tjera me lëndë narkotike dhe kapjen e autorëve të implikuar në veprimtarinë kriminale të kultivimit, prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.
“SEKUESTRUAM 210 KG HASHASH NË FSHATIN E MINISTRIT”, POLICIA AKSION BLIC NË TEPELENË
Që bimët narkotike janë kultivuar edhe në fshatin e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri kjo nuk është diçka e re. Por sot policia ka zhvilluar një operacion blic në fshatin Gusmar, duke sekuestruar 210 kg hashash, ndërsa ka vënë në pranga edhe një 34-vjeçar.
Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se në vendin e quajtur “Minierat e Gusmarit”, në Kurvelesh, në një objekt të braktisur, u kap ne flagrancë shtetasi: Astrit Selmani, 34 vjeç, banues në Borsh, Sarandë. Nga kontrolli i ushtruar në këtë objekt u gjetën dhe u sekuestruan 30 kg lëndë narkotike cannabis sattiva, e përpunuar dhe 180 kg lëndë narkotike në proces tharje.
Pak kohë më parë, opozita publikoi disa fotografi të parcelave me hashash në fshatin Gusmar, të cilat, sipas PD-së, mbrohen nga ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri. Por ministri reagoi duke publikuar foto që sipas tij, dëshmonin se droga në fshatin Gusmar ishte asgjësuar.
TEPELENE E MEMALIAJ
Plot 170 kilogramë kanabis sativa është sekuestruar ditën e sotme nga policia në Tepelenë dhe Memaliaj. Në kuadër të operacioneve të zhvilluara në fshatin Matohasanaj, njësia administrative Lops, në pjesën malore të fshatit, në një stallë u kap në flagrancë shtetasi Adhurim Harizi, 35 vjeç.
Nga kontrolli i ushtruar në stallë u gjetën 50 kg lëndë narkotike Cannabis Sattiva e përpunuar dhe rreth 60 kg lëndë narkotike Cannabis Sattiva në proces tharje.
Gjithashtu në fshatin Zhapokikë, në Memaliaj, në pjesën malore të fshatit u gjetën në 6 thasë me kanabis, pesha totale 60 kg. Ndërsa në afërsi të lëndës narkotike u gjetën dhe u sekuestruan dy armë zjarri, një automatik dhe një pushkë 10-she.
Pas kësaj, policia shpalli në kërkim dy vëllezërit E.H dhe R.H.
Sakaq, materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme.
VLORË, PRANGA NDËRTUESIT NË “UJIN E FTOHTË”. POLICIA I MËSYN NË PALLAT
Policia e Vlorës ka vënë në pranga edhe një ndërtues, të cilit iu gjetën në katin e parë të pallatit në pronësi të tij rreth 41 kg marijuanë.
Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se në kuadër të operacionit të koduar “Smile”, është arrestuar 47-vjeçari Fredinant Mile, lindur në Fier, banues në Vlorë, pronar i një pallati.
Policia e Vlorës, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, ka bërë të mundur kapjen në flagrancë të autorit, në katin e parë të pallatit, në lagjen “Ujë i ftohtë” Vlorë. Gjatë kontrollit të ushtruar është gjetur një sasi me lëndë narkotike, e cila ishte e futur nëpër thasë sintetikë me peshë totale prej 41 kg (kilogram), e llojit Marijuanë.
KAPEN 85 KG DHE 3 MIJË BIMË KANABIS NË DISA MAGAZINA NË KRUJË, PRANGA 2 TË RINJVE
Policia e Krujës ka sekuestruar 85 kg kanabis dhe 3 mijë bimë të tjera në proces tharje dhe të kultivuara.
Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Krujë pas informacioneve të marra në rrugë operative, në vijim të punës së pandërprerë për parandalimin e kultivimit dhe prodhimit të lëndëve narkotike, në fshatin Kameras, Krujë kanë konstatuar bimë Cannabis Sattiva dhe ambiente që shërbenin për tharjen e tyre.
Në brendësi të këtyre ambieteve u gjetën bimë narkotike të thara, në proces tharje dhe një pjesë e përgatitur për shitje.
Janë arrestuar në flagrancë shtetasit:
- Edrin Sulaj, 22 vjeç, banues në Mamurras, Kurbin;
- E. C., 17 vjeç, banues në Krujë.
Gjithashtu filloi proçedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të shtetasit:
- B.K., banues në Arrameras.
Më datë 20.102016, gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Kameras, pranë shtëpisë së shtetasit B.K. janë konstatuar të kultivuara bimë narkotike dhe tre ambiente të përshtatura për tharjen e tyre.
Janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale:
- 103 pako me mbështjellëse plastike të mbushura me material bimor të thatë të dyshuar si lëndë narkotike Cannabis Sattiva me peshë rreth 85 kg;
- 1 100 bimë narkotike në proces tharje të dyshuara të llojit Cannabis Sattiva dhe
- 800 bimë narkotike të kultivuara të dyshuara të llojit Cannabis Sattiva.
Gjithshtu është ushtruar kontroll edhe në fshatin Kurcaj, Krujë ku janë konstatuar 4 ambiente të përshtatura për tharjen e bimëve narkotike.
Janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale:
- në këto ambiente janë gjetur të varura degëza me boçe të pastruara nga gjethet e Cannabis Sattiva.
- 1 100 bimë narkotike të kultivuara të dyshuara të llojit Cannabis Sattiva.
Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”dhe “Kultivimi i bimëve narkotike” në bashkëpunim parashikuar.
400 KG KANABIS NË PROCES THARJE ASGJËSOHEN NË PËRMET
Në sajë të operacionit antikanabis, policia ka sekuestruar në Përmet rreth 400 kg kanabis sativa, në proces tharje.
Kjo lëndë narkotike u gjet nga kontrolli i ushtruar në vendin e quajtur “Përroi i fshatit Odriçan”, në një kapanon të përshtatur me llamarina .
Për shkak të terrenit të thyer, autorët kanë mundur të largohen. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e tyre.
GJIROKASTËR, KAPET 34-VJECARI ME 180 KG KANABIS
-Në vendin e quajtur “Minierat e Gusmarit”, në Kurvelesh, në një objekt të braktisur u kap në flagrancë 34-vjeçari, Astrit Selmani. Nga kontrolli i ushtruar në këtë objekt, u gjetën dhe u sekuestruan 30 kg kanabis, i përpunuar dhe 180 kg kanabis në proces tharje.
-Gjithashtu nga operacioni i zhvilluar në fshatin Nivicë, në afërsi të rezervuarit, në dy kasolle u konstatuan bimë narkotike në proces tharje. Nga kontrolli i ushtruar në këto dy kasolle u gjetën 310 kg kanabis në proces tharje si dhe bimë të kultivuara. Bimët e kultivuara u asgjësuan në vend me anë të djegies.