Nga 3000 raste të denoncuara të dhunës në familje gjatë vitit 2016 plot 900 raste janë denoncuar nga burra që janë dhunuar nga gratë.
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi, ngriti shqetësimin se rastet e burrave që janë viktima të dhunës po vijnë në rritje.
Klosi: Në 3 mijë e pak raste të denoncuara gjatë vitit 2016, për rastin e dhunës në familje, rreth 900 prej tyre kanë qenë burra që kanë denoncuar dhunën ndaj tyre nga gratë. Ka nevojë që ky problem të shihet si kompleks. Rastet më të dhunshme janë burrat që ushtrojnë dhunë ndaj grave.
Nga ana tjetër drejtori i agjencisë italiane për bashkëpunim dhe zhvillim Nino Merola tha se do ë mbështesë projektet e qeverisë për rehabilitimin dhe integrimin e viktimave të dhunës, shkruan ora.
Merola: Lufta ndaj dhunës për ne është shumë e rëndësishme. Kemi punuar dhe punojmë fort në këtë sektor qoftë për gratë e dhunuara apo edhe për burrat. Ne do të mbështesim përpjekjet tuaja në luftën kundër dhunës.
Klosi u shpreh se aktualisht politikat e mbështetjes kanë qenë vetëm për gratë e dhunuara dhe jo për burrat. Sipas ministrit në rastet e dhunës ende nuk kemi kulturën të thërrasim për ndihmë psikologun apo punonjësin social./a.k