Nga Armando Meta
SPECIALE JAVANEWS.AL/ 2018 duket se ka qenë një vit jo pak i patrazuar në Shqipëri, si në planin politik, ku kanë vijuar përplasjet mes pozitës dhe opozitës në Kuvend dhe jashtë tij, në planin ndërkombëtarë dhe të pozicionit të Shqipërisë në marrëdhënie me BE dhe SHBA. Në ecurinë e vettingut dhe ngritjes së KLP dhe KLGJ, por edhe në shumë dimensione të tjera sa i përket ngjarjeve nga kronika ku veçohen jo pak ngjarje të cilat kanë tronditur seriozisht jo vetëm botën e krimit, por edhe atë të jetës dhe të sigurisë.
Ngjarja më e rëndësishme e 2018-s mund të konsiderohen protestat e dhjetorit të studentëve, të cilët shkundën jo pak qeverinë nga gjumi letargjik që kishte rënë, por nga ana tjetër këto protesta nxorën më shumë zbuluar opozitën, duke dëshmuar besimin e ulët që ka ajo ka në rradhët e të rinjve. Po ashtu u perjetuan tensione të forta sociale, si në rastin e protestave të Astirit, apo sektorëve ekonomikë të caktuar.
Nga ana tjetër vlen të theksohet se ky vit do të mbahet mend gjatë për kasetat e prezantuara nga PD me përgjime në adresë të familjarëve të Fatmir Xhafajt, akuza të cilat pas hetimeve kanë dalë që janë inskenime dhe për këtë është nën hetim edhe një deputetet i PD së bashku me aktorët përkatës.
Në planin e jashtëm Shqipëria hodhi një hap të vogël, por shumë domethënës duke marrë një datë për hapjen e negociatave në vitin 2019. Nga ana tjetër shënoi edhe forcimi i pozitave të Ramës në raport me SHBA duke larguar nga vendi ynë ambasadorin e Iranit për kosnipracion që vinin në rrezik sigurinë kombëtare të vendit, vendim i cili u mbështet fort nga presidenti i SHBA dhe zyrtarët më të lartë amerikan.
Por viti 2018 ka shënuar dhe një sërë goditjesh të grupeve më të rrezikshme të krimit të organizuar në vend, siç është dënimi i bandës së Shullazit, arrestimi i të fortëve të Shijakut, kapja e 618 kg heroinë në Maminas etj. Ndërkaq, kronika e zezë ka qenë jo pak pasur po të kemi parasysh maskrën e Selenicës ku mbetën të vrarë 8 persona, dhe ajo e Matit ku u vranë 3 zyrtarë të Bashkisë Mat. Më poshtë ndiqni në mënyrë kronike të gjitha ngjarjet kryesore të 2018
7 janar 2018
PS plan me 9 pika për të fituar zgjedhjet e 2019
Partia Socialiste nis zyrtarisht përgatitjet për të fituar zgjedhjet lokale të 2019. Në Asamblenë e Partisë Socialiste miratohet plani me 9 pika, duke përcaktuar të gjitha etapat përgatitore, me qëllim për të fituar zgjedhjet e ardhshme locale përballë PD- LSI
Plani i PS për përgatitjet për zgjedhjet e 2019
1. Auditimi i regjistrit kombëtar të anëtarësisë së PS, duke filluar nga listat e anëtarësisë.
2. Kompaktësimi i strukturave dhe i forumeve vendore të partisë sipas normave statutore që rregullojnë ndërtimin dhe funksionimin aktiv të tyre.
3. Përsosje të funksionimit organizativ të strukturave e forumeve të partisë në të gjitha nivelet.
4. Fuqizim organizativ dhe aftësim i strukturave për të përballuar me efektivitet angazhimet elektorale për zgjedhjet vendore të vitit 2019.
5. Rritja e veprimit politik të strukturave të partisë, veçanërisht për shtimin e kontakteve me kategori të ndryshme sociale në komunitetin ku veprojnë.
6. Shtim i kontakteve dhe bashkërendimit të veprimeve të drejtuesve të forumeve të partisë në çdo nivel me anëtarësinë.
7. Vazhdimin e aksionit politiko-administrativ për shtrimin e anëtarësisë së partisë me anëtarë të rinj..
8. Mbledhja e radhës së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste do të ketë në fokus kryesor analizën për problemet e qeverisjes vendore, raportin nga kryetarët e bashkive për realizimin e objektivave të qeverisjes në bashkitë ku drejtojnë.
9. Në mbledhjet e tjera të Asamblesë Kombëtare gjatë vitit do të analizohen probleme të aktivitetit të strukturave organizative e elektorale të partisë për të filluar për zgjedhjet vendore të vitit 2019.
13 janar 2018
Shkodër, shpërthim i telekomanduar, 8 persona të plagosur
Qyteti i Shkodrës u trondit nga një shpërthim eksplozivi në lagjen Rus, pranë tregut të qytetit. Si pasojë mbetën të plagosur 8 persona, midis të cilëve dhe shënjestra e dyshuar e këtij atentati, Lulzim Kulla 42 vjeç, i cili mori plagë të rënda, ndërsa 7 të plagosurit e tjerë morën dëmtime pa rrezik për jetën.
25/ 01/2018
Kuvendi rrëzon listën për kandidatët në KLGJ dhe KLP.
Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi votimet për miratimin e listave për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Këto dy lista nuk u miratuan pasi siç e kërkon rregullorja duhen 94 vota pro. Për këshillin e lartë të Gjyqësorit u votua 69 pro, 26 kundër 1 abstenim e ndërsa lista për anëtarë e KLP u votua 72 pro, 26 kundër 0 abstenim.
26 janar 2018
Rihapen hetimet për ‘CEZ’, Prokuroria thërret Shkëlzen Berishën
Djali i ish-Kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha, mer fletëthirrje për të dëshmuar në Prokurorinë e Tiranës, në lidhje me çështjen e privatizimit të OSSH-së.
27 janar 2018
Opozita proteston para kryeministrisë
Opozita zhvillon para kryeministrisë protestën e parë për vitin 2018 më 27 janar, në një përpjekje për të matur forcat e saj në fillimvit. Protesta adresohej kundër qeverisë dhe kërkonte largimin e kryeministrit rama. Përtej pritshmërive të opozitës protesta pati një numër relativisht të ulët pjesëmarrje.
29/01/2018
Atentat në Tiranë, vritet me armë zjarri Devi Kasmi
41-vjeçari Devi Kasmi u ekzekutua në Tiranë, pas një prite të ngritur në rrugën “Kongresi i Manastirit”. Dy persona me motoçikletë, kryen qitje me pistoletë, duke vrarë Kasmin
31/ 01/ 2018
Dorëhiqet anëtari I Gjykatës Kushtetuese, Besnik Imeraj
Anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Besnik Imeraj jep dorëheqjen. Në letrën e tij, Imeraj sqaron se dorëheqja vjen për arsye personale dhe shëndetësore. Besnik Imeraj ishte një emër jo i panjohur për opinionin publik. Përveçse ka gjykuar dosjen e Lulzim Bashës për aferën me rrugën Durrës-Kukës në kohën kur ishte Ministër i Transporteve dhe atë të Ilir Metës, pas video-përgjimit të Dritan Priftit, zoti Imeraj ka qenë edhe “violina e parë” kundër procesit të Vettingut.
02/02/2018
Abuzime në tenderin e rrugës Elbasan- Gjinar, prangosen dy ish-krerëve të ARRSH
Abuzimi 5 miliardë lekë vetëm për rrugën Elbasan-Gjinar ka çuar në pranga dy ish-krerët e Autoritetit Rrugor Shqiptar si dhe disa administratorë dhe supervizorë të kompanive që fituan këtë tender dhe bënë punimet. Arrestimet erdhën pas një hetimi që zgjati gati 2 vjet. Pas hetimeve të nisura gati dy vjet më parë, me 31 mars 2016, dyshohet se dy ish-kreret e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Andi Toma dhe Dashamir Xhika kane shperdoruar detyrën në lidhje me projektimin, prokurimin, zbatimin e kolaudimit të rrugës Elbasan-Gjinar.
3/02/2018
Vrasja e Devi Kasmit, kapet grupi kriminal, ekzekutor nje shtetas grek
Policia ka vënë në pranga autorin e dyshuar si ekzekutor të vrasjes së Devi Kasmit, 41-vjeçari që humbi jetën të hënën pas një prite të bërë përpara shtëpisë së tij. U arrestuan shtetasit Elton Halipaj, 36 vjeç lindur në Skrapar, banues në Tiranë, Eftimiu Eftimius, 49 vjec lindur e banues në Artë Greqi, Malvin Dimollari, lindur në Korçë e banues në Tiranë, Elton Hoxhallari, 36 vjeç lindur dhe banues në Tiranë. Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit, Altin (Aurel )Hoxhallari, 41 vjeç në Tiranë.
09/02/2018
Ish Kryeprokurori Adriatik Llalla largohet nga Drejtësia
Ish-Kryeprokurori Adriatik Llalla tërhiqet nga Vettingu. Llalla kërkoi dorëheqjen nga e drejta për t’u emëruar gjyqtar në Apel. Sipas ligjit të Vettingut, Llalla nuk i nënshtrohet kësisoj procesit të kontrollit dhe largohet nga sistemi i drejtësisë.
09/02/2018
Deputeti i PD Eduard Halimi heq dorë nga mandati si deputet
Deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi, endos të heqë dorë nga mandati i deputetit dhe ka njoftuar se do të largohet nga politika aktive.
09/02/2018
PD pagoi 150 mijë dollarë me anë të një kompanie skoceze për të lobuar në SHBA
PD pagoi 150 mijë dollarë me anë të një kompanie të dyshimtë skoceze për të lobuar nga SHBA. Gazeta skoceze “The Sunday Herald” publikoi detaje lidhur me dyshimet për pagesën që është kryer nga Partia Demokratike për të lobuar në administratën e presidentit amerikan, Donald Trump. “Një firmë skoceze me pronarë sekretë pagoi një lobist të Uashingtonit për të ndihmuar konservatorët e Ballkanit të hynin në Shtëpinë e Bardhë të Donald Trump”, shkruan media në fjalë duke nënvizuar se “Biniatta Trade” ka ngjallur tension ndërkombëtar për shkak të financimit të një fushate prej 150 mijë dollarësh për promovimin e krahut të djathtë të opozitës shqiptare në Amerikë.
14/ 02/2018
Adriatik Llalla dhe familja e tij shpallen ‘non grata’ në SHBA
Sekretari i Shtetit Rex Tillerson shpall publikisht “non grata” ish-Prokurorin e Përgjithshëm Shqiptare (z.) Adriatik Llalla në bazë të nenit 7031 (c) të Ligjit për Buxhetin e Konsoliduar të FY 2017 për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të rëndësishëm.
19/02/2018
President i përbashkët Shqipëri-Kosovë? Komisioni Europian kundër Edi Ramës
Pas deklaratës së Edi Ramës për një president të përbashkët Shqipëri-Kosovë, reagoi Komisioni Europian.
“Kundër deklaratave që mund të interpretohen si ndërhyrje. Deklarata e Ramës nuk ndihmon për një fqinjësi të mirë. Nxisim vendet që të punojnë për përmbushjen e reformave” tha thënë zëdhënësja e Komisionit Europian Catherine Ray.
20/02/2018
“Deti”, Meta refuzon Bushatin, kërkon informacione shtesë
Presidenti Ilir Meta, refuzoi ti japë tagrin ministrit të jashtëm Bushati për negociata për arritjen e një marrveshje me Greqinë me pretendimin se ka kërkuar informacione të tjera shtesë nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme.
21/02/2018
Testi i pasurisë “ngel në klasë” 57 % të gjyqtarëve të shkallës së parë në Shqipëri
154 gjyqtarë nga 268 gjithsej kanë diferenca të pajustifikuara të pasurive të tyre të deklaruara, të cilat kapin në total vlerën e 698 milionë lekëve.
28/02 2018
Kapet sasi rekord e kokainës në Shqipëri: 613 kg e ardhur nga Kolumbia. Vlera 180 milionë euro
Një sasi rekord kokaine, plot 613 kilogramë, më e madhja e kapur ndonjëherë në Shqipëri, u zbulua në Portin e Durrësit. Droga me vlerë tregu 180 milionë euro e ardhur nga Kolumbia, ishte e fshehur në një kontenier me fund të dyfishtë që ishte mbushur me banane, dhe kishte destinacion tregun europian.
Lënda narkotike hyri në Shqipëri për llogari të “Arbri Garden” SHPK, një kompani shqiptare që merret me importin e frutave nga Amerika Latine. Ky biznes është në pronësi të Arbër Çekaj personi ky që tashmë është shpallur në kërkim nga policia. Në pranga ra shoferi i kamionit Armando Pezaku si dhe menaxheri i kompanisë, Donaldo Lushaj.
04/03/2018
Patozi dhe Bode rifillojnë aksionin kundër Bashës: Nuk kemi ç’presim më
Astrit Patozi dhe Ridvan Bode, që ishin edhe themelues të Lëvizjes për Ringritjen e PD-së kanë nisur një komunikim të ri me bazën e djathtë. Takimin e tyre të parë ata e kanë mbajtur në Juglindje të vendit, Korçë, Pogradec e Devoll, zona ku Bode ka marrë disa herë mandatin e deputetit. Në një status në faqen e tij në Facebook pas këtyre takimeve Patozi shkruan se Lulzim Basha nuk mund të pritet më, pasi ai e hodhi poshtë platformën politike që iu propozua.
06/03/2018
Sali Berisha: Më 21 janar urdhërova 5 snajperë të vrisnin Edi Ramën, nuk më ndali as këshilltari i Klinton, jam rritur sipas kanunit
Ish-kryeministri Sali Berisha tronditi opinionin publik. Për të parën herë ai deklaroi se ka pasur një skenar për të vrarë Edi Ramën më 21 janar të 2011. Duke folur në studion e Sokol Ballës, Berisha deklaroi hapur se një ditë para kishte urdhëruar 5 snajperë që të qëllonin për vdekje kreun e opozitës të asaj kohe dhe sipas tij, kjo bëri që Rama të mos ishte në protestë.
09/03/2018
Investigimi i Mother Jones zbulon lidhjen e fshehtë të Lulzim Bashës me kompaninë ruse të lobimit
Një shkrim investigativ i “Mother Jones” me autorë David Corn, Hannah Vevintova dhe Dan Friedman, ka hedhur dritë mbi lidhjet e fshehta të Partisë Demokratike dhe kompanive të lobimit.
Në artikullin e gjatë, zbulohen fakte konkrete ku “selia blu” ka ofruar pagesa të kripura për promovimin e liderit të saj Lulzim Basha, në SHBA.
Mësohet se kryedemokrati kishte kontraktuar një lobist republikan dhe ish- ndihmës të fushatës së Donald Trump, i cili quhej Nick Mucin. Kontrata mes Mucin dhe Partisë Demokratike është firmosur nga Lulzim Basha, për të promovuar Partinë Demokratike të Shqipërisë në muajt mars, prill dhe maj, raporton Tema.
Sipas kontratës, Muzin do të paguhej 25,000 dollarë gjatë këtij harku kohor për shërbimet që do të kryente. Pas pagesës Muzin kontaktoi Stephen Bannonin dhe disa zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë në emër të Bashës dhe vendosi që Lulzim Basha të intervistohej nga Breitbart Neës.
10/03/2018
Thellohet skandali, arkivat sovjetike tregojnë se “bamirësi” i Bashës është ish-agjent i KGB-së
Evgeni Sheremetjev: ky është njëri prej emrave që investigimi i “Mother Jones” ka lidhur me Lulzim Bashën. Biznesmeni rus është bashkëthemelues i “Biniatta Trade”, kompanisë fantazmë që pagoi 675 mijë dollarë për llogari të Partisë Demokratike, në prag të zgjedhjeve të 25 qershorit.
Megjithatë, përpara se t’i futej me sukses rrugës së biznesit, duke siguruar edhe disa tendera nga qeveria ruse, Sheremetjev ka një të shkuar të errët.
Arkivat sovjetike, si dhe ky artikull bashkëngjitur, tregojnë se në vitin 1988, pak përpara se të rrëzohej regjimi, ai ishte një funksionar i lartë i KGB-së.
11/03/2018
FBI nis hetimin për lobistin e Bashës
Byroja Federale e Hetimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nisi një hetim për lobistin e Partisë Demokratike, Nikolas David Muzin, i njohur si Nik Muzin. Hetimet kanë nisur pas informacioneve për burime financiare ruse që shkonin në një rrjet kompanish si pagesë për lobistët, që një vit më parë ndihmuan edhe Partinë Demokratike të Shqipërisë.
14/03/2018
Lobimi në SHBA/ Zbulohet sa është shifra që ka deklaruar PD në KQZ
Më 28 shkurt Partia Demokratike ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve raportet financiare të vitit 2017.Nga një pjesë të këtij raporti zbulohet edhe shifra e deklaruar nga PD e shpenzuar për lobime prej rreth 31.2 milionë lekë. Sipas këtij raporti në zërin “Shërbime të tjera” thuhet se për shërbime dhe konsulenca janë shpenzuar 31.264.480.
17/03/2018
Megaoperacion, prangosen 39 persona per trafik drejt SHBA dhe Anglisë
Policia e Shtetit dhe Prokuroria për Krimet e Rënda goditën një rrjet të trafikimit të paligjshëm të gati 1 mijë shqiptarëve drejt Anglisë, SHBA-ve dhe Kanadasë. Nga veprimet hetimore të kryera, rezulton se 7 grupe të strukturuara kriminale, të cilat operonin në Shqipëri, Bullgari, Spanjë, Francë, Republikën Domenikane, Itali, Britani, Irlandë, ShBA e Kanada, kanë mundësuar kontrabandimin e rreth 1 mijë personave (shtetas shqiptarë) në drejtim të Mbretërisë së Bashkuar, ShBA-ve dhe Kanadasë. Për çdo person paguhej nga 7 000 paund për në Mbretërinë e Bashkuar dhe nga 25 000 deri në 30 000 dollarë për në ShBA dhe Kanada.
Pjesëtarët e këtyre grupeve kriminale përmes veprimeve aktive ndihmonin shtetasit shqiptarë të interesuar për të emigruar në mënyrë të paligjshme drejt vendeve të mësipërme, duke falsifikuar dokumenta udhëtimi dhe identiteti të vendeve të BE-së.
Ata përdornin iteneraret:
• Shqipëri – Itali – Mbretëri e Bashkuar
• Shqipëri – Francë – Mbretëri e Bashkuar
• Shqipëri – Bullgari – Belgjikë – Republika Domenikane – SHBA / Kanada
• Shqipëri – Spanjë – Amerika Latine – SHBA/Kanada”.
Gjykata për Krimet e Rënda ka lëshuar 51 fletë arresti, nga të cilat 39 janë ekzekutuar dhe 12 të tjerë janë shpallur në kërkim.
27/ 03/ 2018
Adriatik Llalla nën hetim për pastrim parash
Ish Prokurori i Përgjithshëm i Republikës, Adriatik Llalla ëu vu nën hetim për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale, të parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal të Shqipërisë.
Hetimet janë duke u zhvilluar nga një grup prokurorësht të caktuar nga Prokuroria e Përgjithshme. Hetimet janë fokusuar tek zbardhja e të gjitha pasurive të deklaruara ose jo nga ana e z. Llalla, mbi aferat dhe skandalet e pronave të bëra publike kohët e fundit nga mediat, tek jeta superluksoze e familjes Llalla, nga hetimi i bërë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ose shkalla e parë e vettingut një proces i ndërprerë pak kohë më parë me kërkesë të ish Kryeprokurorit.
31 mars 2018
Përleshje te Rruga e Kombit, shkatërrohen sportelet e pagesës së tarifës
Protesta kundër pagesës së lëvizjes në Rrugën e Kombit, që ishte paralajmëruar se do të ishte paqësore përfundoi në një shfaqje dhune. Prej orës 10:40 qindra protestues u mblodhën tek Rruga e Kombit për të kërkuar heqjen e tarifës së kalimit. Ata e quajnë të padrejtë tarifen përballë një komuniteti tepër të varfër siç është Kukësi dhe një taksë të dyfishtë.
Situata u tensionua që në nisje, kur protestues kryesisht nga tre bashkitë e qarkut Kukës, por edhe të ardhur nga Kosova e qytete të tjera sulmuan me gurë policinë, me pretendimin se i kishin provokuar uniformat blu.
11/04/2018
Llalla: Donald Lu më kërkoi arrestimin e Ilir Metës
Në letrën për Nënkomisionin e Kongresit Amerikan për Europën dhe Azinë, i drejtuar nga kongresmeni Dana Rohrabacher, Adriatik Llalla tregon edhe një herë takimin me Donald Lu në Maj të vitit 2015, duke saktësuar se ambasadori ka kërkuar arrestimin e Ilir Metës.
17/04/2018
BE vulos fatin e Shqipërisë: Të hapen negociatat, do të jetë pjesë e BE
Komisioni Europian rekomandoi zyrtarisht hapjen e negociatave për Shqipërinë në Bashkimin Europian. Shefja e Politikës së Jashtme në BE, Federica Mogherini deklaroi se Këshilli vendosi të rekomandojë hapjen e negociatave me BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë.
23/04/2018
Falimentimi i Gulf dhe mashtrimi i qytetarëve me tollonat
Tatimet, policia dhe prokuroria janë vënë në ndjekje të të gjitha aseteve të Gulf, prona dhe llogari bankare. Përveç kërkimit policor për menaxherët e Gulf, autoritetet po analizojnë të gjithë dokumentacionin për të zbardhur skemën e shitjes së tollonave të naftës dhe benzinës me të cilën u mashtruan me qindra biznese dhe qytetarë të ndryshëm.
23/04/2018
Majlinda Bregu, sekretare e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal
Majlinda Bregu është zgjedhur sekretare e përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. Bregu është e para shqiptare që merr një pozicion të lartë ekzekutiv në institucionin që ka si mision fuqizimin dhe rritjen e bashkëpunimit në vendet e Europës Juglindore.
03/05/2018
Saimir Tahiri dorëzon mandatin e deputetit
Ish-ministri i Brendshem, Saimir Tahiri ka deklaruar se dorezon mandatin e deputetit dhe nuk do te jete me pjese e Kuvendit te Shqiperise, deri sa drejtesia te thote fjalen e saj.
04/05/2018
Arbër Çekajt, pronari i firmës “Arbi Garden”, së cilës iu kapën 613 kg kokainë më 27 shkurt 2018 në Maminas eshte arrestuar në Dyseldorf të Gjermanisë. Atij iu gjetën dokumenta me identetit të ndryshuar, nga Arbër Çekaj në “Arbër Jansen” duke marrë mbiemrin e bashkëshortes së tij me origjinë daneze. Ai përfundoi në pranga pasi ndaj tij kishte një urdhër ndërkombëtar arresti.
08/05/2018
Izet Haxhia ekstradohet nga Turqia pas 19 vjetësh
Ish-truproja i Presidentit Berisha u arrestua në vitin 2006 në Turqi, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare. Haxhia u vetëdorëzua tek autoritetet turke pak javë më parë. Ai është dënuar me 25 vite burg si bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit, akuzë të cilën ish-truproja i Sali Berishës nuk e ka pranuar kurrë. Ai kërkoi që të ekstradohet dhe të përballet me akuzat e drejtësisë shqiptare, ndërsa do të mbrohet nga avokati Fran Dashi.
10/05/2018
Arta Marku shkarkon kreun e Prokurorisë për Krimet e Rënda Besim Hajdarmataj
Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku shkarkoi nga detyra kreun e Prokurorisë për Krimet e Rënda Besim Hajdarmataj, për ta zëvendësuar me Donika Prelën, me objektiv zyrtar përmirësimin e punës.
Në një njoftim për shtyp, Marku shkroi: “Kemi besim se ky ndryshim në drejtim do të sjellë si rezultat ndjekje penale më të shpejtë dhe më të efektshme të çështjeve me përparësi të lartë”.
Gjykata e Krimeve të Rënda dha masën e “arrestit shtëpie” për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri i dyshuar për trafik narkotikësh dhe korrupsion të zyrtarëve të lartë. Në fakt, në orën 10:00 të së premtes Prokuroria kërkoi “arrest me burg” për Saimir Tahirin, ndërkohë që gjyqtarja Liljana Baku është e njëjta gjyqtare që më herët ka dhënë vendimin e bllokimit të pasaportës për Saimir Tahirin, një vendim ky që u rrëzua nga apeli, por që aktualisht gjendet për shqyrtim në Gjykatën e Lartë.
14/05/2018
PD-ja publikon përgjimet e vëllait të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj
Partia Demokratike publikoi një përgjim audio, sipas saj, mes vëllait të ministrit të Brendshëm dhe një tjetër personi të quajtur “Bashkëpunëtori X”.
“Janë 3 fakte të rëndësishme sesi Fatmir Xhafaj, në detyrën e Ministrit të Brendshëm shkeli ligjin duke penguar cdo veprim për ekstradimin e të vëllait.
1. Agron Xhafaj nuk e vuan dënimin, nuk bën asnjë ditë burg, sepse Fatmir Xhafaj nuk përmbush përgjegjësitë ligjore të Ministrit të Brendshëm:
• Për të verifikuar dhe identifikuar identitetin e ri të Agron Xhafajt
• Për të njoftuar autoritetet italiane për vendndodhjen e tij në Shqipëri
• Për arrestimin dhe burgosjen e tij.
2. Fatmir Xhafaj nga pozicioni i tij si Kryetar i Komisionit të Ligjeve fallsifikoi dokumentet zyrtare për të pamundësuar me ligj ekstradimin e vëllait të tij Agron Xhafaj.
Fallsikimi pamundësoi edhe vuajtjen e dënimit në Shqipëri dhe Agron Xhafaj, i dënuar me vendim të formës së prerë me 7 vjet e dy muaj për trafik ndërkombëtar droge, nuk bën asnjë ditë burg.
3. Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj nuk zbaton Ligjin Antimafia dhe pengon që ligji të veprojë ndaj tij dhe Agron Xhafajt. Aktiviteti kriminal i trafikut të drogës, që ka kryer vëllai i Ministrit të Brendshëm e bën, automatikisht, subjekt të ligjit vetë Ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj.
11/05 2018
Tahiri në “arrest shtëpie”, Prokuroria kërkon “arrest me burg”
Gjykata e Krimeve të Rënda dha masën e “arrestit shtëpie” për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri i dyshuar për trafik narkotikësh dhe korrupsion të zyrtarëve të lartë. Prokuroria kërkoi “arrest me burg” për Saimir Tahirin, ndërkohë që gjyqtarja Liljana Baku është e njëjta gjyqtare që më herët ka dhënë vendimin e bllokimit të pasaportës për Saimir Tahirin, një vendim ky që u rrëzua nga apeli, por që aktualisht gjendet për shqyrtim në Gjykatën e Lartë.
16/05/2018
Ministri Xhafaj: Nuk jap dorëheqjen, audio-përgjimi është manipulim
Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka deklaruar se nuk do të japë dorëheqjen në lidhje me akuzat e Partisë Demokratike për dënimin e vëllait të tij.
“Lidhur me dorëheqjen, Kryeministri nuk më ka kërkuar asnjëherë dorëheqje. Nuk shoh asnjë shkak, asnjë arsye për dorëheqjen time në këtë rast”.
Gjatë një konference për shtyp nga Ministria e Brendshme, Xhafaj mohoi kategorikisht që të ketë favorizuar vëllain e tij Agron Xhafaj. Ky i fundit është dënuar në mungesë me 7 vite burg me vendim të formës së prerë në Itali për trafik droge.
17/05/2018
Audipergjimi për vëllain e Xhafajt, PD zbulon deshmitarin
PD publikon me zë e figurë video të një interviste të dëshmitarit X i cili në audiopërgjimin e publikuar nga PD, bashkëbisedon me Agron Xhafën për pazare droge.
28/05/2018
Tahiri, pas pasaportës, Apeli i Krimeve të Rënda i kthen lirinë
Të njëjtët gjyqtarë që më 26 dhjetor 2017 vendosën t’i kthejnë pasaportën, duke hequr masën e ndalimit të udhëtimit jashtë Shqipërisë morën vendimin në favor të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Trupës gjykuese të Apelit të Krimeve të Rënda, Saida Dollani (kryesuese), Fehmi Petku (anëtar) Sokal Binaj (anëtar) i janë dashur 30 minuta reflektim për të dalë në konkluzionin se duhej shfuqizuar masa “arrest shtëpie” e dhënë nga Gjykata e krimeve të Rënda, duke i rikthyer kështu lirinë.
31/05/2018
LSI propozon amnisti për pasuritë e politikanëve: Ta nisim nga “Viti Zero”
Nga LSI erdhi propozimi për amnisti për pasuritë e politikanëve, nën etiketën “Viti Zero”. “Duhet të fillojë një vit zero, sepse edhe vetë fshehjet nganjëherë të këtyre mund të krijojnë kolaps ekonomik, sepse ka shumë informalitet . Po unë them që duhet të fillojë nga një pikë zero. Ne duhet të ndërtojmë një sistem, jo një lëvizje për të goditur kundërshtarin në emër të pastërtisë”, deklaroi LSI.
08/06/2018
Dëshmitari i ri: Në përgjim, unë aktrova rolin e Agron Xhafajt
Në prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe më konkretisht tek anëtarët e grupit hetimor që po heton çështjen e audio-përgjimit “Babalja-Xhafaj”, është vetëofruar një person i cili ka deklaruar para hetuesve se ai ishte personi që kishte aktruar në këtë përgjim të regjistruar nga Babalja, apo i etiketuar nga vetë PD si dëshmitari X.
09/06/2018
“Le Monde”: Europa, kampe refugjatësh në Shqipëri për negociatat
“Austria dhe Danimarka duan të hapin kampe të të dëbuarve në dyert e BE-së”. Me këtë titull, prestigjiozja franceze “Le Monde” shkruan se Danimarka dhe Austria, por dhe vende të tjera, po kristalizojnë idenë e tyre për ngritjen e kampeve për ata që kërkojnë azil në vendet e BE-së dhe atyre që u refuzohet kjo kërkesë.
Si vende të mundshme, ideatorët shohin Shqipërinë dhe Kosovën, si vende që kërkojnë të anëtarësohen në BE.
19/06/2018
PD shpërthen në akte dhune kundër kryebashkiakut, Veliaj
Debate të tejzgjatura pati në Komisionin Parlamentar të Medias për praninë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës Veliaj. Ato kulmuan me thirrjene e kryetares se Komisionit Albana Vokshi për ndërhyrj të gardës. Situata është tensionuar edhe më tej kur deputetët demokratë kanë tentuar të nxjerrin me dhunë nga mbledhja kryebashkiakun Veliaj. Pas disa minutash sherri dhe fyerjesh, zoti Veliaj ka zgjedhur të largohet vetë nga mbledhja.
25/06/2018
Kapen në Durrës 3,5 milionë euro të fshehura në dy makina Toyota Yaris
Policia shqiptare në bashkëpunim me Interpolin italian gjeten rreth 3,5 milionë euro të fshehura në dy mjete tip ‘Toyota Yaris’ të transportuar me tragetin Bari – Durrës përmes një kompanie shqiptare të transporti. Mjetet vinin nga Belgjika dhe kaluan tranzit në Itali. Operacioni i Policisë shqiptare erdhi pas njoftimit të Interpol Roma.
26/06/2018
BE hap negociatat me Shqipërinë në 2019
Ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian vendosën në Luksemburg për hapjen e negociatave me Shqipërinë në vitin 2019.
10/07/2018
Opozita bojkoton parlamentin, frikë nga rrjedhja e votive
Me 10 korrik nis bojkoti nga opozita I parlamentit. Shkak frika nga rrjedhja e votive për votimin e ligjit të magjistratëve.
11/ 07/2018
Departamenti Amerikan i Drejtësisë nis hetimin për lobimin 150 mijë $ të PD
Lobimi i Partisë Demokratike një vit më parë, në SHBA përmes kompanisë “Muzin Capitol Partners”, po hetohet nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, përgjegjës për kompanitë e lobimit.
Departamenti ka kërkuar nga Nick Muzin, kreu kompanisë lobuese Muzin Capitol Partners të japë shpjegime përse e deklaroi me vonesë kontratën e lidhur me PD më 22 Mars 2017 po u dorëzua më 14 Nëntor 2017 pra 8 muaj me vonesë
15/07/2018
Shkodër, vriten ish-polici dhe bashkëjetuesja, shpëton foshnja 1 vjeç e gjysmë
Një krim i dyfishtë tronditi qytetin e Shkodrës. Një ish-punonjës policie dhe bashkëjetuesja e tij janë vrarë me armë zjarri brenda në automjetin e tyre, në sy të fëmijës një vjeç e gjysmë.
17/07/2018
Presidenti amerikan Trump, përgëzon kryeministrin Rama në Samitin e NATO-s
Presidenti Amerikan Donald Trump ka përshendetuar në darkën e Samitit, pikërisht kryeministrin shqiptar Edi Rama. Ministrja Xhaçka shkruan në ligjeratë të drejtë se ”Në seancën e sotme plenare të Samitit të NATO, Presidenti Trump përshëndeti posaçërisht Kryeministrin e Shqipërisë për fjalën e tij në darkën e mbrëmshme të liderëve të Aleancës”.
27/07/2018
Presidenti Meta kthen në Kuvend ligjin për Teatrin
Presidenti i Republikës, Ilir Meta kthen për rishqyrtim në Kuvend ligjin e ri për Teatrin.
Ky ligj u miratua pak kohë më parë vetëm me votat e mazhorancës, ndërsa opozita dhe një grup artistësh janë shprehur kundër.
Sipas Metës ky ligj nuk është në harmoni me parimet themelore kushtetuese të identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kombëtare mbi të cilat qytetarët e Republikës së Shqipërisë kanë vendosur të ngrenë dhe zhvillojnë shtetin e tyre.
06/08/2018
Kuçova baza e parë ajrore e NATO-s në Ballkanin Perëndimor
Mediat më prestigjoze amerikane, “ëashington Post”, “ABC Neës” dhe “Associated Press” i kanë bërë jehonë investimit prej 50 milionë eurosh që NATO-ja ka vendosur të bëjë në bazën ajrore ushtarake të Kuçovës, në Shqipëri dhe synimit të qeverisë për të vazhduar më tej me modernizimin e arsenalit mbrojtës të vendit.
10/08/2018
Masakër në Selenicë pas sherrit për pulat, i riu vret 8 kushërinj, shuan një familje
Masakër me armë zjarri në fshatin Resulaj të Selenicës në Vlorë pas sherrit për pulat mes dy familjeve të të njëjtit fis dhe kushërinj me njëri-tjetrin. Tetë persona, anëtarë të një familje, janë qëlluar për vdekje duke regjistruar kështu ngjarjen më të rëndë kriminale në vendin tonë. Dy nga viktimat janë fëmijë të moshës 15 dhe 8-vjeç si dhe tre gra. Autori i kësaj ngjarje është një 24-vjeçar i identifikuar si Ridvan Zykaj.Viktimat ishin Demir Zykaj, Besim Zykaj, Azem Zykaj, Perri Zykaj, Vasilika Zykaj, Afërdita Zykaj, Sara Zykaj (15 vjeçe) dhe Ledion Zykaj (8 vjeç).
05/09/2018
Panucci padit në gjykatë ish-Presidentin Bujar Nishani
Trajneri i Kombëtares së futbollit Christian Panucci, ka paditur në gjykatë ish-Presidentin e Republikës Bujar Nishani.
Padia është dorëzuar në dhomën civile të Gjykatës së Tiranës, ku Panucci kërkon të dëmshpërblehet nga ish-Presidenti Nishani me një vlerë prej 100 mijë eurosh.
Ky dëmshpërblim kërkohet, pasi ish-presidenti Bujar Nishani pas ndeshjes miqësore të futbollit mes Shqipërisë dhe Kosovës, ku Shqipëria u mund 3-0, është shprehur për trajnerin e kombëtares, Panucci është një “sharlatan që shkatërron edhe atë që ishte ngritur”.
12/09/2018
FNSH e RENEA rrethon Niklën në Krujë, bastisen vilat e të ‘fortëve’, 11 të shoqëruar
Nikla e ‘tritolit’ është gjunjëzuar falë një operacioni të mirëorganizuar të forcave speciale, FNSH-së dhe RENEA-s, të cilat kanë shoqëruar 11 persona, gjashtë prej të cilëve emra të njohura për policinë si pjesëmarrës në disa ngjarje kriminale, që nga gjobevënia, vjedhjet e atentatet me tritol.
20/09/2018
Transferohen në rrethe 10 prokurorët dezertorë të dosjes “Shullazi”
Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku ka urdhëruar transferimin e përkohëshëm në rrethe të prokurorëve të cilët refuzuan hedhjen e shortit për dosjen e Shullazit. Bëhet fjalë për prokurorët: Olsian Çela, i cili do të transferohet në Prokurorinë e Beratit, Sonila Muhametaj, e cila do të transferohet në Prokurorinë e Pukës dhe Besim Hajdarmatajn, i cili do të transferohet në Prokurorinë e Pogradecit. Ndërsa për Përparim Kullurin, Behar Dibrën, Arenc Çelën, Edvin Kondilin, Pranvera Pustinën, Eugen Beçin dhe Blerim Tominajn, Marku ka kërkuar hetim disiplinor.
22/09/2018
“Forca e Ligjit”, shkatërrohet grupi “Bajri”, 11 në pranga e 2 në kërkim
Të konsideruar deri pak kohë më parë si të paprekshëm, disa nga anëtarët e fisit Bajri të ashtuquajtur si të fortët e “Shkodrës”, kanë rënë një e nga një në prangat e policisë. 11 persona arrestuan dhe dy të tjerë u shpallën në kërkim në një aksion policor të shtrirë në Tiranë, Shkodër, dhe në Roterdam të Holandë. Këto janë pamjet e arrestimit të pjesëtarëve të gupit “Bajri” në kuadër të operaciont Forca e Ligjit të koduar ‘Oaz’.
24/09/2018
Kompensimi i pronave, KiE i jep “ok” Shqipërisë
Komiteti i Ministrave të Evropës vendosi të miratojë rezolutën për mbylljen e procesit të mbikqyrjes të masave të përgjithshme për grupin e çështjeve që lidhen me kompensimin e pronave, duke përfshirë këtu dhe planin e masave të vendimit.
Në Rezolutë theksohet se Shqipëria ka arritur rezultatet konkrete të angazhimit politik të nivelit më të lartë për të siguruar funksionimin e këtij mekanizmi.
30/09/2018
Dhunimi i Xhiseila Malokut, arrestohet djali i deputetit të PS
Gjykata e Krujës vendoi masën e sigurisë “arrest me burg” për Rexhep Rajën, djali i deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Raja. I riu akuzohet se ka dhunuar 25 vjeçaren Xhisiela Maloku, duke i djegur cigare në trup si dhe duke e goditur me qytën e pistoletës.
Mjekësia ligjore ka dorëzuar të enjten më 27 shtator në Prokurorinë e Krujës aktin e ekspertimit të Xhisiela Malokut duke vlerësuar se ajo ka dëmtime fizike të cilat klasifikohen si rrahje dhe për të cilat ligjërisht, jepet raport deri në 9 ditë. Më konkretisht, e reja ka gërvishtje në shpatullën dhe në kofshën e djathtë, disa prej të cilave të shkaktuara edhe me mjete prerëse.
Ekspertimi është dorëzuar në organin e akuzës në Krujë për tu administruar në dosjen e procedimit penal të nisur ndaj shtetasit Rexhep Rraja, për akuzën e përndjekjes.
05/10/2018
Tiranë, përplasje me armë në “Bllok”, një i vrarë, dy të plagosur
Një person humbi jetën dhe dy të tjerë mbetën të plagosur gjatë një përplasje me armë që ndodhi brenda ambienteve të një lokali në rrugën “Ibrahim Rugova”, në zonën e Bllokut në Tiranë.
Si pasojë e plumbave humbi jetën Fabiol Gaxha, ndërsa të plagosur kanë mbetur 36 vjeçari Ervis Martinaj dhe Eljon Hato, 28 vjeç, banues në Shkodër.
Një ditë pas vrasjes (më 5 tetor) policia deklaroi se ishin shpallur në kërkim tre persona, mes tyre dhe efektivi i Forcave Komando, Merviol Bilo, 41 vjeç. Në kërkim janë shpallur dhe Ervin Mata, 31 vjeç, Fabjol Alushi, 42 vjeç.
06/10/2018
“Babalja”/ Prokuroria kërkon arrestimin e Albert Veliut dhe kunatit
Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi “arrest me burg” për Albert Veliun, i cili denoncoi publikisht se vëllai i Fatmir Xhafajt ishte i përfshirë në trafik droge.
Veliu, i njohur si “Babalja”, akuzohet për kalim të paligjshëm të kufirit dhe kallëzim të rremë në bashkëpunim. E njëjta akuzë, kallëzim i rremë në bashkëpunim, rëndon mbi kunatin e Veliut, i cili quhet Fredi Alizoti. Ky i fundit dyshohet të jetë personi që në disa raste dublon në videopërgjim Agron Xhafajn.
09/10/2018
Babalja’, deputeti I PD Salianji nën hetim
Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji është marrë në pyetje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda lidhur me audio përgjimin në të cilën pretendohet se shfaqet vëllai i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj në pazare droge. Ndryshe nga herët e tjera, deputeti demokrat Ervin Salianji mbërriti në prokurorinë e Krimeve të Rënda nën shoqërinë e një avokati.
12/10/2018
Paketa anti-shpifje, Rama: Do paguajnë gjoba, s’meritojnë as 1 supë burgu
Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka bërë me dije se ndëshkimi për “shpifësit” politik nuk do të dënohen me burg, por me gjobë.
17/10/2018
Me kokainë dhe armë/ Arrestohet Stresi
Reperi i njohur Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi është arrestuar në një hotel në zonën e Linzës.
Arrestimi i reperit 31-vjeçar vjen pas një hetimi disa mujor me metoda speciale ndaj një grupi kriminal që operonte në kryeqytet, pjesë e të cilës dyshohet se është edhe Stresi.
20/10/2018
Zbulohet laboratori i heroinës në Has, mbi 100 kg heroinë, 5 veta në pranga
Një operacion anti-drogë është zhvilluar gjatë ditës së djeshme në Has, ku është gjetur një laborator i përpunimit të lëndëve narkotike, heroinës dhe kokainës. Në laborator dyshohet se është sekuestruar një sasi prej 100 kilogramë heroine, 5 veta në pranga
21/ 10/2018
Goditet “Grupi i Shijakut”, arrestohen dhe dy ish-deputetët socialistë
Grupi i Shijakut” mbahej prej disa muajsh nën hetim nga policia, dhe sipas përgjimeve ishte prezent në trafikun e heroinës nga Shqipëria drejt Gjermanisë. Në pranga kanë përfunduar anëtarët e “Familjes Avdyli”: vëllezërit Astrit, Flamur dhe Shkëlqim Avdylin, si dhe kushëriri i parë i tyre Jasim Avdyli, i dënuar më parë në Itali për vrasjen e një marshalli të policisë italiane së bashku me H. Hoxhën, i dënuar në Turqi për trafik heroine. Bashkë me ta mësohet të jenë arrestuar dhe mbi 20 persona të tjerë. Vëllezërit Avdyli dyshohen për një sërë veprash penale, nga vrasje në prostitucion, trafik droge dhe krime të tjera. Ata zotërojnë një numër të madh aktivitetesh biznesi, mes të cilave dhe një hotel luksoz në Plazhin e Durrësit. Në rrjetën e përgjimeve ranë dy ish-deputetët socialistë. Arben Çuko dhe Arben Ndoka u zbuluan nga përgjimet për grupin kriminal Avdulaj. Nga përgjimi ka rezultuar se Arben Ndoka kishte mik një nga anëtarët e grupit të Avdulajve. Po kështu Çuko është dëgjuar teksa i kërkohej transferimi i të burgosurve.
25/10/2018
Miratohet ligji: Më 1 Janar 2019 mbyllen lojërat e fatit
Kuvendi miratoi Ligjin për Lojërat e Fatit duke i hapur rrugë mbylljes së të gjitha pikave të basteve, lojërave elektronike, si dhe të kazinove në qendrat e banuara, duke filluar nga data 1 Janar 2019.
27/10/2018
Dorëhiqet ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj
Fatmir Xhafaj jep dorëheqjen nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme. Lajmin e konfirmoi kryeministri Edi Rama, i cili ka emëruar gjeneralin Sandër Lleshi në krye të ministrisë. Ky i fundit mbante postin e këshilltarit për sigurinë kombëtare.
28.10/2018
RENEA vret ekstremistin grek, qëlloi me armë policinë dhe terrorizoi Bularatin në festën e fshatit
Kostandinos Kaçifa, 35-vjeçari i cili qëlloi mbi policinë në fshatin Bularat, ka humbur jetën pas shkëmbimit të zjarrit për më shumë se një orë me forcat RENEA, në pjesën e sipërme të fshatit. Ai kishte paralajmëruar diçka në rrjetet sociale. Kaçifa njihej si nacionalist në zonë, por nuk jetonte në fshat.
1/11/2018
Tahiri: “Jam i pafajshëm në Itali”
Saimir Tahiri ka paraqiti nje dokument, ku gjykata e Katanias ka mbyllur dosjen e hetimit për lidhjen e tij me Habilajt, duke mos gjetur prova për të. Tahiri ka treguar se ata kanë hetuar edhe dyqanet e bizhuve, edhe butikët e veshjeve, edhe telefonat e shitësve dhe nuk kanë gjetur prova që e fajësojnë atë.
3/ 11/2018
Presidenti Meta nuk dekreton Sandër Lleshin
Presidenti Ilir Meta nuk pranoi të dekretojë Sandër Lleshin për ministër të Brendshëm në qeverinë e Ramës. Zëdhënësi njoftoi përmes një mesazhi të shkurtër se “Presidenti Ilir Meta nuk ka krijuar bindjen e plotë për t’i dhënë besimin kandidaturës së Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm”.
5/11/2018
Lleshi emërohet zv/ministër, Rama: Do të drejtojë Ministrinë e Brendshme
Sandër Lleshi do të marrë drejtimin e ministrisë së Brendshme, pavarësisht mosbindjes së Ilir Metës. Kryeministri Edi Rama vendosi ta emërojë gjeneralin si zv/ministër, duke i deleguar drejtimin e dikasterit të punëve të Brendshme.
6/11/2018
Durrës, vritet i forti i Vlorës, mik i Shullazit
Mbetet i vdekur pas një atentati me armë 39-vjeçari nga Vlora, Edison Harizaj. Ngjarja ndodhi në orët e mbrëmjes në Durrës. Edison Harizaj i njohur si “krahu i djathtë” i Emiljano Shullazit. Në atentatin ndaj tij mbeti i plagosur edhe shoku Genci Caci. Autorët qëlluan me breshëri mjetin tip Audi me targa AA857 ku mendohet se Edison Arizaj ishte pasagjer, ndërsa makina drejtohej nga Genci Caci.
9/11/2018
Skandali në Bularat, 52 grekë non grata
Prokuroria e Gjirokastrës ka nisur hetimet për ngjarjen e djeshme në Bularat, ku ekstremistë grekë bënin thirrje antishqiptare gjatë ceremonisë së varrimit të Kostandin Kacifas. Po ashtu mësohet se 52 persona janë shpallur non grata në Shqipëri.
09/11/2018
Banorët e Unazës së Re protestë për shtëpitë
Banorët e zonës së “Astirit” në Tiranë kanë dalë në protestë duke bllokuar rrugën për rreth një orë. Ata kanë deklaruar se nuk do lejojnë prishjen e banesave deri në marrjen e dëmshpërblimit.
13/11/2018.
Jepet vendimi për bandën e Shullazit
14 vite burg për Emiljano Shullazin. Ky ka qenë vendimi i sotëm që dha Gjykata e Krimeve të Rënda. Po ashtu togat e zeza dhanë vendimin edhe për pjesëtarët e bandës së tij. Kështu mbështetësi i tij kryesor Gilmando Dani u dënua me 12 vite burg, Endri Qyqa me 10 si dhe Blerim Shullazi me 9 vite.
Emiliano Shullazi 14 vjet
Gilmando Dani 12 vjet burg
Endri Qyqa 10 vjet burg
Endri Zela 10 vjet burg për
Blerim Shullazi 9 vjet burg
15/11/2018
Gruevski arratiset përmes Shqipërisë me makinë diplomatike
Policia e Shtetit nisi verifikimet në dy pikat kufitare ku raportohet se ka hyrë ish kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski, dhe më pas ka dalë për t’u arratisur drejt Hungarisë. Gruevski mendohet se ka dalë me makinën me targa diplomatike të Ambasadës Hungareze
16/11/2018
Presidenti Meta dekreton Lleshajn Ministër të Brendshëm
Presidenti Ilir Meta dekreton Sandër Lleshajn si ministër të Brendshëm. Po ne të njëjtën ditë Meta ka dekretuar lirimin e Sandër Lleshit nga grada Gjeneral me kërkesë të tij.
22/11/2018
Degradon protesta e banorëve të Unazës së Re, 15 policë të plagosur, 25 protestues të shoqëruar
Protesta e banorëve të “Unazës së Re” përpara Parlamentit, ka degjeneruar në dhunë. Zv/ drejtori i Rendit, Dhimitraq Ziu, 14 efektivë policie dhe 3 qytetarë janë plagosur, për pasojë të përplasjeve të vazhdueshme të banorëve të ‘Unazës së Re’ me efektivët e Policisë. Në protestë, e cila zgjati mbi dy orë, morën pjesë rreth 300 persona, midis të cilëve ishin edhe deputetë të Partisë Demokratike e ish-trupoja e ish kryeministrit Sali Berisha, Sali Lushaj. Për pjesëmarrje dhe nxitje të protestës së agravuar përpara Kuvendit, janë arrestuar 25 protestues.
22/11/2018
Protesta e dhunshme, plagoset policja Ina Nuka
Një efektive policie mbeti e plagosur rëndë sot gjatë protestës së dhunshme me mbeshtetje te opozites nga banorëve të Unazës së Re kundër prishjes së banesave të tyre. Ajo është Ina Nuka, 24 vjeçe, efektive e forcave Shqiponja, e cila ishte tek parlamenti bashkë me kolegët e saj për të ruajtur rendin.
5/12/2018
Tarifat/Studentët ne proteste bllokojnë rrugën, hedhin vezë në drejtim të MAS
Studentët e universiteteve publike në Tiranë kanë protestuar në shenjë kundërshtie për tarifën e studimit. Të parët që e iniciuan këtë tubim, studentët e Arkitekturës dhe Urbanistikës pasi u mblodhën para fakultetit, ata vijuan marshimin drejt Ministrisë së Arsimit, ku bllokuan rrugën e Durrësit.
6/12/2018
Protesta e studentëve, qeveria tërhiqet nga tarifimi i provimeve të mbartura
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, pas protestës së studentëve ka dalë në një konferencë për mediat, ku ka sqaruar vendimin që është marrë nga qeveria. Nikolla shtoi se tarifat i vendos vetë universiteti dhe jo ministria, duke theksuar edhe një herë deklaratat e bëra më herët. Në deklaratën e ministres thuhet se, “Që sot qeveria do të shfuqizojë vendimin që lidhet me tarifat, nuk do të ketë kosto shtesë për studentët mbetës. Do hiqet neni 4 i VKM-së dhe nuk do ketë tarifë për provimet e studentëve mbetës”.
7/12/2018
Rama i shtrin dorën studentëve: Bujrum, ju pres në zyrë
Kryeministri Edi Rama iu ka shtrirë dorën për dialog studentëve të të gjitha universiteteve të Shqipërisë që protestojnë prej dy ditësh në një lëvizje të madhe, më e madhja që pas viteve ’90.
Në një komunikim në “Facebook”, Rama ka kërkuar të takojë një përfaqësi studentësh që zgjidhet nga vetë studentët për t’i dëgjuar për kërkesat e tyre. Shefi i ekzekutivit, nuk e ka fshehur dëshirën që sot të ishte student dhe jo kryeministër.
11/12/2019
Unaza/Gjiknuri: SHBA konfirmoi falsifikimin, zgjidhëm kontratën
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri ka deklaruar se kompania fitues në një nga lotet e projektit të “Unazës së Re” ka falsifikuar dokumentet dhe kjo është dokumentuar edhe nga autoritetet amerikane. Bëhet fjalë për kompaninë DH Albania, e cila sipas tij ka falsifikuar dokumentet jashtë territorit të Shqipërisë.
13/12/2018
Studentët protestojnë para kryeministrisë
Studentët protestuan përpara kryeministrisë. Fillimisht protesta u zhvillua përpara parlamentit, ku Kuvendi ishte mbledhur për seancën e zakonshme plenare.
Studentët kishin më shumë se një javë që protestojnë për plotësimin e kërkesave të tyre. Ata refuzuan të kenë një përfaqësi pasi sipas tyre çdo grup i vogël është i manipulueshëm. Të rinj të vendosur përpara kryeministrisë u shprehën se protesta do vazhdojë deri në momentin që do plotësohen kërkesat pasi bëhet fjalë për të drejtat e tyre.
13/12/2018
Studentët, Meta kthen në Kuvend ligjin për buxhetin
Teksa studentët e universiteteve publike në vend protestonin para Kuvendit, vjen një reagim nga presidenti Ilir Meta. Duke marrë shkasë edhe nga kërkesat e studentëve, kreu i shtetit ka kthyer ligjin për buxhetin e 2019 serish në Kuvend. Kryeministri Rama e komentoi këtë në vazhdën e përpjekjeve për të bllokuar dialogun mes qeverisë dhe studentëve.
17/12/2018
Mazhoranca do të rrëzojë dekretin e Metës për buxhetin
Në mbledhjen e grupit parlamentar socialistët vendosën ta rrëzojnë dekretin e Presidentit për rishqyrtimin e ligjit të buxhetit. Në një dalje për mediat, kryetari i grupit Taulant Balla u shpreh se ky ishte një vendim i paarsyeshëm.
19/12/2018
Tirana dëbon ambasadorin e Iranit, SHBA: Tentoi sulme terroriste në Shqipëri, mbështesim Ramën
Shqipëria ka dëbuar ambasadorin e Iranit në vendin tonë, Gholamhossein Mohammadnia, për cenim të sigurisë kombëtare. Gjithashtu mësohet se është dëbuar dhe shpallur “non grata” edhe një diplomat tjetër i ambasadës iraniane emri i të cilit ende nuk bëhet i ditur. I pari që reagoi ishte John Bolton, këshilltari për sigurinë i presidentit amerikan Donald Trump. Në një postim në Tëitter, Bolton thekson se SHBA mbështet këtë vendim, ndërsa shton se Uashingtoni qëndron përkrah kryeministrit Edi Rama dhe popullit shqiptar të cilët morën një vendim të rëndësishëm kundër veprimeve të papërgjegjshme të Iranit në Europë dhe më gjerë në botë.
Ndërsa deklaratë e fortë ishte ajo e Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo i cili duke përgëzuar vendimin e kryeministrit Edi Rama, deklaron se diplomatët iranianë tentuan sulme terroriste në Shqipëri. Sipas tij, në të gjithë Europën janë parandaluar tre sulme terroriste pas të cilave fshihet regjimi i Iranit.
20/12/2018
Shqipëria dëboi ambasadorin iranian, reagon Teherani
Dëbimi i ambasadorit të Iranit në Tiranë, Gholamhossein Mohammadnia ka sjellë reagimin zyrtar të Teheranit. Deri më tani ka vetëm një deklaratë të zëdhënësit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, Bahram Ghasemi. Në emër të qeverisë së Teheranit, ai fajëson Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit për dëbimin e dy diplomatëve iranianë nga Shqipëria. Ata dhe vende të tjera, sipas Teheranit zyrtar, kanë punuar për të dëmtuar marrëdhëniet e Iranit me vendet europiane.
20/12/2018
Dëbimi i iranianëve, Trump letër Ramës
Presidenti amerikan Donald Trump i ka dërguar një letër kryeministrit Edi Rama pas dëbimit të ambasadorit iranian në Tiranë dhe një diplomati tjetër. Letra është bërë publike nga Amabsada Amerikane në Tiranë.
“E përgëzojmë Qeverinë e Shqipërisë për arsye se ndërmori veprime kundër regjimit Iranian për komplotin e tij terrorist në tokën shqiptare, duke kërcënuar sigurinë evropiane. Qeveria e Shqipërisë ka treguar udhëheqësi të vërtetë në përpjekjet tona të përbashkëta për t’i dërguar një mesazh të qartë Iranit se kryerja e veprimeve terroriste në Evropë, apo kudo tjetër, është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet. Ne qëndrojmë krah për krah me Shqipërinë, aleatin tonë në NATO dhe partnerin tonë strategjik”, lexohet në statusin e Ambasadës Amerikane./Javanews/