Nga Çapajev Gjokutaj
Dje pasdite, duke kaluar telekomandën nga një tv tek tjetri, hasa Luis Ejllin që po jepte një intervistë. Sa kohë isha në lojë, nuk mujsha me përfytyru popullaritetin që kisha fitu, thoshte. Ndihem fajtor, shtonte, se tash u bishtnoj shumë njerzve qi dun me m’ndal e me bisedu; jo se s’më pëlqen, po se në çast njerzit rreth meje shtohen, bahen grumbull e s’i përball dot të tanë.
Ky rrëfim që në gojën e ndonjë tjetri do më ngjante mburrje, i thënë nga Ejlli m’u duk më se real, mbase ngaqë u bashkëshoqërua me një mbresë. Mëngjesin e 7 majit, ndërkohë që po vozisja për të shkuar në qendrën ‘Toptani’, më bëri pershtypje se gjatë gjithë rrugës kishte pak, fare pak makina e kalimtarë.
Edhe kafja, zakonisht e populluar në çdo orë të ditës, ishte bosh, “xhan xhin! të merr të qarët”, thoshte ai personazhi i Kadaresë. Pyetjes time se ç’kishte bërë vaki, kamarjeri iu përgjigj përgjumshëm: Big Brotheri, ka fjetur ndaj të gdhirë mileti.
Prej Big Brother Vip kisha parë vetëm 2 – 3 përmbledhje javore, edhe ato pjesërisht, thjesht për të kuptuar sadokudo pse kishte ngjallur aq shumë interes. E tepërt të them se nuk kisha kuptuar ndonjë gjë të madhe, veç atyre që kisha mësuar vite të shkuara kur, gjatë përgatitjes së një leksioni për spektaklin real (reality show), m’u desh të lexoja disa nga studimet më të cituara mbi këtë zhanër. Gjithsesi nuk ma rrokte mendja se interesi për një Big Brother do ishte aq i madh saqë, në natën finale, t’i linte njerëzit masivisht pa gjumë dhe në mëngjesin pasardhës rrugët të ishin po aq të shkreta, sa pas natës së vitit të ri, festës më të gjithfestuar të shqiptarëve.
2.
Nxitur edhe nga kafja, mëndja nisi të kërkonte shkaqet e kesaj dukurie. Në arsyetim e sipër hasa një paradoks. Big Brother bazohet në dukurinë e përgjimit të lojtarëve 24 orë në 24. Të gjithë e pëlqejnë lirinë e privatësinë dhe janë kundër përgjimit, meditoja, po ne si popull kemi edhe disa arsye plus. Njerëzve në mesmoshë e më lart u kujton spiunllëqet e periudhës totalitare, kurse më të rinjve u kujton se shoqëria e sotme ka akoma gjurmë të mentalitetit patriarkal që priret të legjitimojë nderhyrjen dhe kontrollin e prindit, familjes, fisit, mëhallës në jetën e të riut.
Rrjedhimisht, pergjimi u ka ardhur në majë të hundës gjithë grupmoshave që ndjekin këtë reality show. Si shpjegohet atëhere që e pëlqejnë dhe e ndjekin kaq shumë?
Studjuesit thonë se dukurinë e survejimit e përjetojnë, madje edhe e vuajnë, lojtarët e Big Brother, ata që janë mbyllur e izoluar brenda shtëpisë, kurse spektatorët nuk para e përjetojnë, shumë shumë mendojnë ndonjëherë për të, por kjo mbetet qasje sporadike dhe pothuajse gjithnjë në rrafshin racional.
Përjetimi i Big Brother prej spektatorëve ndërmjetësohet nga elementë të tjerë, që veprojnë në çdo spektakël si: argëtimi, nevoja e ikjes, kurioziteti për privacinë e tjetrit, lidhjet komunitare etj.
Është e vërtetë se në ditët tona njeriu nuk vuan shumë nga mungesa e burimeve që i ofrojnë argëtim. Kultura pop që mbizotëron kanalet e shumta televizive, moria e videove që shperndahen në rrjetet sociale etj. ofrojnë bollëk argëtimi, një bollëk që krijon ndjesinë e veljes.
Megjithatë Big Brother ofron një lloj thuajse unik argëtimi: kombinon elementë të dramës, konkurencës dhe rengut në një spektakël ku personazhet edhe jetojnë edhe luajnë, edhe janë të sinqertë edhe shtiren, edhe të llogaritur edhe spontanë. Kjo përzierje të kundërtash patjetër që josh për vemendje e pëlqim.
Nevoja e ikjes apo arratisjes, dëshira për të harruar qoftë edhe përkohësisht hallet dhe veten, janë prirje të forta në ditët tona mbushur me kriza, inflacion e pasiguri. Big Brother e realizon mirë këtë kërkesë, por akoma më mirë realizon ngasjen për të parë në privatësinë e tjetrit, për më tepër kur tjetri është personazh i njohur a relativisht i njohur, VIP apo i ashtuquajtur VIP.
Veç faktorëve si këta që burojnë së brendshmi, dmth nga spektakli, Big Brother bëhet i shumëndjekur edhe nga një faktor i jashtëm, që shfaqet jashtë shtëpisë dhe përtej konkurentëve: synon dhe shpesh ia del të krijojë ndjesinë e komunitetit midis shikuesve që ndjekin shfaqjen.
Forumet në internet, diskutimet e mediave sociale, komunitetet e fansave, bisedat e përditshme dhe të përsëritura në kafene, zyrë e gjetkë i lejojnë individët të lidhen, të ndajnë opinione e vlerësime dhe të përjetojnë kështu ndjesinë e afrimit dhe të komunitetit.
Dëshira për lidhje afrie e komunitare bëhet e pëlqyer deri në ngashënjim në shoqëri si kjo jona që, përditë e më shumë merr trajta individualiste, ku shumëkush ndihet i vetmuar ngaqë janë zbehur komunitetet tradicionale si ato mbi bazë krahinash, përkatësie fisnore, qendre pune, tifoje politike etj.
3.
Duke i pranuar të gjitha këto si të vërteta, nuk mund të harrosh a, larg qoftë, të fshehësh kritikat e shumta që i janë bërë e vazhdojnë t’i bëhen Big Brother-it si zhanër dhe si praktikë.
Nisin këto nga zbehja e autenticitetit të ndodhive si pasoje e përzgjedhjes dhe redaktimit, vazhdojnë me shfrytëzimin dhe manipulimin e pjesëmarrësve dhe pëfundojnë me kritika të rrafshit etik që lidhen kryesisht me ndikimin për keq tek shikuesit.
Problemi është se një pjesë e konsiderueshme e gjërave që kritikohen nuk janë thjesht defekte e të meta të Big Brother, por gjallojnë edhe në zhanre të tjera, madje gjenden me shumicë edhe në jetën e perditshme.
Për të dēshmuar sadokudo këtë pohim, mjafton të përqëndrohesh vetëm në dy nga kritikat më të rënda që i bëhen Big Brother për ndikimin në shoqëri.
Është në natyrën e çdo spektakli, pra edhe në natyrën e Big Brother, të kërkojnë me përparësi dramën dhe sesasionin. Rrjedhimish si nga drejtuesët e spektaklit ashtu edhe nga spektatorët përzgjidhen për të vazhduar garën personazhet që janë më të aftë të krijojnë a të përballojnë konflikte, të thurin intriga dhe të punojnë a të zbulojnë rrengje.
Krijohet kështu një sterotip që përcjell idenë se, për të qenë i pëlqyer e i famshëm, duhet të jesh konfliktual, intrigant e manipulues.
Kjo nga ana e vet rrit mundësinë që kultura e konfliktit dhe e intrigave, të shtrihet përtej ekranit dhe të ndikojë dinamikat sociale në jetën e përditshme. Spektatorët që i konsumojnë shfaqjet e Big Brother rregullisht mund të krijojnë iluzionin se konflikti dhe drama janë komponentë thelbësorë të marrëdhënieve njerëzore.
Kjo mund të çojë në imitimin e sjelljeve të kësaj natyre në jetën e perditshme, duke acaruar marrëdhëniet personale dhe duke kontribuar në një shoqëri që i jep përparësi sensacionit dhe grindjeve mbi bashkëpunimin dhe mirëkuptimin.
Është e vërtetë që Big Brother mund të ndikojë në përhapjen e konfliktualitetit dhe intrigave, por këtë e bëjnë më shpesh dhe më me rezultat zhanre të tjera duke nisur nga lajmi televiziv.
Po të ndjekësh raportimet që mbulojnë punën e parlamentit psh merr vesh me përparësi sharjet dhe kercënimet mes palëve dhe jo dobinë apo dëmin e ligjeve që diskutohen. Dashje pa dashje te shikuesi i painformuar krijohet pershtypja se, që të jesh i suksesshëm dhe të të vënë në krye të vendit, bën mirë t’i nxjerrësh dhëmbët tjetrit e t’i heqësh gurin e fundit marrdhënies.
Garuesit e Big Brother harxhojnë muaj të tërë në pergjim dhe izolim, muaj të tërë të kaluar kryesisht në muhabete, thuajse pa asnjē aktivitet krijues dhe doemos edhe pa punë e produkt.
Kjo mund të krijojë perceptimin se fama dhe vlerësimi mund të arrihen lehtë, pa punë e përpjekje, pa talent të spikatur e impenjim të perditshëm, mjaftojnë strategjitë e shoqërimit, thashethemet, manipulimet etj.
Në fakt mbitheksimi i aspektit argëtues nuk është tipar ekskluziv i Big Brother, haset në një shumicë zhanresh të televizionit dhe të rjetit. Gjer në një farë mase kjo prirje është e kuptueshme, përcaktohet nga tregu, nga prirjet e një shumice shikuesish, nga nevojat e redaksive për masivitet pëlqimesh etj.
Dukuria bëhet tejet problemore kur tiparet e zhanreve argëtuese u vishen me përdhunë zhanreve të përmbajtjes, si debati, intervista, biseda etj. Është turp e faqe e zezë që një pjesë e kosiderueshme e talk show-ve të mbrëmjes janë mbushur me figura qesharake që nuk informojnë por keqinformojnë duke trafikuar pa doganë bëzhdile nga koshi i teorive të komplotit.
Në talk show të tjerë, më seriozë, për hir të ritmit e të audiencës lejohen dhe, ndonjëherë edhe stimulohen zënkat e sharjet si të kishim të bënim me alabakë të mëhallës dhe jo me njerëz të ditur e tē urtë, që perzgjidhen për të ndriçuar spektatorët.
Akuza se Big Brother dekurajon punën e talentin dhe nxit parazitizmin e kotësinë, relativizohet e zbehet kur e pranëve me nëpërkëmbjen që i bëhet meritokracisë nga institucionet dhe organizatat. Kur në jetën e perditshme nuk arrin të nxjerrim në plan të parë punën dhe aftësitë, kontributet dhe talentin, po nepotizmin, militantizmin, përkatësinë klanore e stimuj të tjerë të kohës së Baba Qemos, s’ke sy e faq t’i hakërrehesh fort një spektakli kryesisht argëtues si Big Brother.