I akuzuar për vrasje në Shqipëri, pasi fitoi lirinë, ndonëse u lëshua një urdhër tjetër arresti për kapjen e tij, Arben Frroku, u arratis. Papritmas ai u shfaq në Schiphol të Holandës në vitin 2016 dhe u ndalua me kërkesë në Interpol, ku ndodhet prej asokohe në një qeli holandeze.
Por Arben Frroku nuk ka pse të kalojë tërë pjesën tjetër të jetës së tij në burg.
Kështu vendosi një gjykatë e Amsterdamit, teksa më herët ishte refuzuar edhe ekstradimi i tij.
Sipas medias holandeze, “De Telegraf”, ai edhe pse i dënuar me burgim të përjetshëm në vendin tonë për vrasjen e një oficeri policie, gjykata Holandeze vendosi të mos i njohë dy vendimet ekstreme, të dhëna nga drejtësia shqiptare, ku një herë u dënua dhe më pas u la i lirë, edhe pse vendimi i fundit mbetet në fuqi.
Ngjarja ndodhi në vitin 2013, kur Arben Frroku akuzohet se qëlloi me kallashnikov mbi një shef policie, 41-vjeç, në Tiranë. Ishin kalimtarët ata që e njohën në automjet 50-vjeçarin, Arben Frroku, sipas akuzës.
Në kohën e vrasjes, Frroku ishte edhe president i klubit të futbollit, Tërbuni.
Pasi u u lirua nga gjykata në Tiranë, Gjykata e Lartë e vendit tonë, e shpalli sërish Frrokun fajtor për vrasje dhe la në fuqi dënimin për jetë.
Por ai ishte arratisur në kohë, derisa u kap në vitin 2016 në Schiphol, me një pasaportë të rreme.
Shqipëria pas kapjes kërkon prej vitesh ekstradimin e tij. Frroku, megjithatë, e sfidoi me sukses pretendimin e palës shqiptare. Gjykata në Hagë vendosi vitin e kaluar që ai të mos dërgohej përsëri në Shqipëri. Sipas gjykatësit, kjo ishte në kundërshtim me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Gjykata në Amsterdam më pas duhej të merrte një vendim në lidhje me vendimin për dënimin me burg për jetë të dhënë në Shqipëri.
Gjykatësi vendosi që Frroku duhej të mbetet në burg në Holandë për tetëmbëdhjetë vjet. Atij gjithashtu mund t’i hiqen edhe vitet e tij të paraburgimit, nga ky vendim. “Bota e jashtme mund ta shohë këtë si një” fitore”, ” – tha avokati Gerald Roethof, i cili apeloi kundër aktgjykimit. “Por është bërë e qartë se ka pasur një shkelje të të drejtave të njeriut, për një ekstradim të mundshëm”.
Sipas avokatit, drejtësia Holandeze në të vërtetë kishte vetëm dy mundësi: “Lirimin ose të merrej me përmbajtjen e çështjes”, tha ai.
g.kosovari