Një nga drejtuesit e shoqatës së arkitektëve, Arben Biçoku, shpjegon në mënyrë të detajuar sepse nuk është marrë parasysh Plani rregullues i Tiranës dhe më shumë akoma, përmes historisë së hartimit të Planit, mund të mësosh sesa të vegjël janë politikanët e kohës së sotme, që thjesht për interesa nuk e kanë përfillur dokumentin themeltar të organizimit urbanistik të qytetit, që ka funksionuar që nga fillimi i ‘90…
Intervistoi Ben Andoni
Falë Ark. Biçokut në këtë intervistë kemi një histori të detajuar të Planit Rregullues të Tiranës, por me këtë rast dhe një pasqyrë nga ku mund të shikohet hapësira që është lënë, për të bërë katrahurën që mbizotëron Tiranën. Tirana ka nevojë realisht për një kushtetutë urbanistike, e cila sot është e domosdoshme. “Kjo është mënyra se si zhvillohen qytetet moderne sot. Por kjo kërkon që dhe vendimmarrja politike të jetë më mendje-hapur dhe më pak arrogante. Por njëkohësisht kërkon që dhe vetë forcat profesionale të jenë më aktive. Unë shpresoj që shumë shpejt të shohim pikërisht rritjen e këtij bashkëveprimi aktiv në një kohe sa më të afërt. Nuk kemi kohë për të humbur”, thotë ai për JAVA.
Ka një tollovi, sa i përket planit rregullues të Tiranës. A ka një të tillë dhe pse nuk respektohet, sipas jush?
“Nuk është një përgjigje e thjeshtë. Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje do më duhet ta shpjegoj në këndvështrim historik. Për Tiranën është thënë shpesh se nuk ka plan urbanistik, dhe është punuar me planin urbanistik të miratuar në vitin 1990 deri më vitin 2013, vit në të cilin u miratua formalisht në tëre hallkat plani aktual në fuqi. Në fakt, nuk është plotësisht e saktë që nuk ka pasur plan. Në vitin 2002 është miratuar një Plan Strategjik për Tiranën e Madhe, duke kaluar tëre hallkat formale të miratimit, deri në Këshillin Kombëtar të Rregullimit të Territorit të Republikës. Ky plan për arsye të pashpjegueshme, dhe pa ju nënshtruar një analize kritike, praktikisht nuk është pranuar dhe zbatuar asnjëherë. Dhe duhet kujtuar që në atë kohë si qeverisja qendrore, si ajo vendore në Tiranë, ishin nën të njëjtën sigël, PS, por me kontradiksione të mëdha praktike midis Kryetarit të atëhershëm të qeverisë, Fatos Nano dhe Kryetarit të Bashkisë, Edi Rama.
Në vitin 2005, Bashkia e Tiranës ka hartuar një detyrë shumë të hollësishme për hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor për Tiranën. Unë, personalisht, kam qenë pjesë e organizmit që e ka miratuar atë detyrë-projektimi, KKRT-së së Tiranës, dhe e njoh mirë atë punë të realizuar. Theksoj që u bë një volum i madh pune për të mbledhur gjithë bazën e të dhënave që përmbante ajo detyrë projektimi, ku veç një volumi të madh hartash, kishte dhe rreth 450 faqe material të shkruar. Kjo detyrë çoi në një proces përzgjedhës konkurrues të firmës, që do hartonte Planin. Procesi është financuar nga Banka Botërore, dhe është mbikëqyrur nga Ministria e kohës e Rregullimit të Territorit, që drejtohej nga PD. Ky proces solli hartimin e një plani urbanistik i cili arriti të kalojë dy nga tre hallkat miratuese. Plani i Përgjithshëm Vendor i Tiranës hartuar nga Urba Plan (studio zviceriane) dhe CoPlan (studio shqiptare) është konsultuar përgjatë të gjithë procesit të tij të hartimit si me Bashkinë e Tiranës, po ashtu dhe me grupet e interesit, planifikuesit, urbanistët, arkitektët, zhvilluesit, qytetarët, dhe u miratua në 2008 nga KRRT-ja e Tiranës dhe në 2009 nga Këshilli Bashkiak. Miratimi i tretë final që do të qe ai i Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit (drejtuar nga Kryeministri Berisha) nuk u dha asnjëherë dhe po ashtu asnjëherë nuk u shpjegua përse nuk u dha. Ne arsyetimin tim kjo u bë për qëllime politike, dhe në fushatën e zgjedhjeve vendore të vitit 2011 Ramës i thuhej se nuk ka Plan Rregullues.
Pas zgjedhjeve të vitit 2011, kryetari fitues Basha pati një mobilizim për të hartuar një Plan të ri Rregullues. Për këtë u bazua mbi një metodologji të drejtë dhe mbi projektues vendas. Theksoj se Plani i hartuar, por i mbajtur padrejtësisht në sirtar, që pika e nisjes nga ku filloi puna. Basha hartoi një grup teknik me profesionistë me reputacion të fushës se planifikimit që do të merreshin me hartimin teknikisht të planit si dhe një grup strategjik ku bëhej një diskutim me makro, për tema të natyrës strategjike. Unë kam qenë pjesë e grupit strategjik dhe e kam ndjekur atë proces. Metodologjikisht u veprua drejt. Produkti final që doli me pas pati kontestime. Një nga kontestimet më kryesore që unë kam dëgjuar përshembull është pasja e intensiteteve të ndërtimit të lëvizshme në një diapazon nga një njësi deri në dy njësi, gjë që nëse je një zhvillues privat të detyron të hysh në një negociatë, e cila merr shumë kollaj formën korruptive. Unë kam pasur qëndrimet e mia, të cilat i kam diskutuar në grupin strategjik (fatmirësisht janë të botuara). Shoqata e Arkitektëve (ku unë jam njëri nga drejtuesit) i ka dërguar me shkrim opinionet e saj në Bashkinë e Tiranës (shkresa Nr. 13001 Prot. datë 11.02.2013) ku bën këto vërejtje dhe sugjerime në mënyrë të përmbledhur:
PPV ka nevojë të theksoje prioritetet e ndërhyrjeve në territor.
PPV duhet të theksojë zonat që konsideron të degraduara dhe problematike, dhe që kërkojnë ndërhyrje urgjente publike. Kjo si përsa i përket infrastukturës inxhinierike, po ashtu dhe infrastrukturës sociale.
Ka nevojë për ndërhyrje rregullative të karakterit të akteve nënligjore në mënyrë që PDV të kenë fleksibilitet për të mundur të bëhen funksionale.
Sugjerojmë rregullimin e vijës administrative të Tiranës (kjo tashmë konsiderohet e realizuar përmes reformës rregulluese që u bë në territor).
Konsiderojmë mangësi shumë të rëndësishme të PPV-së mungesën e planit të transportit.
Ndjehet ende nevojë për përmirësime në sistemin rrugor (përqindja që zenë sipërfaqet e rrugëve në totalin e sipërfaqes së qytetit konsiderohet shumë e vogël dhe shumë nën normat urbanistike).
Zonat e PDV-së duhet të krijojnë mundësi të ndarjes në zona më të vogla në mënyrë që të jenë të menaxhueshme.
Mungoi një analizë së cilat studime pjesore të hartuara më parë mund të bëheshin të vlefshme me pak punë korrektuese. Megjithëse vërejtjet tona u dërguan me shkrim ne asnjëherë nuk morëm një përgjigje të shkruar për to. Ndërkohë mund të theksoj që një nga kontestuesit më të mëdhenj të këtij plani, p.sh. ka qenë urbanisti Flamur Kuçi i cili ka qenë drejtuesi i grupit teknik të hartimit të PPV. Kjo tregon që Plani ka probleme të cilat kërkojnë rregullim me urgjencë.
Në përfundim, pas këtij përshkrimi të gjatë historik, mund t’i përgjigjem pyetjes që ju me shtruat: Po ka një plan rregullues të Tiranës. Arsyet që ai nuk zbatohet janë sa politike po aq dhe teknike. Pa një rregullim të duhur të tij unë mendoj që tollovija do vijojë”.
Atëherë duke vazhduar në logjikën e pyetjes së parë: A është e eksagjeruar, sipas jush, që të ndërtohet në hyrje të Liqenit Artificial?
“Besoj se pyetja e juaj e merr spunton nga konkursi i zhvilluar për Hyrjen e Parkut të Liqenit ditët e fundit.
Unë mendoj që atje ku ne sot praktikisht kemi Park është mirë të ruajmë me fanatizëm gjelbërimin, por duke bërë rregullime të caktuara të peizazhit, që kanë për qëllim mirë-rregullimin e parkut dhe jo ndërtimin. Ndërkohë në zonën ku sot ndodhet Garda e Republikës ka vend për një mirë-rregullim. Kjo duhet të synoje të trajtohet si një zonë buferike midis qytetit dhe parkut, pra jo me ndërtime të larta, por me ndërtime të ulëta, që shkrihen me gjelbërimin (një nga variantet e paraqitura në konkurrim e tentonte këtë metodologji). Por ka nevojë që dhe funksionet të jenë për qytetarët. Për mua nuk ka nevoje që aty ne të krijojmë funksione administrative. Ndërsa, pjesa më e madhe e funksioneve që u paraqitën në atë konkurrim, mendoj që duhet të kalojnë në pika të tjera të qytetit të Tiranës, pikërisht në ato pole të reja urbane që ne po kërkojmë të krijojmë në një qytet, që teorikisht themi se e duam policentrike”.
Në të gjithë këtë tollovi të palëve, pse është e pamundur që Tirana, si qytet, të ketë një kushtetutë të vetën urbanistike…
“Unë mendoj se kjo nuk është e pamundur, përkundrazi kjo është e mundur. Dhe jo vetëm e mundur por edhe e domosdoshme. Kjo është mënyra se si zhvillohen qytetet moderne sot. Por kjo kërkon që dhe vendimmarrja politike të jetë më mendje-hapur dhe më pak arrogante. Por njëkohësisht kërkon që dhe vetë forcat profesionale të jenë më aktive. Unë shpresoj që shumë shpejt të shohim pikërisht rritjen e këtij bashkëveprimi aktiv në një kohe sa më të afërt. Nuk kemi kohë për të humbur”.
***
A kemi apo jo, Plan Urbanistik në Tiranë
Ka pasur dhe ka aq shumë lajme, që i referohen Planit Rregullues urbanistik të kryeqytetit, saqë njeriu i thjeshtë me të drejtë pyet: Po a ka një plan rregullues Tirana?! Nëse ka, pse është kaq e vështirë atëherë në kryeqytet me ndërtimet dhe pse çdo i tillë në Tiranë, shpallet dhe vazhdon me sherre? Cili e ka hartuar planin? Pse nuk respektohet?
Për të gjitha ka përgjigje, veçse të duhet të hedhësh një vështrim në historinë e tij dhe të bindesh se në çfarë niveli është pushteti ynë lokal dhe qendror. Paradoksi i parë është se në të gjithë diskutimet që bëhen, duket sikur Tirana nuk ka plan urbanistik, por në fakt ka një të tillë, që është punuar gati për të gjithë tranzicionin. Duke iu referuar Ark. Biçokut, në qytetin tonë është punuar me planin urbanistik të miratuar në vitin 1990 deri më vitin 2013, vit në të cilin u miratua formalisht në tëre hallkat plani aktual në fuqi!!! Të mendosh e gjithë ajo energji mediatike, e gjithë ajo tollovi politike është harxhuar në të gjithë këto vite në boshnajë! Po pse ka ndodhur vallë kështu?
Për një arsye të thjeshtë sepse oreksi i kryebashkiakëve shpesh nuk ka shkuar me ‘vizionin’ e kryeministrave të vendit. Pasi për këta të fundit, kur bashkiakët s’janë të partive të tyre, janë thjeshtë Ata.
Paradoksalisht, në vitin 2002 është miratuar një Plan Strategjik për Tiranën e Madhe, duke kaluar tërë strukturën formale të miratimit, që do të thoshte tre hallka. Ai përfundoi për miratim deri në Këshillin Kombëtar të Rregullimit të Territorit të Republikës. Ky plan sot e kësaj dite nuk merret vesh pse nuk u kritikua, por as nuk u pranua dhe as nuk u zbatua. Në vitin 2005, Bashkia e Tiranës ndërmori hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor për Tiranën. Procesi u financua nga Banka Botërore, dhe është mbikëqyrur nga Ministria e kohës e Rregullimit të Territorit, që drejtohej nga PD. Është hartuar nga Urba Plan (studio zviceriane) dhe CoPlan (studio shqiptare) dhe pati debat të gjerë. Realisht i kaloi dy hallka, por në dorën finale në Këshillin Kombëtar të Rregullimit të Territorit (drejtuar nga Kryeministri Berisha), certifikimi i tij nuk u bë asnjëherë. Dhe, si ndodh rëndom, kur faji kalon nga një vend në tjetrin: Në zgjedhjet vendore të vitit 2011, Ramës iu faturua se nuk kishte Plan Rregullues!!
Po cili e pengon vallë të realizohet si duhet? Mos e vrit shumë mendjen. Është politika, ajo që do që tollovia të vazhdojë e të vazhdojë pafund. Dhe, ndërtimet të bëhen kështu, siç edhe bëhen në qytetin tonë, pa respektuar fare hallka. Edhe pse Tirana jonë e ka një Plan rregullues!