Nga Mero Baze
Marrëveshja e deklaruar mes Italisë dhe Shqipërisë për ndërtimin e dy kampeve të pritjes për emigrantët e paligjshëm që tentojnë të hyjnë në Itali, I ka gjetur të përgatitur të gjithë. Opozitën në Itali dhe Shqipëri, Bashkimin Evropian por dhe opinionin publik.
Të gjithë kanë pyetjet e tyre për këtë projekt.
Opozita italiane, është e shqetësuar se po shkelen të drejtat themelore të njeriut, duke devijuar rrugën e emigranteve dhe duke krijuar një “Guantenamo” në Shqipëri në pritje të procesimit të aplikimit të tyre për emigrant.
Bashkimi Evropian po shikon përshtatshmërinë me ligjet evropiane të këtij vendimi, të një kryeministreje që e ka pas kalë beteje në fushatën elektorale, reduktimin e hyrjes së emigrantëve të paligjshëm në Itali.
Pra reagimet nga Italia dhe Evropa janë shqetësime që kanë të bëjnë me shkelje të të drejtave të emigrantëve, dhe mohimin e të drejtës për azil që ka gjithkush që mbrin në tokën evropiane.
Debati në Shqipëri është përmbys dhe I turpshëm për shoqërinë shqiptare, pasi është kundër debatit evropian.
Befas në Shqipëri opozita ka marrë në dorë kartën e racizmit dhe po sulmon qeverinë se po merr zezak , afrikanë e ku di çfarë epitetesh të tjerë që po përderen për të supozuarit që mund të vijnë, deri dhe tek celula terroriste.
Të debatosh për këtë vendim të qeverisë është normale. Kryeministri duhet të bëj publike detajet e saj ndoshta dhe në debat parlamentar dhe duhet të siguroj të gjithë se çfarë do të bëj Shqipëria me ata që nuk arrijnë të fitojnë të drejtën për të qenë emigrantë në BE.
Por orientimi i debatit tek racizmi, tek njerëzit me ngjyrë, tek “fyerja e racës pastër shqiptare” për shkak se po vijnë në një burg në Shëngjin për të pritur letrat në Itali disa afrikanë, është një njollë turpi për Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare që nuk mund të identifikohemi me të.
Dhe kjo bëhet nga një opozitë e cila kur ka qenë në pushtet ka marrë në Shqipëri ujgurët terroristë nga kampi i Guatenamos, vetëm që të siguronte një vizitë zyrtare nga Shtëpia e Bardhë në Shqipëri, dhe po ashtu ka negociuar dhe ka filluar operacionin e ardhjes së muxhahedinëve iranianë në Shqipëri. Sali Berisha e ka shkëmbyer atë nder për SHBA me një vizite të Sekretares Shtetit Hilari Clinton në Tiranë.
Edi Rama po ashtu e vazhdoi atë marrëveshje dhe po përballet me problemet e saj. Eshte fjala për një organizatë e cila ka qenë në listat e organizatave terroriste dhe që i hap shumë probleme sigurisë kombëtare të Shqipërisë.
Megjithatë meqë në mes ishte SHBA të gjithë u pajtuan me këtë projekt I cili është unikal në botë. Askush nuk tha çfarë duan iranianët terroristë në Shqipëri.
Tani meqë në mes është Italia, një vend të cilin politikanët tanë nuk e shikojnë me aq përunjësi dhe frikë si SHBA, befas janë gdhirë të gjithë racist dhe të shqetësuar për të ardhmen e racës sonë, që nuk ka lënë vend të botës pa shkuar për të jetuar. Madje dhe Tritan Shehu që nuk është kundër me asgjë italiane në këtë vend, më në fund është bërë racist.
Po qe se opozita jonë do mbante anën e opozitës italiane apo evropiane kishte kuptim. Kritika e vetme që mund ti bëhet Eid Ramës është pse i del krah një kryeministreje që ka një premtim të cilin nuk e ka e majta liberale. Por nga ana tjetër kur mendon se kjo kryeministre ishte gati të bëhej dhe guidë turistike për miliona italianë për turizmin në Shqipëri verën që shkoi, të gjithë i kuptojmë arsyet e tij. Por natyrisht mund të kundërshtohet, nga pozita evropiane, jo nga pozita raciste dhe ksenofobe.
Kjo po ekspozon Shqipërinë si një shoqëri raciste, e cila ka fobi të strehoj në një burg të sigurisë lart njerëz të dëshpëruar që synojnë të shkojnë drejt Perëndimit siç ne kemi marshuar maleve dhe kemi kaluar dete në vitin 1991 e në vazhdim.
E kuptoj që opozita ka nevojë për kauza të forta kundër Edi Ramës, por nuk është se nuk ka. Ja po bën betejë dhëmb për dhëmbë për burgun e Saliut. Po hipin nga dyert e dritaret, po thyejnë karrige dhe mikrofona.
Tani nëse duan të bëjnë betejë dhe për burgun e afrikanëve në Shëngjin mund ta bëjnë, por jo në emër të një “race superior shqiptare” , se mjafton të kujtojmë përse keni luftuar këtë javën e fundit për të na treguar se jeni më plehra se ata hallexhinjtë që po lundrojnë në dete ti shpëtojnë mjerimit.
Beteja e parë po bëhet për ti vënë flakën Shqipërisë e për ta bërë vend afrikanë, që të mos hyj në burg Saliu dhe fëmijët e tij.
Beteja e dytë po bëhet kundër burgosjes së përkohshme të emigrantëve afrikan në Shqipëri, që të mos dukemi vend afrikanë.
E para na tregon kush jemi kurse e dyta na tregon çfarë nuk duhet të jemi.
Debati e ka zanafillen ne mos kordinimin e qeverise me opoziten por qofte dhe me opinionin publik.Ashtu sic shprehet Ramagjan si vendim personal i kryeministrit duke permandur “ vllazerine” me italianet . Per ceshtje te tilla vendis vetem gjykata kushtetuese dhe askush tjeter
Kryeministri Rama është zgjedhur nga gati 60% e popullsisë. Pra është zgjedhur si përfaqësues i saj. Me kë të lidhet e ta ndajë pëlqimin e tij, veprimet e tij, përgjegjësinë e tij?
Me 40%- in? Jo!
Pra po sillet si një kryeministër europian , si Melon, apo Macron. Kaq.!