Nga Eduard Zaloshnja
Në botën e zhvilluar demokratike publikohen sondazhe të shpeshta të opinionit, për çështjet më të nxehta të momentit. Në Shqipëri, zakonisht publikohen sondazhe para zgjedhjeve. Kjo për dy arsye. Së pari, sondazhet janë relativisht të kushtueshme. Së dyti, shqiptarët ua vënë veshin sondazheve, vetëm në metrat e fundit të garës.
Në qoftë se zhvillimet e këtyre, ditëve rreth çështjes “Babale”, do të kishin ndodhur në një vend të zhvilluar demokratik, mediat do të publikonin me urgjencë sondazhe të tyre mbi opinionin e qytetarëve rreth saj. Madje, do të jepnin edhe përqindjet e opinionit të përkrahësve të njërës ose tjetrës parti, rreth çështjes në fjalë.
Por në Shqipëri, siç e theksova më sipër, nuk ekziston kjo traditë. Partitë kryesore mund të zhvillojnë sondazhe private, por ato nuk i bëhen të ditura publikut. Ose edhe kur i bëhen, rezultatet mund të jenë kasten të shtrembëruara. Në mungesë të sondazheve, bazuar në përvojën time të matjes së opinionit publik në të shkuarën, po përpiqem të bëj një analizë të efektit që ka patur çështjes “Babale”në opinionin publik.
Së pari, le të merremi me ata që kanë votuar vjet për PS-në (765 mijë). Mendja ta do se, shumica dërrmuese e tyre besojnë versionin e paraqitur nga Edi Rama, sipas të cilit, audiopërgjimi i servirur nga PD-ja nuk ka kapur një bisedë mes Albert Velut (i njohur me nofkën “Babale”), dhe Agron Xhafajt (vëllait të ministrit Xhafaj), por një bisedë të inskenuar mes Babales dhe kunatit të tij, që ka imituar Agron Xhafajn.
Rama ka cituar zbardhjen e bisedave telefonike mes Babales dhe kunatit të tij (që zoti e di sesi rrodhën në media), nga të cilat duket se ata të dy kanë bashkëpunuar për inskenimin e bisedës që do të inkriminonte Agron Xhafajn. Dhe në shkëmbim (sipas zbardhjes së bisedave telefonike mes tyre), do të shpërbleheshin me 200 mijë euro nga PD-ja. Më tej, Rama ka përmendur një grup konsulent amerikan (që sipas rrjedhjes në media, kryesohet nga një ish-agjent special i FBI-së), i cili do të zbardhë skenarin e paguar prej PD-së, nga A-ja te ZH-ja.
Le të kthehemi tani tek ata që kanë votuar vjet për partitë e tjera (825 mijë). Mendja ta do se, shumica dërrmuese e tyre besojnë versionin e paraqitur nga opozita. Kjo e fundit thekson se: 1 – Ministria e Brendshme italiane nuk mori përsipër ta analizonte audiopërgjimin që e filloi këtë zhurmë. 2 – Firma private angleze që bëri analizën e audiopërgjimit, nuk arriti dot në përfundimin se biseda Babale-Xhafaj ishte e vërtetë ose e sajuar, ngaqë në Angli ishte dërguar kopja e jo origjinali i audiopërgjimit. 3 – Kunati i Babales, si njeri i vetofruar te policia, mund të jetë paguar nga dikush që t’i zhvillojë bisedat telefonike me Babalen, në mënyrë të tillë që të çojnë ujë në mullirin e prokurorisë.
Por ç’mendojnë ata që nuk morën pjesë vjet në zgjedhje (rreth 600 mijë banues në Shqipëri, sepse 1.4 milionë zgjedhës të tjerë, jetojnë jashtë saj)?
Rastësia e deshi që, fill pas publikimit të audiopërgjimit të Babales në maj, të zhvilloja një sondazh për një revistë që botohet këtu në anglisht. Sipas sondazhit, PD-ja – partia kryesore e opozitës – kishte një rritje me 80 mijë vota – nga 450 mijë që mori vjet, ishte ngjitur në 530 mijë vota. Në sondazh nuk kishte pyetje rreth Babales (sondazhi nisi disa orë para se të publikohej audiopërgjimi), por mendja ta do se rritja e votave të PD-së, ishte e lidhur ngushtë me efektin e “Babales”.
Pas publikimit fillestar të audiopërgjimit, PD-ja nxori në ekran edhe Babalen, në një intervistë 30 minuta. Personazhi kryesor i këtij skandali ishte zhgënjyes në atë intervistë. Ai u bë objekt humori në rrjetet sociale dhe në faqet e internetit, të cilat kanë një rëndësi të jashtëzakonshme në ditët e sotme (85% e popullsisë shqiptare është e ekspozuar ndaj tyre, sipas revistës Monitor). Më tej, PD-ja nxori në skenë gazetarin investigativ të audiopërgjimit dhe ai deklaroi se, Babales i kishte dhënë audiopërgjuesin, por nuk ishte i sigurt, nëse në lokalin e Agron Xhafajt, ai kishte biseduar me këtë të fundit ose me dikë tjetër.
Pas atyre zhvillimeve, kreva sondazhin e muajit pasardhës për revistën e sipërpërmendur. Dhe rezultoi se, PD-ja kishte zbritur nga 530 mijë në 500 mijë vota (sidoqoftë më sipër se 450 mijë votat që mori vjet). Dhe kjo ishte një indicie se, entuziazmi fillestar për PD-në (pas publikimit të audiopërgjimit), kishte rënë.
Nuk e di nëse ndonjë media do të financojë ndonjë sondazh shkencor në ditët në vijim rreth çështjes “Babale”, por hamendja ime ( e bazuar në përvojë), është se njerëzit e elektoratit gri do të dëgjojnë zhurmën e përditshme mediatike të njërës palë e të palës tjetër, dhe do të vazhdojnë të mbeten skeptikë ndaj të dyja palëve (te prokuroria as kanë patur e as do të kenë besim, deri sa të fillojë punën SPAK-u, të paktën).
Me pak fjalë, elektoratet e secilës palë, do të vazhdojnë të mbeten në llogoret e vjetshme, me luhatje fare të vogla, nga muaji në muaj…/AFP
a.ç