Besnik Mustafaj ka braktisur politikën dhe angazhimet e saj të ankthshme dhe qëndron në oazin e tërheqjes, në Priskë, në periferi të Tiranës.
Megjithatë pranon të përgjigjet pyetjeve të Enkel Demit në “Shih programin” në TVSH.
Nuk ka nxitimin e aktorit ditor të politikës, përkundrazi qetësisht Mustafaj flet për qeverinë, për atë që ai e quan represion të panevojshëm, për arsyen që po çon shqiptarët larg vendit të lindjes dhe për pafuqinë e opozitës për të rikthyer atë që iu dhëmb më shumë të gjithëve, shpresën. Pa doreza, Mustafaj jo vetëm për Ramën e Bashën, por jep dhe opinionin e tij përse nuk do të largohet Meta nga qeveria edhe sikur te provohet “flirti” Rama – Basha.
- D. – Po jetojmë një periudhë depresive në Shqipëri?
Unë nuk jam psikolog, por si shkrimtar mund të them se ka një situatë depresive. Unë konstatoj me keqardhje sesi miq të mi me biznese të mëdha, por edhe bashkëfshatarët e mi në Priskë kanë ankesa të shumta, madje kanë të njëjtin pesimizëm. Pra, që këtu kuptohet se ka diçka nuk shkon.
- D. – Sa mund të krahasohen dy qeverisjet ajo e të djathtëve dhe e të majtëve dhe ligjërimi i dy liderëve përkatës Ramës dhe Berishës? A është represiv në ligjërim Rama?
Kur unë isha në qeveri, rritja ekonomike ishte 5-6 përqind. Tani sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe BERZH rritja ka gjasa të jetë diku 2 përqind. Detyrimisht që ligjërimi i kryeministrit nuk do të jetë i lehtë. Por, kryeministri ynë i jep një rëndësi që nuk mund ta ketë represioni. Jemi në demokraci dhe gabimisht po i jepet shumë më tepër rëndësi sesa i takon represionit. Njerëzit po shkojnë në burg për energjinë, për qarkullimin për tatimet. Penaliteti vertetë ka vendin e vet, por burgu nuk mund të jetë pjesë e ligjërimit politik apo pjesë e zgjidhjes së problemit në thelb.
- D. – Jo vetëm Rama, por edhe ministrat thonë në deklarimet politike se po vendosin shtet….
Një ndër gabimet kryesore të qeverisë është konsiderimi si viti 0 ai i vitit 2013. Edhe kur Berisha konsideronte 2005 vitin 0, unë nuk isha dakord. Shtet ka patur në të gjitha këto vite, pavarësisht imperfeksioneve. As 2017 nuk do të jetë viti 0. Ky është një gabim i madh. Shoqëria është një evolucion, jo një revolucion. Në liri, represioni është zgjidhja e fundit.
- D. – Shpesh këto kohë më vjen ndërmend historia e Zhan Valzhanit, tek përfundon në burg për bukën e gojës. Sot po ndodhin shumë histori të tilla. A ka ndjenja shteti?
Shteti në princip është pa ndjenja, por që pas Luftës së Dytë Botërore ka lindur koncepti i shtetit social, prandaj ekziston dhe Ministria e Punës dhe Mirëqënies Sociale. Kjo ministri ka një buxhet më të madh sesa Ministria e Arsimit apo shumë ministri të tjera, prandaj shumë nga këto histori nuk duhet të dëgjohen fare. Kush merret me këto familje duhet të ketë ndjenja për këto kategori. Kam qenë mes atyre pak njerëzveqë kanë shoqëruar Nënë Terezën gjatë vizitës së saj në Shqipëri dhe më kujtohet një ngjarje, kur ajo shkoi për vizitë në spitalin e Sanatoriumit. Atje pas vizitës, ishte organizuar një drekë e mirë. Nënë Tereza kur pa bollëkun, mori gjithçka ishte gatuar dhe e shpërndau mes të sëmurëve, duke i vënë me këtë gjest të thjeshtë në vështirësi të gjithë. Bujaria, ndihma ndaj të pamundruve nuk mundet të jetë fushatë, as të jetë një ditë, si kjo kur kremtohet lumturimi i Nënë Terezës, duhet të ekzistojë çdo ditë.
- D. – Vë re që shumë nga azilantët që janë në Gjermani nuk janë në varfëri ekstreme, por ikin prej mungesën e shpresës…
Shpresa ose mungesa e saj janë një nocion ku përfshihen shumë ndjenja. Fatkeqësisht ndjenjehet mungesa e shpresës, jo vetëm mes qytetarëve, por edhe mes përfaqësuesve të biznesit, siç janë dhe disa dhoma tregtie në vend që kanë bërë tashmë publike raportet e tyre për humbjen e besimit, është një realitet që duhet t’i dhëmbë qeverisë. Të dhënat nuk e di sa analizohen nga qeveria, por nëse investitorët kanë shpresë ata e rrezatojnë dhe tek njerëzit që iu varet jetesa nga kjo kategori sipërmarrësish. Politikanët nuk mund të flasin si shkrimtarë.
- D. – A duhet të këtë një tronditje të qeverisë pas gjithë këtyre konflikteve që përfliten në media dhe jo vetëm?
Rama po imiton në mënyrë karikaturale Berishën në këmbënguljen për të mos ndryshuar qeverinë. Edhe në Francë, Hollande, ndryshoi qeverinë pas 1 vitit e gjysëm në pushtet. Në të gjithë botën bëhen ndryshime. Fjala vjen si mund të jetë ende në qeveri Beqja. Në çdo vend të botës ai do të ishte hequr.
- D. – Rama ndoshta dëshiron të ndryshojë, por nën gjithë këtë presion duket sikur ndryshimet ngjajnë me një disfatë të tij…
Aspak. Nuk ka asnjë disfatë këtu, përkundrazi. Në shkencën politike kush e njeh e di që presioni duhet shfryrë. Kjo është mënyra e vetmja për të shpëtuar. Sa më shumë mbahet gjendja e presionit, aq më i rrezikshëm bëhet shpërthimi.
- D. – Cfarë po ndodh me politikën? Dikur kishte ideologji mes aleancave, koalicioneve, ndërsa sot duket se ky koncept ka humbur fare…
Kjo nuk është gjë e re tashmë. Të paktën që në fillim të viteve ’90, me ardhjen e Toni Blair në pushtet si kryeministër për herë të dytë erdhi ideja e “Rrugës së tretë”, e cila në fakt shembi ideologjitë, shndërroi një model klasik të së majtës tradicionale si ishin laburistët, ndaj sot ideologjitë në një farë mënyrë është shkrirë.
- D. – Sipas jush janë normale marrëdhëniet Rama-Meta?
Mua nuk më duken anormale. Ata kanë bërë një marrëveshje qeverisje, jo një martesë. Në Politikë ka rëndësi marrëveshjet, jo marrëdhëniet njerëzore.
- D. – Flitet që Meta mund të tërheqë ministrant e tij nga qeveria?
Jo, Meta nuk i tërheq.
- D. – Pse?
Sepse nuk ka se ku i çon. I bie gjithë karabinaja, po t’i largojë.
- D. – A ke një opinion për Ilir Metën?
Kam, por nuk dua ta bëj publik. Unë mund të të them se nuk e kam bardhë e zi mendimin për të dhe mund të shtoj se vetë nuk do të mund të isha pjesë e pushtetit të tij.
- D. – A e ke vënë re këto kohë turbullirash politike që të gjithë janë bërë si orakuj?
Këtë e kemi profesion. Profetizimi i zhvillimeve politike është një sport kombëtar që merren të gjithë qytetarët. Edhe kur erdhi komunizmi thuhej se pushteti popullor do te largohej sapo të shkrinte bora e dimrit, por u deshën 45 vjet që të shkrinte akulli që krijoi ai sistem.
- D. – A mund të bjerë qeveria?
Nuk e di
- D. – Si e gjykoni praninë e liderëve politikë në ekran?
Të tepruara deri në absurd. Shumë të mërzitshme dhe mërzia është burim i shumë kontestimeve.
- D. – Si mundet një politikan ta vërë veten nën vre?
Vetëkontrolli dhe vullneti janë cilësi që nuk duhet t’i mungojnë një politikani. Mungesa e frerëve tregon një dehje nga pushteti dhe një keqkuptim të postit. Dalja me tepri në televizor është e keqe për qeverinë vetë.
- D. – Si ju duk kthimi i ambasadorit tonë në OSBE?
Them se ai duhet të ishte kthyer vetë. Edhe nëse Presidenti nuk do ta çdekretonte, duhej të ishte kthyer vetë. Presidenti nuk kishte përse të hynte në këtë histori. Nëse qeveria nuk e do një ambassador kreu i shtetit duhet ta firmosë këtë. Unë kam qenë vetë ambassador dhe e di këtë gjë. Nuk punon dot një diplomat në kundërshti me qeverinë, nuk mundet, ndaj edhe duhet të ikë vetë. Kështu e shoh unë.
- D. – Cilët ministra të kësaj qeverie do të doje që Rama t’i largonte nga qeveria?
Nuk do të them emra, por ndoshta katër a pesë.
- D. – Pak më parë fole për ministrin e Shëndetësisë…
Nuk kam asgjë me Beqjen. E kam patur mik të atin, por nuk më duket normale që kompania e tij në 22 muaj të ketë fituar 28 tendera. Pse ti i beson asaj shitje fictive aksionesh? Ai nuk e shiti kompaninë në bursë dhe nuk e di se çfarë po ndodh me të. Ia shiti, njeriut të tij të besuar. Nëse shifrat e publikuara janë të vërteta, kjo më duket makutëri. Edhe unë kisha një shtëpi botuese para se të bëhesha ministër dhe aksionet e mia ia dhashë ortakut. Po çfarë i shita unë?! Lekët i kishte futur ai, unë kohën kisha futur. Njëherë madje po hanim darkë me Andreotin dhe Berisha i thotë: Ja e shikon Besniku e ka shitur shtëpinë botuese. Andreoti pyeti se ku iku ortaku dhe në fakt më “qetësoi” duke më thënë se aty janë sërish shtëpia botuese dhe miku im. Në fakt, kjo shtëpi u mbyll fare dhe unë shpëtova nga konflikti i interesit.
- D. – Çështja CEZ nxorri në dritë dy akse politike, Rama-Basha dhe Berisha-Meta. Fantazi thua?
Pak fantazi edhe mund të ketë, por kthesa që mori Berisha në këtë histori, tregon se diçka i ka djegur. Apriori nuk besoj se ka patur një marrëveshe Rama-Basha, sepse ka një mungesë totale bashkëpunimi mes tyre. Ata nuk merren vesh as për çështje parimore si reformat, e kur në këto raste janë treguar refraktarë totalë dhe sillen si armiq, përse do të merren me rënien e Metës, kur dihet se bashkë me të do të ikte dhe qeveria e Ramës.
- D. – Përflitet se bëhet fjalë për një ligj të ri elektoral, për të futur idenë e “primit”…
Po kjo nuk mund ta dëmtojë Metën, sepse ai e kap pragun në çdo kohë. Kjo dëmton parti të tjera më të vogla, votat e të cilavë do i kalojnë partive më të mëdha.
- D. – Javën e kaluar më ka tërhequr vëmëndjen shkrimi i një zonje anëtare e kryesisë së PD-së në një lokalitet që i kërkonte kryetarit të PD-se të ishte më frymëzues? A është Basha frymëzyes?
Unë nuk e kam parë kurrë më këtë sy. Unë kam qenë kritik nga pozitat e një demokrati që kërkon një të djathtë më dinamike. Lideri është identifikimi i opozitës. Po nuk je frymëzues, nuk ngjall dot shpresë. Fakti që u humbën ashtu zgjedhjet vendore, rrëfen që deri tani nuk opozita nuk është bërë frymëzuese. Ka edhe dy vjet kohë, ndaj të shohim nëse do të arrijë që ta bëjë këtë gjë dhe të jetë frymëzuese.
- D. – Ka një frymë nervozismi në PD debate të ashpra apo jo?
Po. Genc Ruli ngriti një polemikë që Basha e ktheu në favor të tij me mençuri, duke thënë se këto deklarata vijnë si pasojë e klimës së debatit brenda partisë. Këtë e kuptoj. Por për shëmbull gjuha që përdorte kreu i PD-së në Vlorë në një shkrim disa ditë më parë është e papranueshme për mua. Partia ka disiplinë dhe në një rast të tillë kryetari i saj duhet ta kishte shkarkuar menjëherë, dhe e ka këtë kompetencë, kryetarin e degës. Nuk ndodh që ky i fundit të flasë kështu në një parti serioze.
- D. – Një nga drejtuesit e rinj demokratë ka thënë që ministriat e ardhshëm do të dalin nga FRPD. A ka konflikt brezash në PD?
Ripërtëritja e partisë nuk është një gjë që bëhet në mënyrë vullnetare, domosdo që do të ketë tension. Është rradha tashmë për të parë sesa Basha është lider i vërtetë dhe arrin ta menaxhojë këtë tension.
- D. – Duket sikur janë ndarë në barrikada, njërëz që po bëjnë karrierë falë Bashës dhe të atyre që e zhvilluan karrierën falë Berishës…
Unë kam parë që në fushatë, fjala vjen Halim Kosova është mbështetur edhe nga “dora e vjetër”, edhe nga të rinjtë. Politika në përgjithësi nuk është një sofër që ka harmoni shumë të madhe, sepse “bujtësit” e kësaj sofre janë përgjithësisht egoistt dhe me dëshirë për të bërë përpara.
- D. – Por, në 2005 ardhja e të rinjve në PD u administrua shumë mirë…
Po është e vërtetë dhe kjo, sepse ne kishim një vizionomi të përcaktuar në sytë e qytetarëve. Berisha vetë kishte një rol shumë të madh jo vetëm si themelues, por dhe si figura kryesore e PD dhe mes kryesorëve të politikës shqiptare. Por, sot është ndryshe. Nganjëherë ata që e lidhin karrierën vetëm me një lider bëhen opportunist. Ndaj u them sot këtyre se lideri kur sheh se rrethohet nga oportunistë i përdor keq këta të fundit.
- D. – Kjo puna e vitit 0 ka mbërritur dhe në opozitë apo jo?
Ky viti 0 duhet kuptuar se dëmton si opozitën ashtu dhe qeverinë.
- D. – Askush nuk është marrë me një deklaratë të Bashës bërë tek emisioni “Top Story” i Sokol Ballës, ku tha se do të ishte pro krijimit të dy dhomave përfaqësuesish, duke u bazuar në sistemin amerikan. I bie të rrëzohet krejt Kushtetuta?
Edhe kjo mund të jetë. Por si propozim nuk është i ri, sepse ne vijmë nga sistemi zgjedhor me 100 zona të përcaktuara dhe 40 propocional. Edhe me Sabri Godon e ndjerë e kemi diskutuar shumë shpesh deri në diskurse publike idenë e ngritjes së një Këshilli të të Urtëve, i cili do të ishte një lloj Senati.
- D. – Po a funksionon sistemi amerikan në Shqipëri?
Në një vend të vogël si Shqipëria, nuk e di a funksionon modeli amerikan. Por, mund të them se në kohën e Zogut kishte një dhomë Senati që ishte një sistem frenues për Parlamentin. Dy dhoma përfaqësimi ka Franca, Italia, Gjermania. Megjithatë nuk është kjo e keqja. Nëse kryetarët do i bënin listat demokratike, pra të hapura, atëherë as cubat do të hynin në Kuvend dhe cilësia e tij do të rritej ndjeshëm. E keqja deri tani na ka ardhur nga Parlamenti, sepse ai vetëm ka degraduar gjithë këto vite, falë vullnetit të kryetarëve të partive. Le të hapen listat dhe nuk ka nevojë për komplikime të tjera.