“TITAN’’, kënga që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2024, do të ngjitet në skenën e madhe mbrëmjen e sotme në Malmo të Suedisë.
Balada “TITAN”, e kënduar në gjuhën angleze nga Besa Kokëdhima, do të jetë e dyta në radhë, në këtë mbrëmje të dytë të gjysmëfinales.
Të mërkurë Besa Kokëdhima tregoi ekskluzivisht për emisionin “Jetë Shqiptare” në RTSH jo vetëm pritshmëritë për këtë garë, por edhe paraqitjen skenike.
“Këto ditë kam qenë shumë e angazhuar, kam përjetuar emocione shumë të bukura. Jemi në një lloj disipline të hekur, kështu që nuk është gjithmonë shumë e pëlqyeshme, por jam shumë e lumtur sepse më në fund e gjithë puna që kemi bërë po vjen momenti të realizohet. Edhe koncertet që kemi realizuar për mua kanë qenë shumë emocionuese.
Pritshmëria ime e parë është që performanca jonë të jetë dinjitoze dhe në një nivel të krahasueshëm me shtete e mëdha që marrin pjesë në këtë kompeticion, të ketë një nivel të lartë artistik dhe pritshmëria që besoj e ka çdo artist pjesëmarrës është patjetër të dal në finale dhe t’i bëj të gjithë bashkëkombësit tanë krenarë. Një detaj që mund të zbulojmë ekskluzivisht është që veshja në mbrëmjen e 9 majit do të vishet për herë të parë në provat gjeneralë dhe nuk është asnjë nga veshjet që janë realizuar provat deri tani. Nga pak na ka shijuar t’i bëjmë njerëzit pak kuriozë dhe pak lëmsh fansat e Evrovizionit”, u shpreh këngëtarja.
16 shtete do të marrin pjesë në gjysmëfinalen e dytë, ndërsa vetëm 10 prej tyre do të kualifikohen në finalen e madhe. Të gjithë shqiptarët që jetojnë në shtetet që performojnë mbrëmjen e sotme mund të votojnë “TITAN” me kodin 2, ndërsa personat që jetojnë në shtete të tjera mund të votojnë në esc.vote
Finalja e madhe e Eurovision 2024 mbahet në datën 11 maj dhe në skenë do të ngjiten vetëm 16 përfaqësues shtetesh. Ndaj ndiqni magjinë e muzikës në netët e Eurovision, vetëm në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.