Ideja për copëtimin e Kosovës po përhapet me shpejtësi marramendëse. Dhjetëra lobistë, të paguar mirë nga regjimet në Beograd e Prishtinë, po avokojnë pandërprerë. Deri më tani kundër ndarjes së Kosovës janë deklaruar Gjermania dhe Britania e Madhe, por kjo nuk mjafton.
Nga Enver Robelli
A e dini çka është cinizmi? Për shembull kur e lexoni se çfarë ka shkruar diplomati shumëvjeçar austriak Wolfgang Petritsch në librin e tij «Kosovo-Kosova. Rruga e gjatë drejt paqes», botimi i vitit 2004. Petritsch thekson aty se në Europën e shekullit ‘21 nuk ka ardhmëri një bashkësi e definuar etnikisht. Zbatimi konsekuent i parimit etnik, vazhdon Petritsch, do të çonte në ndarjen e Kosovës, gjë që do të kishte pasoja dramatike për Serbinë e Jugut, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Republika Srpskën e Bosnjës.
Wolfgang Petritsch ka disa vite që është pensionist. Pas një karriere të gjatë në diplomacinë austriake pensioni i tij me siguri ia mbulon shpenzimet për bukë, por ka disa pleq që nuk mund të pajtohen kur e humbin rëndësinë e tyre dhe kur të shohin dengjet me honorarë. Kancelari gjerman Gerhard Schröder prej se i ka humbur zgjedhjet në vitin 2005 është punëtor i Vladimir Putinit. Wolfgang Petritschi nuk ka arritur te Putini për të vjelë ndonjë para, por është angazhuar si këshilltar në një zyrë avokature në Vjenë, e cila punon për qeverinë serbe. Petritsch ka disa muaj që përpiqet të imponohet në debatet për të ardhmen e Kosovës. Vitin e kaluar ai i tha Deutsche Welles se Bashkimit Europian i duhet një emisar special për Kosovën. Vetëm që nuk tha: «Unë dua të jem ai që do të ndërmjetësojë për ta copëtuar Kosovën». Në intervistën e vitit 2017 Petritsch thoshte se në bisedime mes Kosovës e Serbisë nuk duhet të ketë tema tabu! Javën e kaluar Petritschi hoqi krejt maskën e tij dhe foli si lobist i Beogradit. Prapë në intervistë me Deutsche Welle ai tha: «Parimi i ndryshimit të kufijve për shembull është mirëpritur më 2008, kur Kosova njëanshëm e shpalli veten të pavarur. Atëbotë Kosova u pranua menjëherë nga shumica e vendeve të BE-së, ndonëse kjo shkel Rezolutën 1244 të OKB-së». Këtu nuk ka asnjë dallim mes gjuhës së Petritschit dhe gjuhës së Ivica Daçiqit. Kosova nuk e ka shpallur njëanshëm pavarësinë, por me pëlqimin e shumicës së vendeve perëndimore, pas një procesi në kuadër të OKB-së. Njëri nga ndërmjetësuesit ka qenë bashkëkombës i Petritschit. Albert Rohani po hesht, ndërsa Petritschi është shndërruar në gjeodezist të kufijve të Kosovës për llogari të Beogradit. Pavarësinë e Kosovës e ka vulosur edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, por mbi këto fakte Petritsch kalon verbërisht, sepse e ka verbuar aroma e honorarëve serbë.
Një diplomat amerikan me lidhje familjare në Beograd thotë se marrëveshja kreative mes Beogradit dhe Prishtinës (kupto: ndarja e Kosovës) do të reduktonte ndikimin rus në Serbi. Nga historia e Ballkanit e 25 viteve të fundit dihet se çdo përkëdhelje e Beogradit është kontraproduktive. Ndarja e Kosovës vetëm e trimëron Serbinë për të kërkuar edhe më shumë – në Bosnjë dhe në Mal të Zi, për shembull. Këtë Serbia nuk do ta bëjë menjëherë, por hap pas hapi. Ashtu siç e nxori territorin e Kosovës në pazare me Perëndimin, kuptohet me përkrahjen aktive të presidentit të Kosovës.
Një senator amerikan i pyetur mbi lavdërimin që ia bëri Aleksandar Vuçiqi diktatorit Sllobodan Millosheviq, thotë se nuk e ka lexuar fjalimin e presidentit serb, pastaj shton se Millosheviqin nuk do ta kishte përshkruar si lider të madh, siç bëri Vuçiqi. Por, Vuçiq kalon pa asnjë fjalë qortuese nga senatori Ron Johnson, edhe ky njëri nga mbështetësit e «zgjidhjeve kreative» në Ballkan. Qëndrimet e John Boltonit dihen: ai ka qenë kundërshtar i përbetuar i pavarësisë së Kosovës dhe tani si këshilltar për siguri nacionale e Donald Trumpit po përpiqet ta zhbëjë pavarësinë së paku përmes ndarjes. Do të ishte një shuplakë kundër demokratëve të Bill Clintonit dhe Barack Obamës, të cilët Bolton i urren fort.
Në kulmin e debateve për ndarjen e Kosovës me një opinion në «New York Times» u shfaq edhe Charles A. Kupchan, ish-këshilltar për çështje europiane në Këshillin Nacional të Sigurisë në administratën e Obamës. Esenca e porosisë së Kupchan është cinike: shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë do të ishte spastrim paqësor etnik. Por në fund do të sillte paqe. Se ku e bazon Kupchan këtë parashikim të tij, mbetet sekret i tij. Gati 100 vjet pas marrëveshjes mes Turqisë dhe Greqisë për shkëmbimin e popullsive, Kupchan paralajmëron diçka të tillë për Ballkanin. Se çfarë domethënë kjo për dhjetëra fshatra shqiptare në Luginën e Preshevës mund të merret me mend. Një diplomat amerikan para pak ditësh disa deputetëve të Kosovës u ka thënë, mes rreshtave, të jenë modest sa i përket Luginës së Preshevës, sepse hekurudhën dhe autostradën assesi nuk do t’i marrin. Siç po shihet ideja për copëtimin e Kosovës po përhapet me shpejtësi marramendëse. Dhjetëra lobistë, të paguar mirë nga regjimet në Beograd e Prishtinë, po avokojnë pandërprerë, këto ditë, për shembull, në Vjenë nën regjinë e Wolfgang Peritschit.
Deri më tani kundër ndarjes së Kosovës janë deklaruar Gjermania dhe Britania e Madhe, por kjo nuk mjafton. Nuk po kërkon askush nga Londra e Berlini që të sillen ndaj Serbisë sipas porosisë së Richard Holbrookut, i cili thoshte se serbëve në disa situata kur s’marrin vesh duhet vënë revolverin në gjoks. Por, Berlini mund t’ia bëjë të qartë Beogradit se negociatat për hyrje në BE do të pezullohen nëse Serbia vazhdon rolin e saj destruktiv në rajon. Londra mund të paralajmërojë hapur se asnjë zgjidhje që legalizon kufijtë e rinj nuk do të kalojë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku Britania e Madhe ka të drejtën e vetos. Njëkohësisht këto dy shtete të fuqishme europiane mund të shfrytëzojnë ndikimin e tyre edhe te shtetet e tjera europiane për t’ia bërë të qartë Serbisë se portat e BE-së mbesin të mbyllura nëse nuk e pranon Kosovën.
Serbia nuk do të kënaqet vetëm me ndarjen e Kosovës. Sot presidenti Aleksandar Vuçiq tha se në kuadër të marrëveshjes me Kosovën (lexo: për ndarje) Serbia kërkon garanci se do të hyjë në BE në vitin 2025. Të dy shtetet, Britania e Madhe dhe Gjermania, po ashtu mund të përshpejtojnë procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Vetëm me apele kundër ndryshimit të kufijve dhe kundër ndarjes së Kosovës Gjermania dhe Britania e Madhe rrezikojnë të mbesin vetëm.
ma.me