Ish-kryeministri Sali Berisha ka vijuar akuzat e tij sa i përket trafikut ajror të drogës.
Në një postim në rrjetin Facebook, deputeti i PD thekson se sipas burimeve të sigurta, nga Vlora janë kryer 50 fluturime që prej muajit maj të këtij viti e gjer më sot.
Duke e quajtur ‘Shqipëria kanabiste jetime’, Berisha shprehet se ‘pavarësisht miliona rrënjëve kanabis të korrura dhe ruajtura prej policisë, parcelat kanë qenë jetime’.
“Kjo sepse kete vit arat e kanabisit qe te gjitha jane te deputeteve e drejtuesve lokal dhe qendror te Partise Siçiliste, jane te inspektoreve, drejtoreve te policise. Prandaj dhe çdo operacion gjithnje rezulton se behet ne token e askujt” – shkruan Berisha ndër të tjera.
Pak orë më parë, kreu i qeverisë paralajmëroi aktivitetin e nesërm në Pallatin e Kongreseve ku do të prezantohen rezultatet e luftës ndaj drogës. Sikurse paralajmëroi Rama, gjatë analizës do të bëhet edhe një krahasim me qeverisjen e shkuar.









