Nga Jakin Marena
Sali Berisha është mbyllur në ‘arrest shtëpiak’ një ditë para natës së ndërrimit të viteve, ndërkohë që hetimi nga SPAK për dosjen e privatizimit të ish klubit sportiv “Partizani” vazhdon me intensitet të lartë.
Duke vepruar sipas parimit ‘ndiq paranë’, parim amerikan ky ndoshta i ‘fituar’ nga trajtimet e shpeshta që prokurorët e posaçëm të SPAK dhe oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit bëjnë në SHBA me ekspertët e FBI dhe DEA-as amerikane, çështja është afruar shumë afër fundit, ndërsa njeriu që ka përfituar më shumë nga kjo aferë, superdhëndri Jamarbër Malltezi është dhe ai nën arrest shtëpiak.
Berisha dhe Malltezi, vjehërr dhe dhëndërr janë në pritje të përfundimit të këtyre hetimeve, për t’u përballur më pas në Gjykatën e Posaçme me akuzat e ngritura nga SPAK dhe për të marrë atë që u takon, dënimin për këtë zullum të kryer ndaj shtetit përmes korrupsionit pasiv e pastrimit të parave, apo për të dalë të pafajshëm.
Megjithatë deri atëherë gjasat janë që Berisha dhe Jamarbër Malltezi të qëndrojnë në ‘arrest shtëpiak’, me policë te dera për të garantuar jetën e tyre nga ndonjë incident apo fatkeqësi e mundshme, dhe ku sipas ligjit janë të detyruar të mos komunikojnë me njerëzit jaashtë, qoftë dhe përmes rrjeteve sociale.
Por për të dy, vjehërr e dhëndërr është e vështirë që të monitorohet ky proces, pasi janë në të njejtin pallat, atë në rrugën ‘Mustafa Matohiti’ në Tiranë, dhe nuk dihet se si është komunikimi i brendshëm mes tyre, pasi nuk përjashtohet mundësia që të kenë ndonjë derë komunikimi mes apartamenteve. Kanë shumë hyrje në pronësi dhe në çdo kat të këtij pallati në mes të Tiranës të del një nga familja Berisha.
Praktikisht Berisha është si në “Big Brother”, i mbyllur dhe pa të drejtë komunikimi me jashtë. Informacionet dhe lëvizjet politike, nuk mund t’i marrë me kontakte të drejtëpërdrejta, pasi ia ndalon vendimi i Gjykatës së Posaçme takimet, por kjo s’përjashton mundësinë e shfrytëzimit të rrjeteve sociale për t’u njohur me situatën dhe mbajtur në sintoni me lëvizjet politike nga larg.
Dhe po ligjërisht, sipas vendimit është SPAK që vëzhgon të gjitha lëvizjet e Berishës në arrestin shtëpiak, analizon komunkimet me rrjetet sociale, ku dhe urimi për vitin e ri 2024 kishte brenda pak ‘Ramë’, të cilin e sulmon dhe premton ta rrëzojë regjimin e tij në një të ardhme që Berisha e cilëson të afërt. Kuptohet me kutin e tij, pasi s’dihet tashmë se si e ‘mat’ kohën lideri i Foltores.
Por të mërkurën në mbrëmje, Berisha ka dalë tej parashikimeve, duke mbajtur një fjalin nga dritarja e banesës ku është mbyllur nën arrestin shtëpiak, para mbështetësve të paktë që kishin ardhur për të ‘kryer’ ritualin e përditshëm para banesës së liderit të Foltores. Nuk po ndalemi tek përmbajtja, pasi është një ‘film’ i parë shumë herë me sulme ndaj Edi Ramës. Po pyesim nëse SPAK po vëzhgon dhe mban shënime për këtë shkelje të masës së sigurisë arrest në shtëpi nga Berisha dhe nëse është në fazën e fillimit të hartimit të kërkesës për ta drejtuar në Gjykatë për një masë më të ashpër, pra arrest me burg?! Nuk përbën problem ca thotë Berisha, i cili ka gati dy vite që kërkon të ‘rrëzojë shumë shpejt regjimin e Edi Ramës”. Siç di të ‘kronometrojë’ kohën e rrëzimit Berisha kur është në hall të madh.
Ndoshta kur flet për një vit ndoshta e ka fjalën për një dekadë, pra për 10 vite. Ndoshta është në rregull me largimin e Ramës, por jo nga ai. Dhe 10 vite të tjera ndoshta shpreson se Rama do të mërzitet me pushtetin dhe do bjerë në ‘kompromis’ për herë të parë pas shumë vitesh konfliktesh të forta me Berishën, nëse e lejon ndoshta biologjike këtë të fundit deri atëherë, për drejtimin e Foltores nga një grua por dhe të mazhorancës socialiste po nga një grua.
Rama ka dhënë prova të forta për përfshirjen e grave në politikë, në qeverisje dhe në Parlament në kuota të admirueshme, ndërsa Berisha tashmë me sa duket e ka bërë fakt të kryer kalimin e “Foltores” në duart e vajzës së tij Argita Berisha Malltezi. Kjo u pa dhe në ditën e parë të këtij viti, ku përshëndetjet për ata mbështetës të paktë që kishin ardhur për t’i thënë doktorit ‘si ke njeh’ dhe uruar shëndet dhe Vitin e Ri 2024, e ka bërë Argita. Pra ka shpresë se mund t’i jepet vendit një duel “tigreshash”. Ky është një hamendësim, por jetojmë në Shqipëri dhe çfarë nuk ndodh pas 10 vitesh.
Gjithsesi Berisha në mbylljen e tij në këtë ‘Big Brother’ është nën monitorim. I ka të gjitha brenda, që nga komoditeti, ngrohtësia e bashkëshortes, por dhe vizitat e vajzës që është në të njejtin pallat, ndonjë vizitë nga mbështetësit e tij, ndonjë postim dhe jashtë kornizës ligjore për të sulmuar kundërshtarin politik Edi Rama si ‘argat të Beogradit’ dhe ‘diktator i Shqipërisë’. Por dhe ndonjë miting nga dritarja e banesës në katin e epërm të pallatit për militantët e tij, siç bëri këtë të mërkurë me fjalimin para ithtarëve. Ndoshta i përdorur dhe si ‘test’ për të tatuar pulsin e SPAK nëse do të reagojë, dhe për të vjijuar në të ardhmen nëse hesht!
Nuk duhet të harrojmë se ka dhe dy flamurë të PD në banesë dhe kur del i valëvit në dritaren e apartamentit, sa herë që i vjen ndonjë ‘dron’ nga mbështetësit e paktë të tij që kujtohet më të pasi s’dinë të bëjnë asgjë pa qënë Berisha mes tyre. E kanë lidhur jetën me të, mendojnë me kokën e tij, ndërkohë që trurin e kanë ‘depozituar’ në apartamentin e Berishës dhe nuk mendojnë vetë. Thjeshtë presin nga lideri, ndërsa SPAK, ‘vëllai i madh’ vëzhgon gjithçka dhe mban shënime. Të cilat nuk përjashtohet që të çojnë drejt një mase më të ashpër sigurie, mbylljen e Berishës në qeli.
Por deri atëherë, ithtarët e Berishës këmbëngulim që e kanë ‘depozituar trurin’ në apartamentin e Berishës, do presin se çfarë do të nxjerrë ai nga goja dhe kanë vetëm një të drejtë: të thonë dhe të përcjellin për mbështetësit e tyre që festuan rëndshëm vitin e ri, mesazhet e liderit që është nën ‘arrest shtëpie’.
Berishës ia do halli i tij personal të mendojë gjithçka. Madje dhe justifikohet me rrëshqitjet e tij të të gjykuarit e të perceptimit të situatës politike dhe asaj të opozitës, siç e do ai. Sikur gjithçka rrotullohet rreth tij. Berisha, e kemi thënë jeton në një realitet të tijin, të krijuar nga halli personal me tërë familjen kandidate për burg, vetë nën arrest shtëpiak, me Foltoren që po bie “pikiatë” në mbështetjen politike dhe me tërë situatën kundër tij.
I ka kundër që nga ndërkombëtarët, drejtësia e deri tek demokratët që kanë nisur të largohen masivisht prej tij. Demokratët janë lodhur së luftuari për të, nën slloganin e mbështetjes së opozitës, ku në të vërtetë janë përdorur kryekëput për të mbrojtur kullat e dhëndrit dhe vajzës së Berishës, bizneset e të birit Shkelzen dhe abuzimet me pushtetin të tërë familjes Berisha dhe ortakëve të tij. Ndaj po qëndrojnë larg. Kanë halle mbijetese si gjithë shqiptarë, dhe demokratët.
Por Berisha jeton në realitetin e vet, një realitet paralel me realen. Ndoshta i mbyllur në shtëpi, i vetëm në këtë “Big Brother” politik, Berishës i duket vetja si Nelson Mandela, ndoshta dhe si Gandi apo dhe Navalny, lideri opozitar rus. Por me një ndryshim, asnjëri prej këtyre të treve nuk ka pasur moshën biologjike të Berishës kur kanë filluar lëvizjet e tyre, dhe mbi të gjitha asnjëri prej tyre nuk ka qënë në pushtet para se të nisnin lëvizjet e tyre dhe të provonin burgun, apo më keq akoma të kenë ‘ngjyer gishtin’ në paratë e qytetarëve.
Dhe për më tepër ata që kërkon të imitojë Berisha në ëndrat e tij kanë qënë dhe janë të burgosur politikë, ndërkohë që Berisha familjarisht është nën akuzë për korrupsion pasiv, është shpallur ‘non grata’ nga SHBA dhe Britania e trajtohet si i tillë nga vendet e BE, vendet demokratike të rajonit dhe tërë globit.
Pavarësisht se Berisha jeton në një realitet komplet tjetër nga realja, paralel me të, ajo që nuk kuptojmë është se si mbështetësit e tij të paktë, ata që i kanë mbetur, nuk e kuptojnë këtë ‘botë ëndrrash’ pleqërie të liderit të tyre, aq sa përsërisin çfarë thotë ai, shpresojnë çfarë i thërret mendja atij, dhe akuzojnë me të njëjtin fjalor. Berisha ka hall, po këta çfarë kanë?
Për hir të së vërtetës ‘yjet’ për Berishën parashikojnë ditë të zymta. Për pasojë dhe “Foltorja” që e ka lidhur fatin shkurt me të, duke u mbyllur dhe ajo në apartamentin e Berishës, ditë akoma të zymta ka përpara. Rama jo vetëm që nuk ka asnjë shans që të rrëzohet, por do të vazhdojë të qeverisë gjatë këtë vend. Derisa të mërzitet apo siç deklaron gjithnjë vetë deri sa të ketë realizuar vizionet e tij se si e do këtë vend.
Pra për të mbetur në histori si lideri politik që theu rekordet në qeverisjen e vendit me shumë mandate kryeministri rresht, për numrin e turistëve, ndryshimin e tërë qyteteve shqiptare, rritjen e nivelit të jetesës, faktorizimin e fortë të Shqipërisë në rajon, Evropë dhe Botë, bërjen e Shqipërisë pararojë të shfrytëzimit të inteligjencies artificiale e arritje të tjera të këtij lloji. Dhe mbi të gjitha ndoshta për të qënë i vetmi kryetar bashkie në Shqipëri që u bë dhe kryeministër. Pasi Basha nga krahu tjetër politik qëlloi një dështim total, që jo vetëm nuk arriti postin e kryeministrit pas qeverisjes së Tiranës por humbi dhe pjesën më më madhe të PD. Pra, për të mbetur Edi Rama i pari dhe i fundit, dhe i vetmi i këtij lloji në Shqipëri. Një rekord më vete me një fjalë.
Të gjitha këto duan kohë dhe vullnet për t’i bërë. Dhe Rama kohën e ka me pash, fiton sa herë të dojë, kuptohet jo me zgjedhje të parakohëshme pasi s’ka nevojë të bëjë akrobacira politike kur fitoren e thellë e ka në xhep me këtë opozitë dhe me ato arritje që ka bërë në këto tre mandate. Ndërsa vullnetin Rama e ka të palëkundur, me një fjalë e ka syrin ‘kokërr’, çka tregon se PS-në do ta udhëheqë gjatë. Pasi ka në anën e tij jo vetëm një trupë votuesish me plus minus 800 mijë mbështetës pa asnjë cedim nga zgjedhjet në zgjedhje, por dhe mbështetjen e aleatëve tanë të mëdhenj, SHBA, BE e Britania. Të cilët e shohin si të vetmin partner të besueshëm në Shqipëri që mund të garantojë qeverisjen stabël të vendit, stabilitetin në Shqipëri dhe rajon, të banuar nga shumë shqiptarë.
Ndaj shpresojmë që mbështetësit e Foltores të mos e shohin realitetin me syrin e Berishës që ka një realitet të vetin paralel me realen, të mos ecin me ëndrrat e Berishës për përmbysje nga arresti të kundërshtarit politik. Eshtë koha të bëjnë zgjedhjen e tyre demokratët që s’votojnë socialistët, të riorientohen në ‘tregun politik’ shqiptar. Secili është më i mirë se ai i Berishës që po e dërgon në ‘amëshim’ opozitën hap pas hapi.
Demokratët duhet të kuptojnë se me Berishën nuk vihet në pushtet. Aq më tepër me Berishën nën arrest shtëpiak, kjo është një utopi. Dhe kjo situatë mund të vazhdojë gjatë, përtej vitit 2026, ku Berisha me shumë gjasa do jetë në këtë “Big Brother’ politik, i vetëm, pa shanse për të dalë nga gjendja e arrestit. Një ‘Big Brothër’ që në fund nuk ka asnjë ‘bonus’ për të, por që mund t’i rezervojë thjeshtë një ‘banesë pa qira’.
Deri në momentin kur dosja të shkojë nga SPAK në gjykatë. Dhe atëherë s’ka garanci, pasi mund të përballet me vite burgu për aferën “Partizani” apo ta ‘zërë rrugës’ ndonjë dosje tjetër e hapur si “Gërdeci”, “21 janari”, afera CEZ-DIA, “Rruga e Kombit” dhe zullume të tjera. Duke e bërë akoma më të pamundur stabilizimin e “Foltores”, se shanset për pushtet janë shuar për një kohë shumë të gjatë. Deri në pamundësi. Pushteti për opozitën tashmë ekziston vetëm në ëndrrat e Berishës. “Vegime’ nga halli personal këto, që asesi s’duhet të bëhen ‘vegime’ të demokratëve.