Nga Jakin Marena
Procesi i kalimit të anëtarësisë së “Rithemelimit” Nga Sali Berisha në dorë të Ilir Metës ka nisur që në momentin kur Apeli vendosi që vula dhe logo e PD t’i mbeteshin grupimit të Alibeajt.
Që në ato momente Berisha ishte më i vendosur se kurrë për të konsoliduar aleancën mes “Rithemelimit” dhe Politik të Lirisë, aleancë që konkludonte në kalimin e demokratëve që e ndiqnin nga e djathta në të majtë, tek partia e Metës. Ajo pjesë që ka mbetur të kuptohemi.
Në këtë mënyrë bëhet realitet ëndrra e Metës për t’u vënë në krye të opozitës, e shprehur dy vite më parë në prag të zgjedhjeve parlamentare, teksa kërcënonte Lulzim Bashën se do të merrte vetë drejtimin e opozitës, duke e akuzuar se kishte shitur interesat e PD tek Edi Rama dhe për mefshtësinë që po manifeston ai. Dhe për këtë të fundit kishte të drejtë në fakt, sepse Basha është jo i mefshtë por një i paaftë dhe dembel funksional.
Kreu i Partisë së Lirisë dalëngadalë po merr në dorë frenat e opozitës, jo për të shënuar një ‘fitore tronditëse në zgjedhjet për pushtetin vendor më 14 maj”, por për ta pasur si një aset pas humbjes në këto zgjedhje, për shkak se të gjitha sondazhet serioze tregojnë se numri i bashkive që mund të marrë koalicioni “Bashkë Fitojmë” është shumë pak ose aspak.
Sondazhet tregojnë trendin për zgjedhjet e 14 majit, dhe ky trend shënon vetëm rritje për mazhorancën socialiste dhe kandidatët e saj, ndërkohë që koalicioni “Bashkë Fitojmë” është vetëm në rënie dhe vetë liderët e saj Berisha dhe Meta rezultojnë sipas këtyre anketimeve poshtë kryeministrit Edi Rama në mbështetje. Madje në Elbasan shënojnë shumë poshtë dhe kandidatit socialist për këtë bashki Gledian Llatja, por dhe kandidatit të “Bashkë Fitojmë”, Luçiano Boçi.
“Transaksionin” për kalimin e demokratëve nga e djathta në partinë e majtë të Metës e tregon më së miri koalicioni i nëshkruar dhe me të cilin kanë hyrë në garën zgjedhore të 14 majit, teksa nuk ka sigël të PD në asnjë cep të saj. Madje në kolonën e liderëve të koalicionit apo partive pjesëmarrëse mungon emri i Ilir Metës, nën ‘çatinë’ e të cilit është regjistruar në zgjedhje “Rithemilimi’ i Berishës, që përbën dhe grupimin më të madh në PD.
Përtej ‘piruetave’ të Berishës dhe Metës për të argumentuar mungesën e emrave të drejtuesit të koalicionit në fletën e votimit, është goditur në KAS vendimi i KQZ për një fletë votimi pa emrin e kreut të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, e vërteta është krejt ndryshe. Pasi dhe sot u diskutua kërkesa e partisë së Metës që emri në fletë votimi të jetë i Berishës si kryesues i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, kërkesë që u rrëzua nga KAS, që kërkoi të vendosej emri i kreut të PL. E dinin si dreqi se do rrëzohej nga KAS sikurse u rrëzua, pasi Berisha juridikisht është deputet dhe anëtar i thjeshtë i partisë së Metës, pasi atë dhe “Rithemelimin” nuk e njeh askush.
Sëpari, Berisha dhe Meta kanë zgjedhur këtë mënyrë prezantimi në fletën e votimit para elektoratit të tyre për zgjedhjet e 14 majit, për të mos zemëruar demokratët me emrin e Metës pasi e kanë ‘halë’ në sy, dhe nga ana tjetër për të mos degjenruar Berishën dhe publikisht në atë farë feje që të deklarohet zyrtarisht si vartës i kreut të Partisë së Lirisë, apo si ‘numëror’ topi i tij. Por dhe për të mos trembur anëtarësinë e ish LSI-së tani Partia e Lirisë me Berishën “non grata” nga SHBA dhe Britania.
Arsyeja tjetër është se “Rithemelimi” është në procesin e kalimit nga “pronësia” e Berishës në ‘pronësinë’ e Metës. Dhe aktualisht kur është në mes të këtij “transaksioni” nuk është parë e udhës që t’i jepet autorësia e grupimit të bashkuar në këto momente, pa u shpallur “pronari’ fundor i saj. Pra pa përfunduar “transferimi” i plotë i demokratëve tek partia e majtë e Metës.
Ky proces e dha dhe efektin e parë në ditën e çeljes zyrtare të fushatës zgjedhore për koalicionin “Bashkë Fitojmë”. Organizatorët ishin kujdesur për gjithçka, për mbushjen aq sa u mbush, të gjysmës së stadiumit kombëtar “Air Albania”, kujdesi që regjia qëndrore që tregonte vetëm pjesën e ‘populluar’ me pjesëmarrës.
Madje organizatorët ishin kujdesur dhe për hyrjen me gjithë furgonin me sloganin për transportin falas të kandidatit të Berishës për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, slogan i cili me sa duket do të jetë “kali i betejës” i tij për garën e 14 majit përballë kreut aktual dhe kandidatit të PS për këtë bashki, Erion Veliaj.
Pra ishin kujdesur për gjithçka. Por kishin ‘harruar’ diçka fare të vogël: S’kishin llogaritur njerëz për të qënë prezentë në momentin kur Sali Berisha, lideri i “Rithemelimit” të mbante fjalimin e tij në hapjen e fushatës. Si me komandë u larguan të gjithë, duke e lënë stadiumin bosh fare.
Një pamje e turpshme për liderin historik të PD Sali Berisha, i cili ka dhënë tonin politikës për 32 vite me radhë, herë në pushtet në majat më të larta të tij, e herë në opozitë. Pamjet filmike që pushtuan rrjetin, mediat e por dhe fotot që u shpërndanë me këtë rast, tregonin një njeri në podium që ishte Sali Berisha, i cili i drejtohej karrigeve bosh dhe stadiumit të braktisur tërësisht. Dhe të mendosh se Berisha është njeriu që ka paguar faturën mbi 100 mijë euro të mitingut.
Ndoshta ka qënë një skenar i mirëmenduar nga ana e kontestuesve të tij brenda “Rithemelimit”, të cilët ndoshta kanë pasur ndonjë hatërmbetje me të. Pak gjasa ka që të ketë qënë për kaq pak. Braktisja duket se ka ardhur dhe për shkak të faktit se demokratët janë të bindur tashmë se me Berishën “non grata” dhe kundër SHBA e ndërkombëtarëve, në kupolën e aleancës “Bashkë për Fitore”, ky koalicion nuk vjen kurrë në pushtet.
14 majin e kanë qarë me kohë dhe me vakt demokratët që ndjekin pas Berishën, pasi e dinë se kanë humbjen të sigurtë, por stadiumin e kanë braktisur me mendjen te zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, ku të gjitha gjasat janë që Rama të fitojë sërish zgjedhjet dhe demokratëve u bëhen plot 16 vite në opozitë. Plot katër mandate njëri pas tjetrit jashtë pushtetit.
Pra braktisja ka qënë një reagim njerëzor ndaj një lideri që po i lë përjetësisht në opozitë, teksa për hallin e tij personal është në konflikt me partnerët tanë ndërkombëtarë që e kanë izoluar në atë far feje sa nuk i japin as dorën.
Arsyeja tjetër e braktisjes së Berishës nga ana e demokratëve ka qënë procesi i ‘transferimit’ të anëtarësisë në drejtim të partisë së Metës. Proces i cili dhe për arsye tërësisht njerëzore nga ana e demokratëve që kanë ‘prerë thumba’ në opozitë për 12 vite me radhë në pushtetin qëndror, tërësisht në opozitë në pushtetin vendor, ka nisur më herët se sa ishte parashikuar. Pra ka nisur që në mitingun e hapjes së fushatës elektorale të 14 majit në “Air Albania”. Ndaj braktisja ishte tërësisht masive, duke lënë prezentë gjatë fjalës së Berishës, aq sa mund të mbeten punëtorë fushe një orë pas përfundimit të ndonjë ndeshjeje futbolli në këtë stadium.
Shqiptarët nuk janë budallenj, e aq të paorientuar, sa për të mos kuptuar mesazhet “shqip-shqip” të SHBA dhe partnerëve tanë se Berisha përfaqëson të shkuarën dhe me të s’ka të ardhme dhe as pushtet. E thënë qartë dhe saktë dhe për ndjekësit e Berishës kjo. Dhe për këtë arsye demokratët e Berishës kanë lëvizur për të pasur shpresë se mund të kenë ndonjë vend pune me Metën. Nuk e kanë për herë të parë një lëvizje të tillë, kështu bënë dhe më 2013 pas nënshkrimit të koalicionit Rama-Meta, duke marrë dhe teserën e LSI asokohe për të mbajtur postet e fituar një vend pune.
Ndaj themi se “transaksioni” i kalimit të anëtarësisë së “Rithemelimit” tek Partia e Lirisë është në procesin kulminant të saj, për të mbyllur ciklin pas zgjedhjeve të 14 majit, ku të gjitha rrugët të çojnë drejt një fitoreje akoma më të thellë të PS dhe të Edi Ramës, në garën për kryetar bashkie dhe këshilla bashkiakë.
Pas 14 majit do të kemi një Berishë që akuzon Ramën, SHBA e gjithë botën se kanë kontribuar ‘padrejtësisht në humbjen e shkatërrimin e opozitës’, zë që do të vijë në rënie për nga ashpërsia dhe tonaliteti. Do të jetë dhe një alibi për Berishën për të justifikuar humbjen më 14, alibi për të cilën ka punuar që herët, sidomos pas vendimit të Apelit për vulën dhe logon e PD dhe kalimin e “Rithemelimit” në të ‘zezë”.
Por do jetë dhe një justifikim për të zgjedhur një lider zyrtar të këtij grupimi, që Berishës i volit shumë të jetë Ilir Meta. I cili kuptohet, me gjithë atë fluks demokratësh që do shkojnë tek PL e udhëhequr prej tij, do të ketë një rezultat më të lartë. Ndonëse do të jetë i dyti në ‘ranglistën’ e renditjes së partive politike në Shqipëri. Por Meta me 4 deputetë dhe me një LSI që ishte rrënuar, në themelet e të cilës lindi PL, ndoshta me të drejtë do ta quajë fitore për nga rezultati që pritet të marrë.
Fundja si Meta ashtu dhe Berisha do të luajnë me termin ‘fitore’ ndaj…Alibeajt, pasi nuk ka ndonjë njësi matëse për të matur votat e secilës palë, sepse janë me kandidatë vetëm me emërtesë “BF”. Këtu merr fund dhe ky ‘transaksion’ i kalimit të anëtarësisë së “Rithemelimit” te Meta. Pavarësisht se do të ketë rrjedhje, pasi mjaft demokratë pritet që të kthehen në ‘shtëpinë’ e tyre, tek PD që drejtohet nga Alibeaj.
Por Berisha nuk kishte në dizpozicion njeri më të besuar se Ilir Meta për t’i dhuruar grupimin e tij politik brenda PD që drejton. “Dhurim me prokurë” kuptohet. Jo vetëm se kanë të njejtin hall, por dhe sepse beson që, si mburojë për t’u mbrojtur nga SHBA dhe në përballjen me drejtësinë për dosjet e shumta që ka në SPAK apo rrugës drejt SPAK, Meta do ta ‘vinte dorën në zemër’ dhe ta mbronte. Apo do t’i ‘dalë zot’ siç e ka vënë dhe në një pjesë të slloganit të fushatës. Gjë të cilën ‘biri’ i tij politik Lulzim Basha nuk e bëri kur SHBA e shpalli Berishën ‘non grata’. Por dhe që s’ka besim as te Belind Këlliçi se mund ta bëjë, për t’i lënë drejtimin e “Rithemelimit” pasi shkollimi në SHBA i kandidatit të “BF” për Tiranën, i kujton atë shprehjen e Qazim Mulletit që “po e fute në burg me komunistët, bëhet më komunist se ata”.
Ndaj kënga “ka baba çun” e ‘kënduar’ për ‘besëprerin’ Basha, nuk po dëgjohet më në gojën e Berishës për Belind Këlliçin. Pasardhësi i Berishës tek “Rithemelimi” është Ilir Meta. Ndodh ndonjëherë që dhe “bishti peshon më rëndë se sqepari”. Megjithëse duhet të presim dhe të shohim, jo për vërtetësinë e ‘transaksionit” por për shpejtësinë e tij. 14 maji erdhi!