Partia Demokratike e Rithemelimit zhvillon sot Kuvendin Kombëtar, ku kërkohet votëbesimi i kryetarit të partisë pas zgjedhjeve vendore të 14 majit. Mbledhja nis në orën 11:00 ku përveç votëbesimit të Berishës, pritet të miratohet një rezolutë për qëndrimet e PD-së së Rithemelimit për situatën ku ndodhet grupi parlamentar, pas rrëzimit nga mazhoranca të komisioneve hetimore parlamentare. Gjithashtu Kuvendi do të miratojë edhe ndryshimet statutore për të forcuar kompetencat e Këshillit Kombëtar.
Sipas burimeve të A2 CNN, deputetët që mbështesin Bardhin nuk do të jenë të pranishëm në kuvendin e sotëm. Kjo ka qenë edhe një nga çështjet më të diskutuara. Berisha ua ka komunikuar me dyer të mbyllura edhe kryetarëve të degëve dhe kryesisë që deputetët e Bardhit nuk do të marrin pjesë në Kuvend. Sipas Berishës nuk duhet të ketë qejfmbetje me ta dhe kjo nuk do të ndryshojë asgjë në qasjen e Rithemelimit.
Në Kuvendin sotëm të PD-së së Rithemelimit do të jenë 15 folës, në të do të mbajë fjalim edhe një senator italian, ndërsa Kuvendi do të drejtohet nga Floriana Garo dhe nga Luçiano Boçi. Do të ketë dy inserte të shkurtra që do të tregojnë aksionin e opozitës.
/f.s