Vendimi i fundit i Partisë Demokratike për të afruar datën e Kuvendit Kombëtar, duke lënë një dritare kohore prej vetëm 24 orësh për paraqitjen e kandidaturave përballë Sali Berishës, ka ngjallur reagime.
Për analistin Lorenc Vangjeli, diskutimi mbi problemet e brendshme të PD-së po kthehet në një çështje të ezauruar, duke përdorur metaforën “si të vjedhësh bukën e jetimit”. Ai evidentoi paradoksin e opozitës që kërkon standarde kombëtare, por nuk i zbaton ato brenda shtëpisë së saj.
“Shohim se vetë zgjedhjet që organizon PD-ja janë një karikaturë zgjedhjesh pa standardet më minimale. Të gjithë e dinë që janë formale dhe me ‘sikur’. Gara do ishte formale edhe sikur të dilte një kandidaturë përballë Berishës. Që Shqipëria të ketë zgjedhje të lira e të ndershme, vetë partitë, si PD ashtu edhe PS, duhet të jenë të parat që ta dëshmojnë këtë brenda tyre,” argumentoi Vangjeli.











