Nga Jakin Marena
Bota e shifrave është e çuditshme. Madje dhe në përllogaritjet e rezultatit paraprak të partive politike në prag në zgjedhjeve, vendore apo parlamentare qofshin. Janë kokëforta shifrat.
Një lidership i zgjuar, përpos sjelljes së frymës në parti, për mobilizimin e të gjitha resurseve partiake për të maksimalizuar rezultatin, mbështetet dhe në përllogaritjen e fortë të shifrave që duke i kryqëzuar me logjikën e ftohtë të interesit dhe jo të emocionit politik, mund të shtrijë mbështetjen e vet politike në çdo cep të mundshëm të shoqërisë ku garon.
Dhe në Shqipëri, sa herë që ka logjikë të ftohtë, përllogaritje të shtrënguara dhe aspak “futuriste” për mbështetjen e partisë që përfaqëson, kur dëgjon zërat kritikë dhe jo ata që të bëjnë të “fluturojnë”, rezultatet vijnë. Ose së paku nuk ka pritshmëri të gabuar, që më pas kur nuk realizohen, shkaktojnë trauma sociale dhe për pasojë arrihet deri atje sikurse ndodh përgjithnjë në Shqipëri: Nuk njihet asnjëherë rezultati. Pa përmendur të tjerat!
Partitë zhvillojnë sondazhe të brendshme në mënyrë periodike të cilat shpeshtohen sidomos në prag të zgjedhjeve, mbi bazën e të cilave përpilohen dhe strategjitë politike për të “sonduar” me kauza të reja, elementë të rinj strategjikë e programorë që prekin shtresa të caktuara të shoqërisë që nuk e gjejnë veten në programin partiak, në mënyrë që të “thithet” dhe vota e tyre.
Dhe kur këto sondazhe bëhen me seriozitet, bëhen të shtrënguara pa ia bërë qejfin vetes, sikurse thuhet rëndom shqiptarisht, atëherë një ditë para zgjedhjeve çdo parti e ka në kokë rezultatin e përafërt të zgjedhjeve, duke shpresuar gjithnjë që “marzhi i gabimit” që zakonisht varion deri në 3 përqind të jetë në anën e tij. Kjo është punë fati por dhe çështje karizme politike e liderit dhe e grupit që e mbështet për përcjelljen e programit politik të partisë që përfaqëson në elektorat.
Por dhe mbi bazën e këtyre sondazheve, testimeve e takimeve të vogla apo të mëdha, bëhet dhe ngritja e koalicioneve parazgjedhore. Për të maksimalizuar votën, ulur rrjedhjet dhe arritjen e përputhmërisë mes numrit të votave me mandate deputeti, apo për pushtetin vendor për maksimalizimin e numrit të këshilltarëve bashkiakë dhe për kandidatin e përbashkët që mbështet aleanca politike për kryetar bashkie. Përllogaritje numrash përpos frymës themi.
Në Shqipëri të gjitha partitë zhvillojnë sondazhe të brendshme, dhe këtu është për t’u theksuar se në Partinë Socialiste janë shumë të shpeshta. Janë disa “kalemxhinj” të ftohtë që përllogaritjen e bëjnë gjithnjë në kufijtë minimalë të mbështetjes, pa asnjë lëshim, për të nxjerrë mbështetjen reale, që më pas të “sondohet” fort në zonat dhe grupet sociale apo shoqërore që qëndrojnë larg PS apo kanë dalë nga “zona e influencës” së saj për arsye të ndryshme, që nga mosrealizimi i premtimeve e deri pakënaqësitë me administratën apo ministra të caktuar. Rezultati i “sondimit” të brendshëm paraqitet shqeto në struktura, pa asnjë “lajle lule”, duke u përkthyer në detyra dhe skema të reja. Por dhe përshtatje lidershipi në rajone dhe qarqe.
Kjo ka dhënë rezultat, pasi PS ka disa zgjedhje rresht që nuk lëviz nga shifra e plus minus 800 mijë votave, që i garantojnë një mazhorancë dhe e vetme në pushtetin qëndror e atë vendor. Mban tërë skemën e mbështetjes të konsoliduar dhe të gatshme për çdo ballafaqim elektoral.
Ndaj është në mandatin e tretë qeverisës dhe me shumë gjasa do të fitojë dhe mandatin e katërt, ndërkohë që në të gjitha sondazhet e pavarura klasifikohet si fituesja e vetme e shumicës së bashkive dhe këshilltarëve bashkiakë në të gjithë vendin në zgjedhjet e përgjithshme vendore të vitit të ardhshëm.
Por ndryshe ndodh te opozita shqiptare, apo më saktë Partia Demokratike. Sipas informacioneve që kemi pasur e kemi dhe tani, sondazhet e brendshme të saj kanë qënë në kufijtë e fiktives, thjeshtë e vetëm për ta pasur lideri i radhës si “as” për dominimin e partisë deri në zgjedhje.
Duke u mbështetur te masivizimi i protestave, që s’tregojnë aspak mbështetjen reale të shoqërisë që domosdoshmërisht të përkthehet në mbështetje në mazhorancë dhe në ballafaqimin e radhës, si dhe duke e trembur votuesin “gri” me deklarata maksimaliste, të pabesueshme deri në kufijtë e absurdit, PD dhe opozita gjithnjë kanë da e zhgënjyer nga rezultati i zgjedhje.
Dhe për të justifikuar dështimin, lidershipi i PD dhe opozitës e ka adresuar gjithnjë fajin tek mazhoranca, nën argumentin e vjedhjes së votës. Askush nuk e beson se mund të vidhen 250 mijë vota, sa është diferenca maksimale e arritur mes të majtës dhe të djathtës në zgjedhje.
Por meqë jemi pak muaj para zgjedhjeve vendore, me shumë gjasa do të zhvillohen me 14 maj 2023, është evidente të shohim qasjen e mazhorancës dhe opozitës ndaj këtyre zgjedhjeve dhe angazhimin për të marrë rezultatin maksimal.
Socialistët tashmë e kanë filluar fushatën, kanë caktuar të deleguarit dhe grupet e punës, dhe zbritja në bazë ka filluar me kohë dhe vakt. Hap pas hapi dhe pa ngutje, duke angazhuar të gjitha potencialet njerëzore partiake në evidentimin e punëve të mira të qeverisë dhe të drejtuesve të saj vendorë. Duke evidentuar dhe të metat, dhe në veçanti duke tentuar që të mbahet, por dhe për t’i shtuar, votat e konsoliduara në çdo palë zgjedhje dhe që i kanë dhënë fitoren.
Jo rastësisht në të gjitha sondazhet e pavarura, PS dhe lideri i saj Edi Rama janë më të preferuarit e shqiptarëve. Madje gati dyfish me opozitën. Dhe për të qënë korrektë, rezultatete sondazheve të pavarura i japin më shumë mbështetje PS se sa vetë sondazhet e brendshme. Të cilat bëhen me një marzh shtrëngimi më të fortë, për të mos lënë të bëjnë “gjumin” e dëshiruar strukturat por të jenë gjithnjë nën presion.
Ndryshe po ndodh me opozitën. PD është në një udhëkryq të habitshëm vetëm pak muaj para zgjedhjeve. Sali Berisha që dëboi Lulzim Bashën nga drejtimi i partisë e që kryeson grupin më të madh në PD, ia ka dalë që jo vetëm të largojë dhe të bëjë të painteresuar grupin e Basha-Alibeaj, pjesës zyrtare në fakt të partisë, por dhe të largojë apo të stepë disa figura që kanë mbështetur fort “Foltoren” e Berishës me të cilën largoi Bashën por dhe siguroi njëfarë mbrojtjeje politike nga presioni i shpalljes “non grata” nga SHBA apo nga dosjet e rënda që janë gati për t’u hetuar nga SPAK. Ky i fundit do hetojë kur t’i dalë frika nga Berisha, por ne shqiptarë jemi, e kemi kalitur durimin dhe jemi gati të presim. Gjithnjë kemi qënë në pritje, dhe për çfarëdo.
Pra PD ende nuk ka zgjidhur problemin e lidershipit, pasi ankimimi i Alibeajt për kongresin e Berishës është në Apel, një ditë do vendosë dhe kjo gjykatë se kujt do t’ia japë vulën dhe logon e partisë për ta përdorur për regjistrim zyrtar në zgjedhje.
Në të dyja rastet dhe nëse i kalon Berishës e grupit të tij në PD edhe nëse e mban sërish Basha-Alibeaj e grupi i tyre, që kanë dhe mazhorancën në grupin parlamentar, demokratët janë në pikën më të lartë të konfliktit mes tyre, e shohin njëri tjetrin si armiq. Sondazhet japin kuota të ulta mbështetjeje për PD, sa numërohen me gishtat e njërës dorë bashkitë që mund të fitohen në zgjedhjet e vitit 2023, nga 61 bashki që janë gjithsej. Themi kështu pas nuk ka gjasa që reforma Territoriale të ndryshojë numrin e tyre, mund të shtojë ndoshta pak, por kurrë 94 sa kërkon opozita. S’ka fshatra që ngrihen në nivel bashkie askund në botë.
Pra në të gjitha rastet PD është e ndarë me dy pjesë, dhe as bashkimi i këtyre pjesëve në një të vetme, por as dhe bashkimi i tyre me Partinë e Lirisë së Ilir Metës nuk i jep fitore në zgjedhjet vendore. Madje rrezikon shumë të marrë ndonjë bashki përpos Shkodrës, ku dhe këtu shanset i ka 55 me 45 përqind. “Kampioni” është ballafaqimi i pjesshëm zgjedhor vendor më 6 mars të këtij viti, ku as PD zyrtare e Bashës dhe as “Shtëpia e Lirisë” një “aliazh” politik mes “Foltores” së Berishës dhe LSI të Kryemadhit(Metës) nuk arriti fitore. Rezultati doli 5 me 1 në favor të PS, madje me rezultat shumë të thellë.
Ajo që mund të evidentohet është gjendja brenda opozitës, PD zyrtare e Bashës ndonëse kaloi në vend të tretë në rang-listën e partive politike, arriti të merrte mbi 35-40 përqind të mbështetjes opozitare. E vetme dhe në kushte presioni nga të gjitha anët.
Tashmë që dhe “ftohja” me grupimin e Berishës ka filluar për njëmijë e një arsye, mund të thyemi se në mos ka rritje ta paktën ky trend mbështetje tek opozita për grupin Basha-Alibeaj është në kuotat e 35-40 përqindshit. Me vulë apo pa vulë partie, ky është një fakt dhe nuk lëviz.
Dhe kur Berisha nuk ka lëshuar asnjë sinjal afrimi me këtë grupim brenda PD, por thjeshtë dhe vetëm kërkon të aplikojë strategjinë e të fortit që nështron pakicën, për më tepër që vihet re një aktivizim i dukshëm i Bashës, që praktikisht ka në mbështetje krerët dhe demokratët e veriut të vendit, pikërisht aty ku është dhe “hambari” i votave për opozitën, rezultati i opozitës në zgjedhje pritet të ndahet në 60 përqind për opozitën e Berishës plus atë të Metës në rastin më të mirë, dhe minimumi ne 40 përqind për grupimin Basha-Alibeaj.
E themi këtë sepse PD praktikisht po shihet e ndarë në dy parti. Kjo u vu re dhe në takimet që bëri Presidenti Bajram Begaj me partitë parlamentare për caktimin e datës së zgjedhjeve. Takoi përfaqësuesin e “Foltores” Oerd Bylykbashin, krerët e partive të djathta dhe të majta, ndërkohë që të mërkurën do të takojë dhe drejtuesin e grupimit kundërshtar të Berishës, kreun e komanduar të PD zyrtare deri më tani dhe të grupit parlamentar të kësaj partie, Enkelejd Alibeaj.
Pra si në rastin kur vula dhe logo e PD i mbetet Basha-Alibeajt pas vendimit të Apelit, si në rastin kur i kalon grupimit të Berishës, demokratët do të hyjnë me dy parti në zgjedhjet e majit 2023. Ose Berisha futet nën “hyqmin” e partisë së Metës, për të hedhur 61 kandidatura të vetat dhe dhënë mbështetje për kësdhilltarët dhe të PL, ose Basha-Alibeaj do të bëjnë parti të re.
Pikërisht këtu del në pah lidershipi politik, nëse do të veprojë mbi bazën e emocioneve apo hatërmbetjeve apo të përllogoritjes së ftohtë të numrave që mund të maksimalizojnë rezultatin në zgjedhjet vendore për PD dhe opozitën.
Një koalicion mes Berishës dhe Metës, mund të funksionojë në kupolën e partive respektive, por në bazë ngec. E kanë treguar në të gjitha zgjedhjet kur kanë dalë bashkë, ka punuar baza e partive respektive kundër njëra tjetrës e asnjëherë nuk kanë fituar, qoftë dhe një kryetar bashkie. Si dikur në bashkinë e Elbasanit, që e humbën më thellë akoma përballë PS.
Për më tepër që PL e dalë nga ‘gërmadhat’ e LSI shihet si parti klienteliste apo në perceptimin popullor si parti “tradhëtare” që lëviz si “lavjerrës” politik, sa majtas djathtas, herë me PS dhe herë me PD. Por dhe për faktin se e cilësojnë një parti që i ka përlyer të djathtën me “damkën” e korrupsionit qeverisës.
Kështu mendojnë demokratët dhe votuesit e thjeshtë të djathtë, ata që e bëjnë llogarinë thjeshtë dhe me pak elementë. Por që kanë në dorë votën, pra dhe mundësinë që të të sjellin në pushtet. Dhe në këtë rast shumatorja mes grupimit të Berishës dhe PL të Metës s’është rezultat numrash, dhe jep më pak se në rastin e përllogaritjes së votave veçe e veç. Kjo është fryma që s’jep kurrë numra.
Por dhe po të bëjmë përllogaritjen e numrave, nuk del aspak në rregull opozita. Në zgjedhjet e 25 prillit të vitit 2021, PD mori 622 265 vota, ndërsa LSI, tani PL, 107 536 vota, që nuk e kalojnë numrin e 768 250 votave të PS. Të kuptohemi, tek PS nuk po llogarisim 35 509 votat e PSD.
Por dhe brenda grupimit opozitar ka dallime. Duke i qëndruar fort idesë se grupimi Basha-Alibeaj ka 40% të mbështetjes së PD, atëherë me logjikën e numrave ky grupim ka me plus minus 250 mijë vota.
Pra në një rast të mundshëm, nëse hiqen këto vota nga trungu i PD dhe kalojnë për grupimin Basha-Alibeaj, atëherë janë plot 145 mijë vota më shumë që i hiqen PD, dhe në rastin e një koalicioni Berisha-Meta, ku ky i fundit ka 107 mijë vota në zgjedhjet e fundit, që i shtohen pjesës së mbetur të grupimit të Berishës, që thjeshtë bashkë me Metën mund të kalojnë 500 mijë votat. Në rastin më të mirë.
E mira për opozitën do të ishte që të bashkohej PD, gjë që është e pamundur, dhe bashkë me LSI të pretendonin të merrnin ndonjë bashki në zgjedhjet vendore 2023, dhe të pretendonin një rezultat dinjitoz, me shumë pak gjasa fitues, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Por e keqja më e vogël për PD do ishte më mirë një koalicion brenda vetes, pra mes grupimit të Berishës dhe atij të Basha-Alibeajt, se sa me Partinë e Ilir Metës. Përpos të tjerave do përfitonin më shumë numra mbështetje, referuar në rezultatet e fundit të zgjedhjeve, referuar numrave gjithnjë. Por do të përcillte dhe frymën e bashkimit të demokratëve. Basha e tregoi në zgjedhjet e vitit 2021 kur ktheu në “bazë” gati 100 mijë votat e PD që ishin “arratisur” ndër vite për efekte pushteti tek LSI.
Do të shohim në të ardhmen kush do të prevalojë më shumë në PD, logjika e numrave dhe e kalkulimit politik apo emocioni dhe inati për të ‘zhdukur’ kundërshtarin brenda partisë. Këtu duket lidershipi e përllogaritja e ftohtë e fakteve, numrave dhe strategjisë. Me Metën, bashkimi mund të jetë mekanik, por asnjëherë nuk funksionon saldimi në metal me elektroda tunxhi. Gjithsesi Berisha kërkon thjeshtë të jetë kryetar partie. Nuk pretendon fitore.