Duke u kthyer 25 vite pas në histori, një prej organizatorëve të grevës së urisë, Myftar Gjana, tregon se “Heronjtë e vërtetë nuk morën pjesë në ceremoninë e organizuar nga Partia Demokratike, ata janë sot këtu”. Në një intervistë për “Shekulli”-n, Gjana, ka treguar rolin e vërtetë të Berishës, Hajdarit dhe Pashkos për të ndaluar grevën e urisë. Ndërsa duke u ndalur te rrëfimi që ish-kryeministri Berisha bëri dy ditë më parë, Gjana thotë se ka bërë dhe po bën përpjekje për ta “plaçkitur” dhe shtrembëruar historinë e grevës së urisë, duke futur në lojë protagonistë të rremë.
Si nisi greva dhe kush e nisi?
Një natë para se të niste greva, kanë qenë të regjistruar vetëm 180 vetë, pastaj u shtua numri sa nuk i zinte “Kinoklubi” dhe u ndaluan që të hynin të tjerë. Donin të hynin edhe qytetarë, por i ndaluam. Që të futeshe në grevë duhet të kishe librezë studenti. Është vënë te dera flamuri, pa yll. E solli Edvin Shvarci. Dua t’i përgjigjem edhe mikut tim Mark Marku për çështjen e deheroizmit. Qëndrimi i Markut intelektual dhe poetik, është shumë luksoz si qëndrim. Greva nuk kishte sportivitet. Unë kam hyrë në grevë me 40 gradë temperaturë. Ne kishim tre javë që e kishim vendosur që do bënim grevën. Tri javë përpara çdo darkë e “teatralizuam” sistemin këtu në Qytetin Studenti. Pak vetë ishim. Dilnim me një megafon portativ, unë, Shenasi Rama, Blendi Gonxhe, Ilir Dizdari dhe mbanim fjalime. Qyteti Studenti ishte i zbrazur, ishte kohë provimesh dhe po e mbyllnin Universitetin. Kishin marrë vendim, por ende nuk kishte dalë.
Gjatë këtyre dy javëve a kishte presion nga sistemi i kohës apo dhe nga drejtues të Partisë Demokratike?
Na merrnin në polici gati përditë, nga dy orë, dhe na linin pastaj. Por regjimi në Qytetin Studenti kishte rënë. Edhe vetë zyrtarët e regjimit thonin se në Qytetin Studenti, studentët mund të bënin çfarë të donin. Duhet të keni parasysh se pavarësisht se ishte një muaj pas formimit të opozitës dhe shpalljes së pluralizmit, pesha kryesore dhe frymëzimi në atë kohë ishin studentët që rrinin nëpër konvikte, sepse ishin më të bashkuar dhe kishin mundësi lirie më shumë se të tjerët, nuk shkonin në shtëpi në darkë, nuk kontrolloheshin. Ne rrinim gjithë natën duke diskutuar se çfarë të bënim për këtë vend. Janë bërë me mijëra diskutime për të dalë me një konkluzion.
Një pjesë e atyre grevistëve janë të shpërndarë në parti të ndryshme. Një pjesë e tyre dy ditë më parë morën pjesë ne ceremoninë që zhvilloi Partia Demokratike. Ju vjen keq kur i shihni që miqtë tuaj të idealit janë ndarë në parti dhe nuk vijnë të festojnë me ju?
Jo nuk më vjen keq. Prandaj i thonë Lëvizje. Nuk ka qenë formacion politik me rregulla të përcaktuara qartë. Por ata që sheh sot nëpër parti, nuk kanë qenë njerëzit më evidentë dhe protagonistët kryesorë të Lëvizjes Studentore. Prandaj janë shpërndarë në parti të ndryshme. Ata kanë përfituar nga Lëvizja Studentore, por nuk i kanë dhënë asaj asgjë. Atëherë kanë qenë të panjohur plotësisht. Protagonistët e vërtetë sot janë të pranishëm në këtë sallë, ndërsa një pjesë mungojnë se janë jashtë. Është e vështirë t’i mbledhësh të gjithë. Vetëm doja ta bëja të qartë se greva nuk ka filluar më 17 shkurt. Me datë 17, Gramoz Pashko me Sali Berishën kanë takuar Ramiz Alinë. Tani që ta dimë, këta festuan takimin me Ramiz Alinë, që morën vendim kundër nesh. Komisioni i Partisë Demokratike është mbledhur një natë para, me datë 17 kanë vendosur që të na ndalin me çdo kusht dhe kanë bërë dhe deklaratë te “Zëri Popullit” se ishte e përditshme, ndërsa në atë kohë RD-ja dilte dy herë në javë. Botuan deklaratën e kryesisë së Partisë Demokratike e cila thoshte: Jemi kundër grevës së urisë se shkakton gjakderdhje, pasoja sociale si dhe kërkojmë që studentët të shkojnë në shkollë. Gjysma e studentëve që kanë organizuar protestat janë jashtë dhe e kanë të pamundur të tregojnë të vërtetën. Unë vetëm doja të theksoja se pavarësisht trysnisë së drejtuesve të Partisë Demokratike dhe të rregjimit ne nuk u tërhoqëm. Të gjithë studentët e kanë pasur seriozisht dhe nuk hoqën dorë, ndërsa këta donin që ta shtynin regjimin edhe nja 20 vjet.
Edhe Partia Demokratike kërkonte që regjimi të shtyhej edhe 20 vjet?
Kishte bërë kompromis me pushtetin që ishte në fuqi në atë kohë. Ata thonin se do të ruajmë paqen sociale deri në zgjedhje, ndërkohë që zgjedhjet u shtynë në mars, pasi u rrëzua busti i Enver Hoxhës.
A ka pasur lidhje Partia Demokratike me grevën dhe a është përpjekur Azem Hajdari të kontrollojë grevën?
Ai nuk ka pasur asnjë lidhje me grevën. Azem Hajdari ka qenë kryetar i Komisionit Nismëtar dhe ka qenë kundër grevës së urisë. Ka ardhur këtu (në Qytetin Studenti) bashkë me Gramoz Pashkon. Gramozi foli dhe tha: Dilni nga greva se do ta ndajmë në katër pjesë universitetin dhe kështu Enverit i bie emri. Edhe bibla e ndalon vetëvrasjen që po bëni ju. Pasi mbaroi Pashko unë kam hipur në karrige dhe i pata thënë se nëse kishte ardhur për të na nxjerrë nga greva, do t’i thyeja xhamat dhe do t’i shqyenin kavajasit dhe tiranasit që ishin përjashtë. I kemi nxjerrë jashtë. Në atë kohë na patën mbështetur fuqishëm Abdi Baleta dhe pedagogët Omer Stringa, Mehdi Shehu, Emil Cimi etj se kanë qenë edhe 14 pedagogë. Unë, Shenasi Rama, Ndue Lugja, Arjan Lika dhe Arben Sulo ishim më të rriturit dhe mundoheshim të mbanim ekuilibrin. Komisioni ishte fiktiv, ishte i vetëzgjedhur, por ishin djem shumë të mirë, edhe pse kishin presione nga regjimi dhe nuk u zbrapsën. As kur patën ardhur këtu Ismail Ahmeti, Lisen Bashkurti dhe Skënder Gjinushi dhe thonin dilni nga greva, se ne do ta ndryshojmë emrin. Na sollën pastaj një dokument fals nga Adil Çarçani, i pafirmosur, dhe ua kthyem mbrapsht.
Ish-kryeministri Berisha me datën 17 doli në një podium me 20 të tjerë duke rrëfyer ato ditë. Sa prej tyre kanë qenë pjesë e grevës së urisë?
Nga ato që pashë unë vetëm tre-katër vetë i njihja, Bislim Ahmetajn, Mark Markun dhe dy të tjerë që kanë qenë pjesë e grevës dhe janë djem shumë të mirë, ndërsa për pjesën tjetër më erdhi shumë keq. Së pari më erdhi keq që festojnë një ditë para. Greva ka nisur me 18, ndërsa ata festojnë me 17. Ne nuk i kemi bërë askujt ftesa zyrtare me letër, por përmes një njoftimi në rrjetet sociale kemi lajmëruar që do të bëhet një takim dhe i kemi ftuar të gjithë shokët e grevës së urisë. Disa prej tyre nuk kanë ardhur.
Zoti Berisha në përkujtimin e organizuar nga Partia Demokratike bëri një rrëfim të gjatë ku tregoi se si ai dhe Azem Hajdari kanë qenë ideatorët e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës.
Ky është tregim dhe një skenar konspirativ i zotit Berisha. Nuk kam si ta mohoj dhe as ta pohoj atë që thotë zoti Berisha. Di vetëm të them se ai është një manipulues i madh. Ditën e dytë të grevës në darkë ne jemi rrethuar nga forca të shumta policie të njësive speciale këtu. Me Shenasiun dhe Ilir Dizdarin kemi hequr tullat duke u mbrojtur. Si paskan rrëzuar ata bustin kur ishin kundër nesh dhe kundër qytetarisë së Tiranës?! Ata patën bërë një marrëveshje me pushtetin dhe ishin kundër prishjes së paqes që kishin vendosur me pushtetin e kohës. Busti u rrëzua nga qytetaria e Tiranës dhe sindikatat. E kanë bërë në mënyrë intuitive. Te një nga godinat e Qytetit Studentit ka ardhur Rajmonda Bulku dhe i ka bërë thirrje femrave të Tiranës që të mos sakrifikohen ato, por të shkojnë te presidenti, se kishte Këshill Presidencial Shqipëria, i cili përbëhej prej pesë vetash. Ky këshill i emëruar nga Ramiz Alia ishte junta. Rajmonda bëri thirrje për të shkuar te junta. Policia i ndaloi te RTSH-ja dhe i drejtoi nga sheshi. Revolta e qytetarisë së Tiranës kishte frymëzimin te greva e urisë dhe jo te Partia Demokratike. Ne vepruam me intuitë pasi nuk kërkonim që vendi të destabilizohej. Në atë kohë në grevë ne nuk kërkonim rrëzimin e bustit, por kërkonim që Universitetit t’i hiqej emri i Enver Hoxhës, por edhe nga diplomat tona.
Në ditët e para dukej një kërkesë e parakohshme të hiqej busti?
Nuk ishte e hershme dhe as e tepërt, por qysh në 8 dhjetor 1990 lëvizja jonë mundohej të ishte paqësore dhe shumë e vendosur. Ndërkohë nuk kërkonim që vendi të dilte nga binarët. Nuk donim që të përplaseshim me shtresa të ndryshme, por edhe me veten tonë. Në mesin tonë kishim djem të sekretarëve të parë. Ata ishin kundër baballarëve të tyre. Ishte një lloj lufte brezash, dhe kjo luftë duhej bërë paqësisht. Kjo lëvizje ka qenë lëvizja më inteligjente e shqiptarëve sepse ka realizuar për tre ditë pluralizmin politik, dhe në tre ditë të tjera ka hequr frikën e qytetarëve ndaj regjimit dhe ka rrëzuar mitin e diktatorit.
Ju thatë më lartë se i keni injoruar, madje dhe duke i larguar nga mjediset ku bëhej greva përfaqësuesit e Partisë Demokratike. A është tentuar më tej prej tyre që t’iu përçanin?
Ka pasur përpjekje nga më të ndryshmet. Pas dështimit të Azemit dhe Gramozit për të ndaluar grevën, ka pasur pa dyshim shumë përpjekje të tjera të formave të ndryshme. Por nuk kishte asnjë mundësi që të na përçanin. Ata që luanin lojë të dyfishtë, jo vetëm që ishin minorancë, por nuk kishin dhe zë për të ndikuar te masa e studentëve që ishin të bindur në kërkesat e tyre. Nuk kishte shanse që të bënin kompromis me asnjë dhe për asgjë. E patëm vendosur që edhe nëse nuk dilnim të gjallë nuk do të tërhiqeshim. Pati dalë Blendi Gonxhe me megafon duke thënë: Ja kanë ndërruar universitetit emrin, e kanë ndarë në katër universitete dhe prandaj duhet të dalim. U turr turma drejt tij dhe ishin duke e shqyer. Ai ishte në Komisionin e Grevës. Greva është bërë me frymë, me intuitë, studentët ishin të qartë në kërkesën e tyre sepse hapësira që të jep liria që ke brenda vetes është shumë më e madhe se sa të gjitha llogaritjet që bëjnë politikanët dhe njerëzit me eksperiencë.
***
Sali Berisha: Studentët e Kamzës nisën grevën e urisë
Ish-kryeministri Sali Berisha, i është rikthyer edhe dje në Kuvend përvjetorit të grevës së urisë. Njësoj si dy ditë më parë, ai tha se studentët e Kamzës ishin ata që organizuan grevën e urisë. “Vendimi historik erdhi pas grevave të fuqishme të studentëve të Institutit të Lartë Bujqësor, të cilat u shoqëruan menjëherë nga greva dhe bojkoti i mësimit i studentëve të universitetit të Tiranës dhe mbarë universiteteve të vendit. Si rrallë ndonjëherë studentët, studentet do të pushtonin me shpejtësi të madhe mendjet dhe zemrat e shqiptarëve për kauzën e madhe që ata mbronin”, nënvizoi Berisha, duke shtuar më tej se ajo që bënë studentët ishte një kurajo mbinjerëzore. “Studentët, me një guxim në kufijtë e legjendës, pasi themeluan Partinë Demokratike të Shqipërisë, vendosën të ndërmarrin betejën më të madhe për të jetësuar pluralizmin politik dhe liritë e shqiptarëve. Ai vendim i tyre sublim u mor në një kohë kur kulti i Satanit, i Hitlerit shqiptar të Pasluftës ishte omniprezent dhe omnipotent në çdo skaj, në çdo qoshe, në çdo rrugë e çdo shesh në mbarë vendin”, tha Berisha.
Shenasi Rama: PD përdori prapaskena për të ndaluar grevën e urisë
Shenasi Rama, në fjalën e tij në ceremoninë e 25 vjetorit të grevës së urisë, tregoi se si në atë kohë Partia Demokratike ka përdorur intriga dhe prapaskena për të ndaluar grevën. “Greva e urisë ishte një ngjarje që do të kishte pasoja të paparashikueshme për të gjithë. Ka qenë një gjendje shumë e tensionuar dhe nuk do ta ekzagjeroja po të thoja se ka pasur shumë intriga dhe prapaskena. Gjithkush luante lojën e vet dhe duhej shumë energji e vëmendje për të mos mbetur në kurthet e tyre. Nga një anë kemi pasur praninë e vazhdueshme të ndërmjetësve të Ramiz Alisë, Skënder Gjinushit dhe Ismail Ahmetit, me të cilët kemi zhvilluar negociata të vazhdueshme, ditën e natën.
Nga ana tjetër, kemi pasur ndërhyrjet e PD-së dhe praninë e presionet e tyre si individë që mendonin se kontrollonin gjë, si Gramoz Pashko me të vetët, Saliu me të vetët”, është shprehur Rama. Ai thotë se i gjithë shteti ishte në këmbë për të ndaluar grevën. “Individë të veçantë i kanë manipuluar dhe përdorur. Shteti ishte në këmbë, ishte shumë efektiv dhe luajti atë rol që pritej nga strukturat e kohës. Por është domethënës fakti se një grusht njerëzish, me pak largpamësi e imagjinatë ia doli të thyente strukturat dhe të shkonte në zemër të sistemit, pavarësisht trysnisë së paimagjinueshme të strukturave. Megjithatë, greva dhe heqja e statujës së Enver Hoxhës janë të lidhura si shkak-pasojë me një ngjarje, që e kontrolluan ata dhe me tjetrën, që nuk e kontrolluan dot dhe që ishte themeli i së parës”, tha Rama.