Nga Jakin Marena
Teksa afatet për regjistrimin e partive politike e koalicioneve zgjedhore për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit në 6 bashkitë e mbetura pa kryetar janë drejt skandencës, deri më tani janë shpërfaqur tre konfigurime politike.
Ndonëse po garohet për kreun e bashkisë së Shkodrës, Vorës, Durrësit, Dibrës, Rrogozhinës dhe Lushnjës për një afat një vjeçar qeverisjeje deri në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme për pushtetin vendor të vitit 2023, partitë apo grupimet politike po i shohin në mënyra të ndryshme përgatitjet për këtë garë elektorale.
Socialistët janë më komodët, pasi hyjnë në këto zgjedhje më 6 mars me avantazhin e të qënit në mazhorancë në pushtetin qëndror, dhe kjo jep më shumë shanse në mënyrë taksative për çdo forcë politike në pushtet kur zvillohen zgjedhjet para kohe. Aq më tepër në pushtetin vendor, ku në pothuajse shumicën e rasteve, fitorja ka shkuar drejt partisë që ka qeverisjen qëndrore të vendit.
Përtej këtyre avantazheve, duke pasur njëherësh dhe gjithë pushtetin vendor të 30 qershorit të vitit 2019, falë bojkotit të zgjedhjeve nga opozita në atë kohë, kreu i mazhorancës Edi Rama dhe vetë strukturat e PS e kanë marrë me seriozitet këtë garë të pjesshme vendore, duke përzgjedhur për të kandiduar emra të njohur, të mbështetur nga baza e që garantojnë fitore të sigurtë.
Madje socialistët kërkojnë për herë të parë të fitojnë dhe bashkinë e Shkodrës, për të shtruar rrugën më pas që vitin e ardhshëm të pretendojnë një mandat të plotë katër vjeçar për qeverisjen e kryeqendrës së Veriut, parë dhe në këndvështrimin se opozita është e ndarë dhe fragmentizuar.
Dhe meqë jemi tek opozita, deri më tani grupi i Berishës në PD, që cilësohet dhe i Rithemelimit, ka përzgjedhur 6 kandidaturat për 6 bashkitë që zhvillojnë zgjedhjet më 6 mars të këtij viti.
Madje dhe përllogaritja e votave, e fitores ose jo dhe mundësia e një rezultati surprizues përballë kandidatëve të mazhorancës, të gjitha analizat e mbështesin pikërisht mbi këto kandidatura dhe njerëzit që mbështesin Berishën, i cili është në përballje me Bashën për lidershipin e PD.
Duke qënë se gjykata ende nuk ka marrë në shqyrtim dokumentacionin e dy Kuvendeve të PD, atij të 11 dhjetorit dhe të 18 vjetorit të vitit të kaluar, KQZ njeh zyrtarisht vetëm pjesën e PD që ka vulën. Dhe ajo praktikisht është në dorën e Bashës, pas rezistencës së fortë, dhe me ndihmën e policisë si dhe të dyerve të blinduara, që i bëri qyskive dhe vareve të Berishës me 8 janar, duke evituar në këtë mënyrë “pushtimin” e selisë së PD nga “përmbaruesit” e liderit historik.
Duke qënë se koha në dizpozicion nuk mjaftonte, ndërsa Berisha kërkonte me çdo kushte të maste forcat me PD e Bashës, atëherë koalicioni me LSI e Ilir Metën ia garantoi ish kryeministrit demokrat dhe siglën për hyrjen në zgjedhjet e 6 marsit, duke evituar në këtë mënyrë dhe stërmundimin e mbledhjes së firmave sipas Kodit Zgjedhor për çdo kandidat të pavarur.
Praktikisht 6 kandidatët e zgjedhur përmes primarëve nga ana e grupit të Berishës brenda PD, do të jenë në garë më 6 mars nën “çatinë” e LSI, por nën një sigël të përbashkët që është “Shtëpia e Lirisë”, koalicion të cilit i është bashkuar dhe demokristiani Nard Ndoka.
Pra Berisha ka 6 kandidatët e vet që do garojnë në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit, por që ka qënë i detyruar të shfrytëzojë “çatinë” e LSI për t’i dhënë jetë koalicionit dhe për pasojë hyrjes zyrtare në zgjedhje. Në këtë rast kandidatët e Berishës do të marrin pa asnjë kompensim votat e mbështetësve që ka në PD, të mbështetësve të LSI e të PDK. Të cilët s’kanë kandidatë.
Nga ana tjetër, teksa republikanët e Fatmir Mediut, agrarët e Agron Dukës, apo dhe LZHK e Dashamir Shehit e PDIU e Shpëtim Idrizit ende nuk kanë marrë hapin përfundimtar për të dalë me një kandidat të vetin apo për të precizuar orientimin politik se cilën parti të mbështesin më 6 mars, e kanë zhytur akoma më në mister faktin se cilin grupim brenda PD do të votojnë aleatët e rinj dhe të vjetër të PD, atë të Bashës apo të Berishës.
Deri më tani është thënë se do t’u bëhet thirrje anëtarëve dhe simpatizantëve të vet që të votojnë kandidatin më të mirë të opozitës, pa harruar të vlerësojnë primaret e Berishës dhe kandidaturat e zgjedhura prej tij përmes këtij procesi. Çka shton shanset për mbështetje të Berishës!
Deri më tani PD e Lulzim Bashës, ndonëse është regjistruar në zgjedhje si forcë politike për të marrë pjesë në garën e 6 marsit në 6 bashkitë e mbetura pa kryetar, ende nuk ka përcaktuar se cilët do të jenë kandidatët që do të garojnë në këto zgjedhje.
Ka një ngërç nga ana e PD të Bashës për të zgjedhur kandidatët, ku deri më tani dihet në mënyrë të vagullt se vetëm në Durrës pretendon për të kandiduar kreu i kësaj dege të emëruar së fundmi, por që ende s’ka një konfirmim zyrtar. Asnjë emër potent s’lakohet si kandidat, përtej dëshirave vendore apo të deleguarve që hedhin tek tuk ndonjë emër të media sa për të thënë se ka një proces që po vijon për përzgjedhjen e kandidaturave për zgjedhjet e 6 marsit.
Për hir të vërtetës përballja më e fortë e më esenciale më 6 mars është ajo mes dy grupeve në PD, të cilat kanë mundësinë për të treguar mbështetjen reale që gëzojnë jo vetëm tek anëtarësia por dhe tek elektorati gri në këto 6 bashki, që nuk janë të vogla.
Por me sa duket Basha e ka marrë me nge këtë situatë, duke preferuar të qëndrojë në distancë, a thua nuk bëhet fjalë për futjen në këto zgjedhje të grupimit politik zyrtar që ai udhëheq, por sikur zgjedhjet zhvillohen në një vend tjetër.
Pikërisht kjo indiferencë e Bashës ka krijuar dhe dilemat tek politika dhe tek mediat, në lidhje me faktin nëse Basha do të hyjë në këto zgjedhje me grupimin politik që përfaqëson, ku e pret dhe përballja me Berishën për numrin dy politik në rang vendi dhe dominim të PD, apo do të qëndrojë larg zgjedhjeve të 6 marsit për të shtyrë dhe më tej përballjen reale me kundërshtarin e tij politik tashmë brenda PD.
Basha në fakt nuk i ka fare qejf përballjet dhe garat elektorale, pasi në 8 vite rresht ka dalë i humbur përballë Edi Ramës, ndërkohë që ka fituar garat brenda PD vetëm kur ka pasur Berishën në krah, siç ka ndodhur pas çdo humbjeje të PD në zgjedhje, në vitet që ai e ka drejtuar partinë. Me sa duket Basha vijon të besojë se ka lindur për të përfituar gjithçka “qyl” në këtë dynja. Ashtu sikurse mori shkollën në Utreht në Holandë, ashtu sikurse u punësua në tribunalin e Hagës dhe në Kosovë për këtë tribunal, ashtu sikurse u katapultua me ndihmën e Argitës nga Berisha në KOP, në kryesinë e PD, në krye të ministrive kryesore të qeverisjes së PD në 8 vite e në krye të bashkisë së Tiranës, e më pas në krye të PD, ashtu mendon se do të fitojë dhe vota thjeshtë dhe vetëm “qyl”.
Kuptohet që Basha beson shumë se sigla e PD, fakti që KQZ e njeh si parti politike grupimin e tij brenda kësaj partie, do t’i garantojnë dhe mbështetjen e një elektorati që për 30 vite ka votuar për këtë sigël. E vërteta e kulluar është se tashmë gjërat kanë ndryshuar shumë.
Duam apo nuk duam ne, Sali Berisha dhe i shpallur “non grata” dhe pas një periudhe 8 vjeçare jo kryetar zyrtar i PD, gëzon një mbështetje më të madhe në bazën e kësaj partie. Pra e thënë më shkoqur dhe më thjeshtë, më shumë se sigla me dy gërma, apo “marka” PD, sigla e vërtetë dhe “marka” e kësaj partie në të gjitha rastet ka qënë vetë Sali Berisha. Si për mirë si për keq!
Kështu e ka ndërtuar partinë ai, një piramidë shumë të “kithët” dhe me autoritet të plotë dhe dorë të hekurt të kryetarit. Pra më shumë se sa siglën, demokratët në këto 30 vite kanë votuar sepse aty ka qënë Sali Berisha. I cili më 6 mars do të jetë nën “çatinë” e LSI të Ilir Metës, por nën siglën e koalicionit “Shtëpia e Lirisë” dhe me 6 kandidatët e përzgjedhur tërësisht prej tij.
Ndaj mund të themi se Lulzim Basha e ka marrë lehtë këtë punën e zgjedhjeve më 6 mars, që ndonëse zhvillohen në 6 bashki, ato përcaktojnë dhe diskursin e të ardhmes se kush e ka shumicën në PD. Pasi nëse kandidatët e Berishës lënë në fund kandidatët e Bashës, nëse hyn në zgjedhje grupimi i udhëhequr prej tij të kuptohemi, atëherë problemet shfaqen rëndshëm në grupin e mbetur të Bashës.
Zërat që analizojnë një rast të tillë nëse ndodh nuk kanë munguar. Nënkryetarja aktuale e PD së Bashës, Grida Duma e ka bërë të qartë, se kush humb duhet të mbajë përgjegjësi tashmë që nuk ka “dualizmin” e Berishës. Po ashtu dhe Salianji një natë më parë deklaroi se humbësi duhet të njohë përgjegjësinë.
Ndaj këto zgjedhje janë një thikë me dy presa për Lulzim Bashën. Që gjendet para dilemës së mosmarrjes pjesë në garën e 6 marsit, me justifikimin se qeveria po pengon procesin, të mos njohë rezultatin e zgjedhjeve siç ka bërë gjithnjë sa herë ka haumbur në këto 8 vite, me justifikimin se Rama ndihmoi Berishën për të zënë vendin e parë tek opozita, e tha një natë më parë një nga zyrtarët më të lartë të PD të Bashës që akuzoi se “kanë filluar manipulimet në Durrës”, ose vetëlargimin dhe nga drejtimi i pjesës së mbetur e PD dhe hapjen e garës për lidershipin e kësaj partie.
Të gjitha opsionet janë në “lojë”, por mbetet në lojë një nga opsionet që Basha ka më shumë për zemër: Përfitimin e gjithçkaje “qyl”, pa lëvizur nga selia. Madje e do pushtetin dhe pa hyrë në zgjedhje, pushtet në tavolinë e për këtë ka zënë dhe “derën” e ambasadave, duke amplifikuar sulmin që po i bën atij “Trekëndëshi i Bermudës”.
Basha aktualisht përballë ka një Ramë të relaksuar dhe të sigurtë për fitore, një Berishë të tërbuar dhe të etur për ta flakur nga PD drejt Holandës, si dhe një Ilir Metë të inatosur nga fakti se është në diskutim posti i tij në Gjykatën Kushtetuese. Është i brishtë Lulzim Basha për ta përballuar këtë situatë, thjeshtë dhe vetëm me pritje dhe shmangie përballjeje. Apo ankesave se është vënë pa ia kërkuar askush përballë “Trekëndëshit të Bermudës”.