Nga Ilir Yzeiri
Askush nuk do të kishte dashur që të shihte se si lideri i opozitës së parë pluraliste, njeriu që u vu në krye të shpresës së shqiptarëve për të ndryshuar vendin dhe për ta bërë atë si gjithë Europa, është katandisur tani në një plak grindavec e gojështhurur që hidhet sa në një studio në tjetrën dhe, në vend që të artikulojë një ligjërim fisnik, të lartë, ndoshta, edhe klasik, të ngjyer me krahasime e metafora të marra nga fusha e filozofisë apo e dijeve të tjera, në vend të tyre, artikulon një tekst banal me sharje vulgare dhe fyerje personale që të krijojnë përshtypjen se autori i tyre nuk vjen nga ai kontekst formal që ka Berisha si mjek, intelektual, por nga një ambient i vrazhdë banditësh frikacakë që turfullojnë me fjalorin e rrugës dhe e qëllojnë kundërshtarin e tyre me të gjitha llojet e sharjeve. Berisha dhe Basha që e imiton atë, të duket sikur janë në një gjendje permanente sherri.
Kur i sheh dhe sapo nisin të flasin, të krijohet përshtypja se ata sapo i ka ndarë dikush nga një sherr me grushta e me thika dhe shfaqen para publikut me patetizmin e atij që e kane rrahur çunat e lagjes tjetër dhe ai betohet se do të marrë hak. Ky teatër qesharak që, nga njëra anë, ka opozitën dhe militantët e saj dhe, nga ana tjetër, policët apo godinat qeveritare apo rrethrrotullimet e rrugëve të Shqipërisë, po u paraqitet shqiptarëve si prolog i një beteje të madhe që do të ndodhë në data që lëvizin nga 6 deri te 11 dhe në muaj që ndjekin njëri-tjetrin.
Mirëpo, mbrëmë, Berisha, i cili, mesa duket, e ka kuptuar se rruga që ka nisur është fundi i PD-së dhe i LSI-së, bëri një deklaratë që mund të analizohet në disa anë. Në thelb, ai tha se nëse opozita nuk e përmbys Ramën, ajo do të shkojë drejt zhdukjes. Disa kohë më parë ai, me « sinqeritetin » e banditit që nuk dorëzohet kurrë, pat deklaruar se Edi Ramën nuk e mundim dot me vota, atë duhet ta rrëzojmë, duhet ta përmbysim. Këtë fatalizëm të tijin ai ua ka nxitur edhe Lulit edhe Monikës, por, meqenëse e di shumë mirë se ai dhe njeriu që ai ka zgjedhur për të drejtuar PD-në, nuk frymëzojnë dot shqiptarët që të bashkohen në një koalicion të gjerë dhe ta mundin Edi Ramën me votë, i plagosur rëndë në sedrën e sëmurë të njeriut që, realisht, ka falimentuar, ai nuk dorëzohet, nuk tërhiqet mënjanë dhe ta lërë opozitën që të organizohet në mënyrë demokratike dhe të hapur. I mbërthyer keq nga sindromat e fatalitetit dhe i rrethuar nga një hordhi e tërë mëkatarësh, por ndoshta edhe peng i karakterit të tij destruktiv dhe negacionist, ai kërkon që, në fundin e tij politik dhe në gropën e madhe të harrimit dhe të zhdukjes politike, të fundoset edhe opozita.
Alternativa përballë së cilës e ka vendosur Berisha Lulëzim Bashën ka vetëm një zgjidhje, atë që parashikon Berisha dhe që është zhdukja apo rrudhja e PD-së.
Është naivitet dhe pa asnjë bazë ideja që Luli dhe Mona, në krye të militantëve të dëshpëruar, do ta përmbysin opozitën. Gjëja më e thjeshtë në këtë rebus është si ? Pra, si do ta përmbysin Ramën dhe qeverinë ? Kur thuhet përmbysje kemi parasysh dhunën, forcën. Opozita ka bërë dhjetëra manifestime ngado, por ato kanë qenë krjetësisht normale. Përplasje me policinë, gurë dhe bojë mbi ndërtesat pastaj diell, normalitet dhe lufta zhvendosej në ligjërim. Studiot televizive dhe « talk-shoët » ose trapezat me karrike në mes të një dhome me drita, siç thotë Pëllumb Kulla, gjithsej nja 8 a më shumë copë, pra 8 tryeza me 30 e ca shpirt që flasin në to nga akshami vonë e deri në mesnatë nisin e rrëfejnë bëmat e opozitës, betejat e saj, vizatojnë Edi Ramën me të gjitha ngjyrat e errëta të të gjithë kriminelëve dhe diktatorëve nga antikiteti e deri sot dhe pasi kanë mbaruar të gjitha nga një roman, presin luftën e madhe që do të bëjë opozita dhe betejën e radhës. Mirëpo, beteja e radhës nganjëherë është dramatike : përplasje me policët e pafajshme dhe gurë apo bojë mbi muret e lyera me bojë kriminale nga Edi Rama, nganjëherë bëhet qesharake.
Kulmin e komedisë e shënoi krijimi i qeverisë tranzitore. Kur Luli bëri edhe këtë thagmë, shumë nga gazetarët që shohin të ai shpëtimin e kombit nga krimineli Rama, ranë në dëshpërim dhe e vunë në dukje edhe ata që ky ishte një sharlatanizëm me pagesë. Qeveria e tranzicionit e Bashës dhe Kryemadhit nxiti lloj-lloj fantazish. Kolegu im dhe shkrimtari i njohur, Vangjel Kozma më thoshte se qeveria në tranzicion dhe qeveria e vërtetë janë si ato dy gjendjet e njeriut. Kjo, tranzitorja ka të bëjë me atë fazën e njeriut, që sa pa u martuar dhe kur nuk ka as të dashur e arrin kënaqësinë e trupit me ndihmën e vetes, kurse kjo qeveria reale është si punë e robit që kur martohet e arrin kënaqësinë edhe me ndihmën e gruas. Kënaqësia po njëlloj. Mirëpo, gazi ra shpejt dhe komedia e qeverisë tranzitore u harrua sepse opozita nxori një datë tjetër, datën 11 maj. Ndërsa Berisha ka përcaktuar datën 30 qershor si ditën kur Rama do të shkojë në ferr.
Berisha e di shumë mirë se as më datën 11 dhe as më datën 30 në Shqipëri nuk do të ndohë asgjë. Nuk ka asnjë të marrë që ditën e zgjedhjeve t’u drejtohet qendrave të votimit dhe të ushtrojë dhunë mbi votues apo mbi komisionerë. Skena të tilla ndodhën në fillim në Afganistan ku talebanët pengonin afganët e mjerë që, pas vitesh të gjata, të jetuara në terrin kriminal të fundamentalizmit taleban, më në fund, kishin mundësi që të paraqiteshin si njerëz normalë që kanë të drejtë të zgjedhin dhe të zgjidhen. Edhe në Irak ndodhi pak a shumë e njëjta gjë. Ndërsa në Europë nuk mund të ndodhë një veprim i tillë sepse opozita jonë nuk është bërë ende një sekt fundamentalist si talebanët.
Opozita në Shqipëri ka nevojë urgjente të reformohet. Lëvizja e Astrit Patozit është një shkëndijë shprese se pas katastrofës në të cilën do ta hedhë Basha opozitën, mund të ketë një lëvizje të madhe reformuese që do ta bëjë opozitën shqiptare më të pranishme dhe më përfaqësuese. Deputetët e PD-së dhe LSI-së që sot janë në Kuvend janë gjithashtu një shpresë për të krijuar nesër një qendër rreth së cilës të mblidhen të gjithë ata që nuk mendojnë si qeveria shqiptare. Dhe nëse një frymë e tillë krijohet, nëse këta liderë që po shkatërrojën opozitën sot, do të largohen dhe do t’u hapin rrugë figurave të reja moderne të cilat opozita i ka, atëhere unë jam i sigurtë se Shqipëria do të ketë një alternativë dinjitoze për t’u përballur me modelin Rama.(TemA)