Analisti dhe gazetari i njohur, Frrok Çupi ka komentuar zhvillimet e fundit në vend. Në një intervistë për gazetën “SOT”, Z.Çupi shprehet se drejtësia e re dhe shteti po tregohen shumë të butë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha. Ai ka marrë dhe shembullin Ministrisë së Arsimit, institucion i cili vazhdon të lejojë që vajza e Berishës, Argita Malltezi të japë mësim para studentëve, edhe pse është shpallur “non-grata” nga SHBA për korrupsion dhe minim të demokracisë.
Çupi bën edhe një deklaratë të fortë, ku thotë se Berisha ka influenca kriminale brenda SPAK-ut dhe gjykatës. Analisti paralajmëron se do të vijë dita që kreu i PD do të ekstradohet nga ndërkombëtarët për t’u gjykuar për krimet e tij të rënda kundër njerëzimit.
Gjatë intervistës për kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman, zoti Çupi ka thumbuar disa nga këta figura politike të PD, duke e krahasuar situatën me video të ngjashme të shpërndarjes së parave nga Rrapush Xhaferri dhe duke e lidhur këtë me shpërndarjen e posteve nga Berisha. Në mënyrë të veçantë, ai ka ironizuar deputetin Agron Gjekmarkajn, duke e quajtur një “martir të ringjallur” që tani kërcen me këngën e Berishës, si një figurë që ka kaluar nga një qëndrim i ashpër në një adhurim të hapur për liderin e Partisë Demokratike.
– Zoti Çupi, ju keni thënë për gazetën “SOT” në intervistën e fundit se ish-kryeministri Sali Berisha do të gjykohet nga gjykata ndërkombëtare. Pse ju e listoni këtë njeri që ka bërë krime kundër njerëzimit? A rrezikon të ekstradohet?
Njerëzit bëjnë një pyetje gjithë kohës. Ka një vit që Berisha ndodhet herë në katin e tetë dhe herë në katin zero, por gjithë kohës i pandehur dhe i akuzuar për krime të shumta. Pyetja është kjo: Ore, ç’bëhet me këtë njeri? Ky sulmon Partinë Demokratike, selinë, tenton të vrasë shokët e vet. Është dhe një pyetje tjetër: Pse Ministria e Arsimit lejon të bijën e Sali Berishës, e ashtuquajtura profesoreshë e juridikut, por e shpallur “non-grata” në SHBA dhe minuese e demokracisë në Shqipëri, të japë mësim para studentëve? Në një shkollë fshati të dikurshme të Shqipërisë, nëse do të kishte ndodhur që një mësues të ishte përfolur për moral të ulët, prindërit nuk do t’i çonin fëmijët. Pra, konstatojmë që shteti dhe drejtësia janë shumë të buta për krimet e Berishës.
Unë kam thënë dhe jam shumë i vetëdijshëm që Sali Berisha ka influenca kriminale brenda SPAK-ut dhe gjykatës. Mendoj se po pritet një moment, pasi akuzat ndaj Berishës janë shumë të rënda dhe pritet që ai të ekstradohet një ditë. Ai ka bërë krime kundër njerëzimit, ka kryer pakte me terrorizmin global, që nga Bin Laden. Ka bashkëpunuar me Millosheviçin. Ka shkelur me qëllim rezolutat e OKB-së. Berisha është kapur në flagrancë në sulme kundër ambasadës dhe grushte shteti në Shqipëri. Çfarë mund të bëjë një njeri më shumë se kaq?
– Si i komentoni hetimet e Prokurorisë së Posaçme ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe sulmet e Sali Berishës se ai është arratisur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’i shpëtuar SPAK-ut?
Për mua është një gjë shumë e zakonshme. Jemi mësuar me faktin që Berisha jep lajmet e këqija, lajmet që i interesojnë atij, ato që i sajon dhe i ndërton vetë. Realisht, në këtë rast është një lidhje psikologjike për arsye se Berisha është i fiksuar me Amerikën. Atë që SHBA-ja nuk ia jep të drejtë, ai e shikon me zili prapa vrimës së çelësit se si shkon dikush në Amerikë dhe ai jo. Atij i pëlqen që dhe të tjerëve t’ju bllokohet kjo rrugë. Në fakt, këto janë turbulenca të tij. Berisha është një njeri që tani, në këtë situatë tmerrësisht të rëndë, nuk ka ku shkon më keq. Ai tek secili shikon veten.
Nëse thuhet “i korruptuar” për dikë, Berisha i thotë atij tjetrit “i korruptuar”. Vetë është i korruptuari më i madh në botë. Nëse thuhet diku “vrasës”, e keni vënë re që ai thotë “ai vret, ai bën”. Berisha është kapur në vrasje, madje me vrasje masive në Shqipëri, madje dhe në vrasje një me një. Analiza fillon me vetë faktin se, nëse nuk do të ishte kryetari i bashkisë së Tiranës nën hetim, diçka do të ishte mangët. Arsyeja është se janë të rrallë kryetarët e bashkive në kryeqytetet e Evropës që nuk janë nën hetim.
Është vetë natyra e misionit, e punës, e funksionit që është lidhur me investimin, shërbimin, njerëzit dhe kategori të caktuara që gjatë gjithë kohës, përveçse provojnë një lloj humanizimi, prodhojnë dhe diferenca, pakënaqësi. Këto të gjitha grumbullohen dhe krijojnë hetime. Po ju jap një shembull të fundit. Në Paris, Zhak Shirak ishte kryetar bashkie. Për t’u vënë nën hetim pasi përfundoi punët si president, u vendos nën hetim si kryetar bashkie. Fakti që Veliaj është nën hetim, mund të jetë i fajshëm ose i pafajshëm. Kjo po nxjerr në pah disbalancat në drejtësinë e SPAK-ut dhe GJKKO-së, nga më të thjeshtat deri te më të rëndat. Sipas asaj që po mësojmë nga psikologjia e SPAK-ut, Shqipëria e djegur dhe e shkatërruar e dikurshme nuk mund të hetohet dhe nuk mund të gjykohet.
Ndërsa sot një Tiranë që është një kryeqytet i mrekullueshëm, që është bërë me punën e bashkisë, kjo hetohet. Nuk mund të ndalojë, siç ka ndaluar SPAK-u, të drejtën për të hetuar përgjegjësit që e dogjën këtë vend, që e lanë Shqipërinë me gropa e baltë. Njerëzit e kanë vënë re që SPAK-u po merret vetëm me të majtën. Sigurisht që nuk është keq. SPAK-u po bën disbalanca që, në fund të fundit, dëmtojnë ekuilibrat shtetërorë. Drejtësia ka pësuar kolaps. Siç vini re, këta që paraqiten në SPAK dhe i binden ligjit, këta i çojnë në burg. Ndërsa personazhe si Sali Berisha, që nuk dëgjon, shan SPAK-un gjithë ditën dhe e quan terrorist, nuk preken dhe nxirren nga burgu. Kjo është disbalancë e tmerrshme.
Ka një gjë vërtet për t’u konstatuar, që është shumë e rëndë. Sipas teorisë të së drejtës që aplikohet në SHBA, ku një model sillet si shembull, një i çmendur që futet në shkollë dhe vret 40 nxënës, sigurisht dënohet me vdekje. Vallë ky njeri do të pushkatohet 40 herë? Drejtësia i jep ngarkesa shumë të mëdha këtij dënimi, aq sa e vendos në krye të të gjitha dënimeve të tjera në SHBA. Ne kemi rastin tonë kur Sali Berisha, si kryeministër i një vendi dhe president, është i akuzuar dhe i kapur mat në vrasjet e 4 personave. Vallë 4 herë do të vritet Berisha? Jo. 26 viktima në Gërdec? 3 mijë veta që janë vrarë në vitin ‘97? Asnjëra nuk mund të ndodhë. Ditën e parë që është kapur Berisha dhe akuzuar për këto gjëra, duhej të çohej në burg.
Në fakt, Berisha po tregon me gisht Veliajn, që ndoshta do të paraqitet para gjykatës, por nuk ka lidhje me krimet monstruoze që ka kryer ai. Në vend që Berisha të dënohet 3 mijë herë me burgim të përjetshëm, 4 herë me burgim të përjetshëm dhe 26 herë me burgim të përjetshëm, duhet të jetë një dënim spektakolar, si në Athinën e lashtë, që të mos ia përmendim më emrin.
– Keni një koment për hipokrizinë e disa deputetëve të Partisë Demokratike, që deri dje e sulmonin Sali Berishën dhe betoheshin se nuk do të bashkëpunonin kurrë me të, ndërsa sot jo vetëm që e lavdërojnë, por kërcejnë edhe me këngën e tij në sfond, sikundër ndodhi në festën e fundvitit?
Kjo video është ripërsëritur, fiks si në kohën kur shpërndante para Rrapush Xhaferri. Merrni videon e Xhaferrit, ku shpërndante para dhe ata këndonin për Rrapushin. Janë pikërisht këta karaktere. Rrapushi ndante para, ndërsa Saliu ndan poste. Ai që është më aktiv nga ata që pyesni, është një njeri që ka vdekur njëherë dhe është ringjallur si Gjekmarkaj. Ai u vetshpall martir i vrarë nga policia ditën e protestës, u shtrua në spital ‘pa frymë’, por ja ku ngrihet dhe shfaqet në vallen për Berishën. Më ngjan si Kostandini.
Intervistoi: Rigels Seliman