Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, ku dënon thirrjet antishqiptare të bëra gjatë një ngjarjeje sportive në qytetin e Kumanovës, në Maqedoninë e Veriut.
Ai i cilësoi këto thirrje si shfaqje të një nacionalizmi primitiv dhe si akt racist kundër shqiptarëve, duke e konsideruar këtë sjellje si një kërcënim për marrëdhëniet ndëretnike dhe stabilitetin në rajon.
“Thirrjet antishqiptare në Kumanovë, një akt nacionalizmi primitiv.
Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe thirrjet barbare primitive antishqiptare në Kumanovë si dëshmi e racizmit dhe nacionalizmit primitiv kundër etnisë shqiptare në shekuj e mijëvjeçarë në trojet e veta, por edhe kundër vetë rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut.”, shkruan Berisha, duke shtuar se vlerëson dhe mbështet qëndrimin e forcave politike shqiptare dhe autoriteteve shtetërore të Maqedonisë së Veriut ndaj këtyre akteve.
Ky reagim i Berishës vjen pas brohoritjeve antishqiptare të bëra nga disa persona gjatë një ndeshjeje basketbolli mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, të zhvilluar në Kumanovë më 2 gusht. Ata u dëgjuan thirrje sikurse “shqiptar i mirë është shqiptar i vdekur”, “dhoma gazi për shqiptarët”, “Maqedoni e pastër”.
Në ndeshjen, që ishte në kuadër të fazës së dytë parakualifikuese për Kupën e Botës që do të mbahet në Katar më 2027, merrnin pjesë edhe zyrtarë të lartë të qeverisë maqedonase.
Ngjarja ka nxitur reagime jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në Kosovë dhe Shqipëri, vende me shumicë shqiptare.











