Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Indrit Sefa, zbuloi gjatë një interviste në Euronews Albania, hapat procedurialë që do të ndjekë PD-ja zyrtare deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, pas dorëheqjes së Alibeaj.
Sefa tha se drejtimin e Partisë Demokratike do ta marrë nënkryetarja Jorida Tabaku, e cila do të drejtojë procesin për rizgjedhjen e strukturave kapilare dhe kryetarit të ri të partisë.
“Nënkryetarja në detyrë që është zonja Tabaku, zoti Bardhi ka marrë takim me zonjën Tabaku në lidhje me ushtrimin e detyrave që asaj i ngarkohen. Dhe po shkojmë drejt kësaj rruge përkohësisht. Siç e dini PD është shprehur se do t’i nështrohet një procesi të rëndësishëm zgjedhor ku do të zgjidhen të gjitha strukturat në mënyrë kapilare.
Mendoj se zonja Tabaku do të drejtojë strukturat drejt këtij procesi. Nëse ka dëshirë të kandidojë për kryetare të kandidojë do të ishte e mirëpritur”, tha ai.
Në lidhje me gjyqin për vulën Sefa zbuloi se Komisioni i Rithemelimit të zotit Berisha, ka bërë tashmë rekurs në Gjykatën e Lartë.
“Në dijeninë time kanë bërë rekurs në Gjykatën e Lartë që tregon se nuk kanë asnjë interes për ta zgjidhur situatën, por vetëm për ta zvarritur”, tha Sefa.
/a.r