Sali Berisha dhe koalicioni i tij me Ilir Metën deklaruan mbrëmë se 4 aktivistë të tyre janë dhunuar nga eksponentë pranë qeverisë. Mirëpo në një reagim, Policia shprehet se e ka zbardhur ngjarjen dhe se bëhet fjalë vetëm për një person të dhunuar në Fierzë, jo për arsye politike.
“Policia ka marrë njoftim se në aksin rrugor rural Miliska-Dardhë, në vendin e quajtur “Lumi i Mziut”, kishte ndodhur një konflikt mes disa shtetasve.
Nga deklarimi i dhënë nga shtetasi B. N., (i dëmtuar), dyshohet se:
Shtetasi V. M., së bashku me djalin e tij, shtetasin R. M., dhe shtetasin S. S., banues në fshatin Fierzë, gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, dyshohet se kanë goditur me grushte dhe me sende të forta, shtetasin B. N.
Shtetasi B. N., si pasojë e konfliktit është dëmtuar lehtë, dhe pas ndihmës mjekësore në Spitalin Rajonal Shkodër, ka dhënë deklarim në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Pukë, autorët e dyshuar, shtetasit V. M., R. M., dhe S. S., dhe nën drejtimin e Prokurorisë po kryhen veprime procedurale.
Vijojnë veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.
/a.r