Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar policinë për dhunë ndaj studentëve dhe protestuesve në Tiranë, duke pretenduar se mbi 150 persona janë ndaluar gjatë protestave. Në një deklaratë, Berisha ka ngritur akuza edhe për ndërhyrjen e policisë në konviktet e Qytetit Studenti, si dhe për plagosjen e protestuesve.
“Dhunën dhe terrorin kundër studentëve dhe protestuesve në Tiranë. Janë mbi 150 të ndaluar nga narkobanditët me uniformë, qytetarë pa asnjë lidhje me ndonjë akt të veçantë të paligjshëm”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së akuzoi kryeministrin Edi Rama se, sipas tij, ka përdorur policinë për të ushtruar presion ndaj studentëve. Berisha tha se qëndrimi i kryeministrit, i cili sipas tij ka deklaruar se nuk do të japë dorëheqjen, po shton revoltën qytetare.
“Edi Rama, në skenarin e mbylljes së universitetit, provoi mbrëmë narko-bandat e tij policë, me mjete dhe automjete policie për të thyer xhamat, terrorizuar dhe hedhur spraj ndaj vajzave në konviktet e Qytetit Studenti. Akte këto tipike të diktaturave të bandës. Në fjalën e tij, ai shtoi revoltën te mbarë shqiptarët, deklaroi në mënyrën më të papërgjegjshme se nuk jepte dorëheqjen. Në këtë mënyrë, ai po e çon vendin drejt një konflikti të gjerë”, deklaroi kreu i Partisë Demokratike.
Në deklaratën e tij, kreu i PD-së ngriti gjithashtu pretendime për gjendjen e protestuesve që, sipas tij, po marrin trajtim mjekësor në spitalet e vendit.
“Në spitalet e vendit po mjekohen protestues, më kafkë të çpuar nga plumbi i gomës, mundet. Skaneri tregon vrimën në pjesën ballore të vajzës së goditur, të tjerëve u janë krijuar plagë të rënda. Hematoma të mëdha në kokë, në trup. Dhoma në lokalet të paidentifikuara janë të filmuara ku janë hedhur me 10-ra studentë të dërrmuar, të goditur dhe të lënë për tokë”, tha Berisha.
Në përfundim, kreu i opozitës u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së studentëve dhe të mbështesin lëvizjen në Tiranë dhe në universitetet e tjera të vendit. “PD u bën thirrje qytetarëve të mbështesin me gjithë potencialin e tyre këtë revoltë historike të studentëve të Tiranës dhe universiteteve të vendit”, përfundoi Berisha.

