3 objekte kulti të besimit islam nisin së shpejti të restaurohen në Berat, konkretisht xhamia Mbret, Xhamia e Beqarëve dhe Teqeja Helvetive.
Në mbledhjen e radhës së qeverisë zhvillluar në Berat, kryeministri Rama shoqëruar nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, koordinatori i TİKA në Tiranë, Necip Özay Özütok, si dhe drejtoresha e IMK-së, Arta Dollani, u ndalën në xhaminë Mbret në Berat, ku inspektuan dhe morën informacion rreth punimeve të restaurimit.
Gjatë vitit 2018 nis zbatimi i disa projekteve të restaurimit, investime të rëndësishme, në tre prej objekteve të kultit në Berat:
1. Projekt restaurimi i Xhamisë Mbret,
2. Projekt restaurimi i Xhamisë së Beqarëve
3. Projekt restaurimi i Teqesë Helvetive,
Ky projekt realizohet nga IMK, në bashkëpunim me Agjencinë Turke për Koordinim dhe Bashkëpunim TIKA.
Xhamia Mbret është një nga objektet e kultit islam më të rëndësishëm në qytetin e Beratit dhe monument kulture i kategorisë së I. Ndërtimi i saj daton në shekullin e XV-të, dhe vazhdon me disa faza deri në shek. XIX.Xhamia Mbret së bashku me Teqenë Helvetive dhe Konakët e Teqesë përbënin qendrën e qytetit të Beratit në periudhën mesjetare. Projekti i restaurimit të Xhamisë Mbret ka si qëllim kryesor nxjerrjen në pah të vlerave të trashëgimisë kulturore të këtij monumenti.
Punimet restauruese të parashikuara konsistojnë në:
– Konsolidimin strukturor të monumentit
– Restaurimin e çatisë
– Çlirimin e muraturës nga ndërhyrjet e papërshtatshme me llaç çimento dhe realizimi i suvatimit me teknika dhe materiale tradicionale
– Konservimin dhe restaurimin e piktures murale
– Restaurimin e elementëve të dekoruar drusorë si tavanet, mafili etj.
– Instalimi i sistemit elektrik dhe sistemit të ngrohjes.
Projekti trajton Xhaminë Mbret dhe Teqenë Helvetive si pjesë e një kompleksi duke i dhënë shumë rëndësi përfshirjes së punimeve për sistemimin dhe vlerësimin e territorit.
Teqeja Helvetive është ndërtuar nga Ahmet Kurt Pasha në vitin 1781 dhe mban statusin e Monumentit të Kategorisë së I. Tavani i dekoruar i këtij monumenti cilësohet si një nga tavanet e dekoruara prej druri më të bukura në Ballkan. Ambienti kryesor i monumentit është i dekoruar me pikturë murale si dhe ka një mafil me strukturë druri.
Punimet restauruese të parashikuara konsistojnë në:
– Konsolidimin strukturor të monumentit
– Restaurimin e çatisë
– Punime konservuese dhe restauruese të pikturave murale dhe të pikturave në strukturën drusore të mafilit
– Restaurimin e elementëve të dekoruar drusorë si tavani, mafili etj.
– Restaurimin e dritareve me elementë gipsi dhe xham me ngjyrë
– Instalimi i sistemit elektrik dhe sistemit të ngrohjes.
3. Xhamia e Beqarëve është ndërtuar nga i biri i Ibrahim Pashë Vlorës, Sulejman Pashë Vlora në vitin 1827. Xhamisë i janë bërë ndërhyrje pas Luftës së Dytë Botërore në vitet ‘40 dhe ’50, ndërsa në vitet 1968 dhe 1978, xhamia i është nënshtruar ndërhyrjeve të thella restauruese. Projekti i restaurimit mbështetet mbi një analizë të thellë historike dhe arkitektonike duke shfrytëzuar gjithë materialet arkivorë dhe bibliografinë mbi këtë monument. Veçantia e këtij monumenti janë pikturat murale në fasadë që datojnë në të njëjtën periudhe me ndërtimin e vetë objektit.
Punimet restauruese të parashikuara konsistojnë në:
– Konsolidimin strukturor të monumentit
– Restaurimin e çatisë
– Punime konservuese/restauruese të pikturave murale në ambientet e brendshme dhe fasadë
– Restaurimin e elementëve të dekoruar drusorë
– Instalimi i sistemit elektrik dhe sistemit të ngrohjes.
Një marrëveshje bashkëpunimi, e cila u nënshkrua ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, nga Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro dhe z. Skënder Bruçaj i ka hapur rrugën këtij procesi, që parashikon 5 Monumente kulture të besimit islam t’i nënshtrohen ndërhyrjes restauruese. /ma.me