Berat, historia e postierit që u mori pensionet 50 të moshuarve
Një postier është arrestuar pasi ka përvetësuar pensionet e qershorit të rreth 50 të moshuarve. Ngjarja ka ndodhur në Bera ku postieri Klodian Xhaferraj ka mbajtur për vete 500 mijë lekë të reja nga pensionet. Me kërkesë të Prokurorisë së Beratit, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg”.
Sipas policisë Xhaferraj është pyetur fillimisht nga prokuroria për këtë rast dhe ka pranuar se ka tërhequr shumat e parave për pensione në datat 18-19 qershor 2015. Por, lidhur me faktin se këto para nuk janë shpërndarë, ai ka nxjerrë justifikime të ndryshme, të cilat nuk konsiderohen të besueshme për organin e prokurorisë.
Në këto kushte, Prokuroria e Beratit ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, si person i dyshuar për veprën penale “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, kërkesë e cila u pranua nga gjykata e Beratit.