Avokati Idajet Beqiri, në “Ora e Fundit” ne ABC News ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e një pjese të aktit normativ, duke theksuar se pezullimi nuk përfshin të gjithë aktin, por vetëm gjobën prej 5 mijë lekësh për bllokimin e rrugëve.
Sipas Beqirit, Kodi Penal mbetet në fuqi dhe Gjykata Kushtetuese nuk ka kompetencë ta shfuqizojë atë.
Avokati theksoi se përgjegjësia ligjore është individuale dhe se çdo person që kryen veprime të tilla duhet të përballet me pasojat ligjore.
Gjatë intervistës, Beqiri komentoi edhe rolin e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, në organizimin e protestave, duke e akuzuar atë për nxitje të akteve të dhunshme.
Sipas avokatit, Berisha inkurajon protestuesit të përdorin sende të forta, mjete ndezëse dhe bomba kundër policisë dhe institucioneve shtetërore, duke u premtuar mbrojtje ligjore falas. Beqiri pretendon se në fund janë vetë protestuesit ata që përballen me përgjegjësinë ligjore, ndërsa premtimet për mbështetje nuk përkthehen domosdoshmërisht në mbrojtje konkrete.
“Në fakt, derisa është bërë një ankim kundër aktit normativ në Gjykatën Kushtetuese dhe është kërkuar që ai të shpallet antikushtetues, çështja do të shqyrtohet detyrimisht nga kjo gjykatë. Palët kanë të drejtë të kërkojnë edhe pezullimin e masave të përcaktuara në aktin normativ. Problemi qëndron te qëndrimi i Gjykatës Kushtetuese. Në rastin konkret, ajo nuk e ka pezulluar tërësisht aktin normativ, por vetëm gjobën prej 5 mijë lekësh për bllokimin e rrugëve. Të gjitha masat e tjera mbeten në fuqi dhe zbatohen, përfshirë edhe gjobat më të rënda, që arrijnë deri në 5 milionë lekë të vjetra.
Pra, duhet theksuar se nuk është pezulluar i gjithë akti normativ. Është pezulluar vetëm një pjesë e vogël e tij. Pjesa tjetër mbetet plotësisht në fuqi. Nuk mund të paraqitet ky vendim sikur është arritur një fitore e madhe nga ata që kanë bërë ankim në Gjykatën Kushtetuese.
Nga ana tjetër, Gjykata Kushtetuese nuk mund të pezullojë Kodin Penal. Ky i fundit parashikon, sipas interpretimit tim, në nenin 283, se bllokimi i rrugëve përbën vepër penale dhe dënohet deri në tre vjet burgim. Kështu, personat që do të bllokojnë rrugët mund të përballen me përgjegjësi penale, e cila është shumë më e rëndë se gjoba prej 5 mijë lekësh.
Për fat të keq, mendoj se vendimmarrjet e Gjykatës Kushtetuese prej kohësh nuk po mbështeten gjithmonë në ndërgjegjen dhe profesionalizmin juridik. Ka raste kur vendimet duket se ndikohen nga faktorë politikë, shantazhe apo presione, duke cenuar besueshmërinë e këtij institucioni dhe duke e larguar atë nga vendimmarrja e pastër juridike. Përgjegjësia kryesore për veprimet e paligjshme do të jetë individuale dhe do të rëndojë mbi personat që i kryejnë ato. Ata që do të bllokojnë rrugët do të përgjigjen në bazë të dispozitave të Kodit Penal. Jam i bindur se Policia e Shtetit nuk do të kursejë kallëzimet penale ndaj personave që do të ndërmarrin veprime të tilla. Mendoj se pezullimi i gjobës prej 5 mijë lekësh nuk është bërë domosdoshmërisht për të mbrojtur të drejtën e protestës, por mund të ketë edhe prapavijë tjetër.
Sipas meje, synimi është nxitja e tensioneve, e zjarrvënies dhe e destabilitetit. Problemi është se Sali Berisha i nxit protestuesit për akte shumë më të rënda. Në protestat e mëparshme, ai u ka thënë se kanë mbështetjen e tij për të hedhur flakadanë, zjarr, gurë dhe bomba ndaj Policisë së Shtetit dhe institucioneve publike, madje edhe për të djegur gjykata dhe për të shkatërruar dosje, duke u premtuar mbrojtje ligjore falas dhe pagesën e gjobave.
Por, kur vjen puna te përgjegjësia, ajo është individuale dhe personale. Personat që kryejnë akte të tilla përballen vetë me pasojat, ndërsa Berisha, sipas meje, mbetet vetëm te premtimet. Ai nuk u ka ofruar mbështetjen që u ka premtuar protestuesve dhe dëmet që shkaktojnë do të duhet t’i përballojnë vetë. Sa i përket datës 28 Nëntor, mendoj se Berisha nuk e vlerëson rëndësinë që ka kjo ditë për shqiptarët. Është Dita e Pavarësisë dhe e Flamurit, një ditë e shenjtë për kombin shqiptar. Megjithatë, nga Berisha nuk presim që të respektojë këtë simbolikë, pasi, sipas qëndrimit tim, ai ka dëshmuar vazhdimisht se vepron kundër interesave të Shqipërisë.
Nuk mund të bësh thjesht kritikë ndaj një njeriu që, sipas meje, vepron me vetëdije të plotë kundër interesave kombëtare. Ai e ka dëshmuar këtë me veprimtarinë e tij politike, që nga koha kur drejtoi opozitën, gjatë periudhës kur ishte në pushtet dhe deri më sot. Mendoj se Berisha ka gjetur edhe pasuesit e tij brenda familjes, Shkëlzenin dhe Argitën, të cilëve synon t’u lërë stafetën e asaj që unë e konsideroj si mision në shërbim të interesave të huaja. Sa i përket personave të tjerë që mund të ndikojnë në organizimin e protestës së 28 Nëntorit, nuk mund të them se kemi indicie konkrete. Kjo është një çështje që kërkon verifikim dhe nuk mund të mbështetet vetëm në aludime politike”, tha ai.










