• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, November 13, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Beqir Balluku, një tavolinë dhe pesëdhjetë vjet frikë

by Albatros Rexhaj
13/11/2026 12:44
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Për më shumë se gjysmë shekulli, tavolina e Beqir Ballukut qëndroi larg zyrës së ministrit të Mbrojtjes. Diktatura kishte rënë, por frika që e kishte larguar tavolinën kishte mbijetuar. Derisa Ermal Nufi e gjeti në një korridor.

Nga Albatros Rexhaj

Në një korridor të Ministrisë së Mbrojtjes, mes sendeve që kishin humbur prej kohësh vlerën në sytë e atyre që vendosnin për fatin e tyre, ndodhej një tavolinë e madhe prej druri të errët. Me këmbë të gdhendura, zbukurime të punuara me dorë dhe një shqiponjë dykrenore në ballë. Një mobilie që, edhe pa ia njohur historinë, e kuptoje se nuk ishte bërë për ndonjë zyrë të zakonshme.

Ishte lënë aty për t’u hedhur.

Ermal Nufi, ministri i Mbrojtjes, e pa rastësisht. I tërhoqi vëmendjen punimi, materiali, përmasat. Pyeti për të.

Mbi të kishin punuar dikur ministrat shqiptarë të Mbrojtjes. I fundit që e kishte përdorur ishte Beqir Balluku. Pas arrestimit dhe ekzekutimit të tij, tavolina ishte larguar nga zyra. Për dekada të tëra kishte mbetur nëpër ambiente të tjera të Ministrisë, derisa përfundoi në atë korridor.

Arsyeja e largimit, siç ma tregoi vetë ministri pas një interviste që bëra me të, kishte qenë supersticioni. Ministrat që erdhën pas Ballukut nuk donin të uleshin në tavolinën e një njeriu që kishte përfunduar përpara skuadrës së pushkatimit.

Duket si histori folklorike, nga ato që qarkullojnë nëpër institucione dhe që njerëzit i përcjellin me buzëqeshje. Deri kur pyet kush ishte Beqir Balluku.

Kishte qenë ministër i Mbrojtjes për më shumë se dy dekada. Ishte një nga njerëzit më të fuqishëm të regjimit komunist, pjesë e sistemit që kishte ndihmuar të ndërtohej dhe e mekanizmave të tij të dhunës. Nuk ishte një i pafajshëm i humbur rastësisht në oborrin e diktaturës.

Balluku gëzonte respekt në ushtri. Autoriteti i tij mbështetej edhe te marrëdhënia me oficerët, te përvoja dhe njohja e strukturave ushtarake.

Në fillim të viteve shtatëdhjetë, drejtues të ushtrisë shqiptare u përfshinë në hartimin e një koncepti mbrojtës që i jepte më shumë rëndësi manovrës dhe lëvizshmërisë, në vend të mbështetjes së ngurtë te pozicionet mbrojtëse. Ishte një përpjekje për të futur mendim profesional në një doktrinë që përcaktohej, para së gjithash, nga vullneti politik i Enver Hoxhës.

Dokumentet hynë në histori me emrin Tezat e Zeza.

Unë besoj se këtu duhet kërkuar një pjesë e shpjegimit për fatin e Ballukut.

Një ushtri që modernizohet ia rrit prestigjin atij që e drejton. Dhe prestigji që lind nga respekti i ushtarakëve është një lloj autoriteti që diktatori nuk e kontrollon dot plotësisht. Mund të emërosh një ministër, mund ta shkarkosh, por nuk mund t’i urdhërosh njerëzit se kë duhet të respektojnë.

Për Enver Hoxhën, një ministër i tillë mund të kthehej në kërcënim edhe pa pasur asnjë plan për ta rrëzuar.

Në verën e vitit 1974 Balluku u godit politikisht. Në dhjetor u arrestua. Më 5 nëntor 1975 u ekzekutua bashkë me Petrit Dumen dhe Hito Çakon, të akuzuar për një komplot ushtarak për të cilin nuk janë paraqitur prova bindëse.

Pastaj erdhi radha e kujtimit të tyre.

Diktaturat kanë një marrëdhënie të veçantë me kujtesën. Pasi e largojnë njeriun, duan ta largojnë edhe nga historia, nga fotografitë, nga muret, nga bisedat. E, ndonjëherë, edhe nga sendet që ka përdorur.

Tavolina e Ballukut mbeti pa të zot.

Largimi i saj nuk e ndryshoi fatin e njerëzve që trashëguan postin.

Mehmet Shehu, që mori Ministrinë e Mbrojtjes pas Ballukut, u gjet i vdekur në dhjetor 1981 dhe u shpall armik i partisë. Kadri Hazbiu, që e pasoi Shehun në atë ministri, u arrestua dhe u pushkatua në shtator 1983.

Dy njerëz të tjerë, me pushtet të jashtëzakonshëm, të përpirë nga i njëjti sistem të cilit i kishin shërbyer.

Fati nuk ishte i fshehur në dru.

Enver Hoxha vdiq. Diktatura ra. Shqipëria u bë republikë pluraliste, ndryshoi aleancat dhe hyri në NATO. Në zyrën e ministrit të Mbrojtjes u ulën njerëz të tjerë, të ardhur nga parti dhe breza të ndryshëm.

Tavolina vazhdoi të mbetej jashtë.

Nuk e dimë nëse secili prej tyre e njihte historinë, as sa prej tyre besonin vërtet në tersin e saj. Por një vendim i lindur në atmosferën e frikës së diktaturës kishte mbijetuar pa pasur më nevojë për diktatorin.

Kështu trashëgohet frika, në heshtje. Pushon së kërkuari shpjegime dhe kthehet në zakon. Njerëzit vazhdojnë të bëjnë diçka sepse kështu e kanë gjetur, derisa një ditë askush nuk e mban mend përse.

Kur dëgjoi historinë e tavolinës, Ermal Nufi e ndaloi hedhjen e saj. Kërkoi vetëm ta pastronin, pa restaurime që do t’ia fshinin shenjat e kohës, dhe ta kthenin në zyrën e ministrit.

Bashkë me zyrën, një ministër trashëgon edhe historinë e institucionit, me arritjet, gabimet, padrejtësitë dhe krimet që kanë ndodhur në emër të tij. Nuk ka detyrimin t’i mbrojë paraardhësit. Ka detyrimin të mos i fshijë nga historia.

Beqir Balluku mbetet me përgjegjësitë që kishte si pjesë e regjimit. Tavolina e kthyer thotë vetëm se ai ka qenë aty, dhe se fundi i tij ka pushuar së qeni arsye për ta fshehur.

Sot tavolina është përsëri në zyrën e ministrit të Mbrojtjes.

Mbi të ka kompjuterë, telefona, dokumente dhe sende të zakonshme pune. Në njërën anë qëndrojnë flamuri shqiptar, ai i NATO-s dhe flamuri i Bashkimit Evropian.

Në ballë ka të njëjtën shqiponjë dykrenore që kishte edhe kur mbi të punonte Beqir Balluku.

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Beqir Balluku, një tavolinë dhe pesëdhjetë vjet frikë

Beqir Balluku, një tavolinë dhe pesëdhjetë vjet frikë

November 13, 2026
Horoskopi javor 9-15 shtator 2024, nga shenjat nga më pak fatlume tek ‘mbreti i javës’

Horoskopi ditor për nesër, e Shtunë 14 Nëntor 2026

November 13, 2026
Postblloqet policore për kontrollin e alkoolit të shoferëve

Si e përballojnë jetesën familjet me 1 deri 750 euro në muaj?

November 13, 2026
Bjellorusi-Shqipëri gjykohet nga kroati Igor Pajač, vendimtare për kreun e grupit

Bjellorusi-Shqipëri gjykohet nga kroati Igor Pajač, vendimtare për kreun e grupit

November 13, 2026
U gjet i vrarë me armë zjarri brenda makinës në Dukagjin, zbulohet identiteti i viktimës

Kapet në Shkodër 52-vjeçari i kërkuar nga Mali i Zi, akuzohet për pjesëmarrje në grup kriminal të narkotikëve, pritet ekstradimi!

November 13, 2026
Liga e Kombeve/ “Shqipëria synon Ligën B”- Berisha dhe Muçi besojnë te kuqezinjtë: Kemi kaluar shumë për të qenë këtu!

Liga e Kombeve/ “Shqipëria synon Ligën B”- Berisha dhe Muçi besojnë te kuqezinjtë: Kemi kaluar shumë për të qenë këtu!

November 13, 2026
VENDIMI/ Integrimi, Qeveria ndryshon emrat e grupit të negociatorëve me BE-në për disa kapituj! Nga Biba te Tomini, ministri Demo ndërrohet me…

VENDIMI/ Integrimi, Qeveria ndryshon emrat e grupit të negociatorëve me BE-në për disa kapituj! Nga Biba te Tomini, ministri Demo ndërrohet me…

November 13, 2026
Marrëdhënie seksuale me të miturën, dënohet me 25 vjet burg 67-vjeçari në Fier

Tjetërsimi i tokës me dokumente false, Gjykata e Fierit jep masat për 5 personat e akuzuar! Lë në burg 4 prej tyre, njëri lirohet (EMRAT)

November 13, 2026
SPAK e kundërshtoi, GjKKO legjitimon Plarent Ndrecën si avokat të Erion Veliajt

Transferimi i dyshimtë nga paraburgimi i Durrësit në Fier, Erion Veliaj kallëzon Sadleva Bodon, Drejtoreshën e Përgjithshme të Burgjeve!

November 13, 2026
Kombëtarja dhe shifrat/ Historia përsëritet me Bjellorusinë, nga Reja te Maran ndryshon vetëm një detaj!

Kombëtarja dhe shifrat/ Historia përsëritet me Bjellorusinë, nga Reja te Maran ndryshon vetëm një detaj!

November 13, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In