Ministria e Shëndetësisë njofton se u zhvillua në qytetin e Shkodrës Konferenca Kombëtare e Nefrologjisë me pjesëmarrjen e mjekëve nga e gjithë Shqipëria. Në këtë takim u bë prezantimi i Programit Kombëtar mbi Parandalimin, Zbulimin e hershëm dhe Mjekimin e sëmundjeve kronike të veshkave.
Në fjalën e mbajtur, Ministri i Shëndetësisë bëri një prezantim të nismave të ndërmarra, gjatë këtyre tre viteve e gjysmë, përsa i përket diagnostikimit dhe kurimit të këtyre sëmundjeve.
Beqaj solli në vëmendjen fakti se tashmë në Kontrollin Bazë Shëndetësor, “Check-Up”, janë shtuar dy analiza të reja vetëm për sëmundjet e veshkave, ajo e matjes së nivelit të azotemisë dhe ajo e kreatinemisë, mjaft të rëndësishme për diagnostikimin e hershëm dhe trajtimin e sëmundjeve të veshkave.
“Çdo sëmundje ka pesë elementë të rëndësishëm; për çdo lloj sëmundjeje, -dhe këtë derisa e thotë OBSH-ja, ne bashkërisht na duhet ta marrim edhe si aksiomë,- duhen barna, duhet diagnostikë, duhet informacion, duhen burime njerëzore, duhen dhe para. Për të pesta këto, ne jemi përpjekur. Në rimbursim janë shtuar 6 barna të reja, të cilat vetëm për vitin 2016 kanë kushtuar 573 milionë lekë”, theksoi Beqaj.
Kreu i Shëndetësisë solli në vëmendje investimet që janë bërë në qendrat ku ofrohet shërbimi i Hemodializës, i shtrirë tashmë në disa qytete të vendit duke qenë në këtë mënyrë më pranë pacientëve, duke iu shërbyer 1050 pacientëve nga 743 që gjetëm në 2013, ndërkohë që në 2016 u realizuan 144,637 seanca shërbimi hemodialize për të cilat u investuan 16,2 miliardë lekë.
Për t’iu ardhur më pranë pacientëve, kemi rehabilituar dhe rifurnizuar me pajisje qendra ekzistuese të hemodialiës, u shpreh z. Beqaj, duke theksuar se “në Shkodër vërtetë ne themi kemi qendër të re, dhe e tillë është, por ama, shërbimi në Shkodër është ofruar po kishte ardhur një moment që kishte nevojë për ndryshim rrënjësor. Në Vlorë, në Shkodër, Lezhë sot jemi prezentë falë Partnetitetit Publik-Privat, ndërsa në Berat jemi prezentë falë bashkëpunimit me institucione private”, u shpreh Ministri i Shëndetësisë. /b.d