Spitali Rajonal i Shkodrës ofron tashmë edhe shërbimin e Kimioterapisë për pacientët e prekur nga sëmundjet tumorale. Falë investimit të realizuar në këtë spital për ofrimin e shërbimit të njohur si “Day Hospital” dhe garantimit të përgatitjes së mjekimit me barna pranë Kapave (aparaturave të specializuara), dhe jo më manualisht siç kryej disa vite më parë, prej një muaji, afro 10 pacientë e marrin këtë shërbim jetik për jetën e tyre, pranë vendbanimit të tyre duke shmangur në këtë mënyrë rradhët e gjata të pritjes dhe ecejaket drejt Tiranës.
Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, ishte në spitalin Rajonal të Shkodrës ku pa nga afër mjediset ku po ofrohet ky shërbim. Ministri Beqaj u shpreh se spitali Rajonal i Shkodrës, është një prej pesë spitaleve Rajonale, përveç QSUT-së, ku ofrohet tashmë ky shërbim mjekësor.
“Më në fund, arritëm që këtë shërbim të fillojmë ta ofrojmë dhe në spitalet Rajonale, kështu që edhe Shkodra është pjesë e pesë spitaleve, përveç QSUT-së, ku ne po ofrojmë këtë shërbim. Sigurisht, e kemi nisur me protokollet e sëmundjeve bazë, dhe në bashkëpunim me Shërbimin Universitar në QSUT, kemi filluar, siç e tha dhe doktoresha (zj. Daniela Bega, Onkologe në spitalin Rajonal të Shkodrës), të bëjmë këtu në Shkodër kimiot për tumoret e gjirit dhe zorrës së trashë”, u shpreh z. Beqaj.
Kreu i Shëndetësisë shprehu falënderimet për ekipin mjekësor që punon në këtë shërbim, teksa njoftoi se brenda pak javësh, një pjesë të barnave Citostatikë në formë tabletash, të sëmurët onkologjikë mund ti marrin në spitalin e Shkodrës, pa ju dashur të udhëtojnë drejt Tiranës. “Sigurisht, do ta ndjekim në vijimësi për të parë ecurinë, konsolidimin, me dëshirën që në të ardhmen, të mund të zgjerohemi dhe me protokolle të tjera. Gjithashtu, ne do të fillojmë, në fakt, brenda pak javësh, që dhe një pjesë të mirë të barnave Citostatikë në formë tabletash, të sëmurët onkologjikë të mos shkojnë ti marrin më në Tiranë, por ti marrin në farmacinë e spitalit të Shkodrës”, theksoi Ministri Beqaj.
Nga ana e saj, Dr. Daniela Bega, Onkologe pranë këtij spitali tha se është siguruar tashmë furnizimi me të gjitha barnat e nevojshme, duke shtuar se, tashmë, pacientët e Shkodrës nuk kanë më nevojë të shkojnë deri në Tiranë, pasi çdo gjë ju ofrohet brenda të gjithë standardeve në këtë spital. “Kemi filluar prej një muaji, dhe deri tani, janë trajtuar 10 pacientë. Bëhet fjalë për dy sëmundjet më të shpeshta tumorale, kancerin e gjirit dhe kancerin e zorrës së trashë. Medikamentet janë në spitalin e Shkodrës, kështu që pacientët paraqiten në spital, është një investim shumë i rëndësishëm nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me drejtorinë e spitalit, dhe tani pacientët e Shkodrës nuk kanë më nevojë të shkojnë deri në Tiranë, është shkurtuar koha, rruga që duhet të bënin, çdo gjë ju ofrohet brenda gjithë standardeve brenda në spitalin e Shkodrës”, deklaroi Dr. Bega.
—###—
Fjala e plotë e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj:
Sigurisht, që e kemi patur që në Programin e Qeverisë angazhimin e veçantë për sëmundjet tumorale, sepse praktikisht, kanë përhapje të lartë në Shqipëri dhe kujdesi i tyre është një kujdes që krijon dhe barrë financiare për familjet. Më në fund, arritëm që këtë shërbim të fillojmë ta ofrojmë dhe në spitalet Rajonale, kështu që edhe Shkodra është pjesë e pesë spitaleve, përveç QSUT-së, ku ne po ofrojmë këtë shërbim. Sigurisht, e kemi nisur me protokollet e sëmundjeve më bazë, dhe në bashkëpunim me Shërbimin Universitar në QSUT, kemi filluar, siç e tha dhe doktoresha, të bëjmë këtu në Shkodër kimiot për tumoret e gjirit dhe zorrës së trashë.
Spitali ka këtë vit 100 milionë lekë të akorduara vetëm për furnizimin me Citostatikë, dhe praktikisht, edhe këtu, ne përdorim një teknologji të avancuar që të arrijmë shfrytëzimin maksimal të medikamenteve që disponohen. Sepse zakonisht ,kimioterapitë janë në ambalazhe të caktuara, por trajtohen tek pacienti sipas kilogram/peshës, kështu që të mos kemi humbje, por dhe që procesi i bashkimit të tyre të jetë edhe jo i rrezikshëm për infermieret që punojnë me këtë gjë, përdoret kjo teknologji që është nga teknologjitë më të avancuara, për të cilën që vjet ne investuam rreth 15 milionë lekë për ta bërë të gatshme.
Unë besoj se, në radhë të parë, i ofrojmë një shërbim shumë të nevojshëm pacientëve që vuajnë nga këto sëmundje, është edhe psikologjikisht goxha e rëndë që një herë në tre javë të shkosh në Tiranë, të shoqërohesh nga një familjar, edhe me ankthin që mund të mos jenë barnat, ndërkohë që duke e marrë sa më pranë vendbanimit, u heqim njerëzve një mundim të madh. Po besoj se edhe shërbimit të kujdesit paliativ këtu në Shkodër i rrisim nivelin e tij dhe besoj se përmirësojmë shumë edhe marrëdhëniet midis mjekëve edhe të sëmurëve.
Unë dua të falënderoj ekipin që punon këtu për këmbënguljen që kanë patur prej një viti për të insistuar ndaj drejtorisë dhe ndaj meje që ky shërbim të mund të ofrohej edhe në Shkodër. Sigurisht, do ta ndjekim në vijimësi për të parë ecurinë, konsolidimin, me dëshirën që në të ardhmen të mund të zgjerohemi dhe me protokolle të tjera. Gjithashtu, ne do të fillojmë në fakt, brenda pak javësh, që dhe një pjesë të mirë të barnave Citostatikë në formë tabletash, të sëmurët onkologjikë të mos shkojnë ti marrin më në Tiranë, por ti marrin në farmacinë e spitalit të Shkodrës.
Dr. Daniela Bega, onkologe, spitali Rajonal Shkodër:
Kemi filluar, kemi një muaj dhe deri tani janë trajtuar 10 pacientë. Bëhet fjalë për dy sëmundjet më të shpeshta tumorale, kanceri i gjirit dhe kanceri i zorrës së trashë. Medikamentet janë në spitalin e Shkodrës, kështu që pacientët paraqiten në spital, është një investim shumë i rëndësishëm nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me drejtorinë e spitalit, dhe tani, pacientët e Shkodrës nuk kanë më nevojë të shkojnë deri në Tiranë. Është shkurtuar koha, rruga që duhet të bënin, çdo gjë ju ofrohet brenda gjithë standardeve në spitalin e Shkodrës.