Në Ministrinë e Shëndetësisë, do të zhvillohen përgjatë tre ditëve, 31 Janar-1 Shkurt, disa takime në kuadrin e programit TAIEX, një instrument i asistencës teknike dhe shkëmbimit të informacionit të Komisionit Evropian. Ministria e Shëndetësisë ka pasur një kujdes të vecantë për të përdorur këtë instrument shumë të rëndësishëm të asistencës teknike të ofruar nga KE-ja vendeve kandidate dhe kandidate potenciale, ku vetëm gjatë muajit Janar të 2017 janë 5 aktivitete të miratuara. Dy janë aktualisht duke u zhvilluar ne Ministrinë e Shëndetësisë, dhe 3 aktivitetet e tjera do të zhvillohen brenda muajit Shkurt.
Në takimin me fokus të drejtat e pacientëve dhe mbrojtjen e të dhënave sensitive të shëndetit, i cili u drejtua nga Doktor Siniša Varga, ekspert i BE-së, ish-Ministër i Shëndetësisë në Kroaci, aktualisht deputet në parlamentin kroat, ishin të pranishëm edhe Komisioneri për të Drejtat e Informimit dhe mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, si dhe Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj. Qëllimi i këtij takimi është shkëmbimi i informacionit dhe përvojave në lidhje me mbrojtjen e të dhënave të pacientëve, dhe veçanërisht, rekordeve mjekësore të pacientëve dhe përafrimi i legjislacionit me direktivat përkatëse të BE-së.
Në fjalën hapëse, duke falënderuar doktor Siniša-n dhe Komisionerin Dervishi për pjesëmarrjen e tyre, Ministri Beqaj u shpreh se gjatë kësaj kohe është ecur me disa sisteme, të cilat po bëhen realitet duke ju referuar Recetës Elektronike, e cila funksionon prej gati një viti në Durrës, ndërkohë që ka nisur aplikimi i saj në të gjithë vendin. “Ne brenda shkurtit do të fillojmë të prezantojmë edhe të zbatojmë, edhe referimin elektronik të pacientëve nga një hallkë në një hallkë tjetër të sistemit të referimit. Edhe kjo do të jetë një lehtësi shumë e madhe. Sidomos për të lehtësuar barrën burokratike dhe administrative ende të lartë që kanë pacientët shqiptarë”, u shpreh Beqaj.
Kreu i Shëndetësisë njoftoi se duke nisur nga 1 Shkurti, afro 20 barna, pacientë të ndryshëm nuk do të vijnë t’i marrin ato në farmacinë e QSUT-së por mund ti tërheqin në farmacitë e spitalit Rajonal. Z. Beqaj njoftoi, gjithashtu, se duke nisur nga data 1 Mars, pacientët që kanë nevojë për ekzaminime të kushtueshme nuk do të vijnë më në QSUT për t’u regjistruar në listën e pritjes por mund ta bëjë atë që nga zyrat e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, në qytetin ku ata jetojnë.
“Nga nesër, rreth 20 barna, në mos gaboj, pacientë të ndryshëm nuk do vijnë t’i marrin më në farmacinë e QSUT-së po do ti marrin në farmacitë e spitalit Rajonal. Ky veprim ka kushtuar zero lekë. Besoj se nga 1 Marsi nuk do duhet që të vijnë pacientët, të fusin për ekzaminimet e kushtueshme emrin në listën e pritjes në QSUT, dhe pastaj, të vijnë ta kryejnë por do ta bëjnë që nga zyrat e Fondit në qytetin ku ata jetojnë”, theksoi Ministri i Shëndetësisë z. Ilir Beqaj.
Fjala e plotë e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj:
Takimi i sotëm, në fakt, është edhe pak i veçantë për mua. Së pari, sepse janë bashkë me mua sot dy të ftuar me të cilët më lidh edhe jashtë marrëdhënieve të punës qoftë një miqësi e gjatë, qoftë dhe një miqësi më e afërt në kohë. Me Komisionerin për Informacionin dhe Mbrojtjen e të Dhënave (z. Besnik Dervishi) unë njihen prej shumë shumë vitesh, dhe shpesh herë, këtu vijnë punët që më duhet mua tani të drejtoj një aktivitet që lidhet me profesionin e tij. Ndërsa jam shumë i kënaqur që kam sot si mik, sot është ekspert nga Kroacia, por për mua është mik. Doktor Siniša (Varga) ka qenë Ministër i Shëndetësisë në Kroaci deri pak kohësh. Në kohën që ai ishte Ministër midis Shqipërisë dhe Kroacisë është lidhur një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë.
Kështu që, praktikisht, kjo është një mënyrë sesi jeta vazhdon dhe ngjarjet vijojnë në një kontekst, ku sot gjithmonë e më tepër teknologjia, inovacioni, komunikimi po përdoret në mënyrë të gjerë për të kapërcyer barriera gjeografike, kulturore, të cilat indirekt janë dhe barriera financiare. Por, nëse ka një prirje dhe një realitet botëror për të përdorur gjithnjë e më gjerë këto lloj teknologjish të reja, që praktikisht, e bëjnë botën pa kufij në të gjithë kuptimet, ne që kemi detyrën ti shohim sistemet më nga sipër, duhet të jemi shumë të kujdesshëm që këmbimi i informacionit të respektojë një sërë standardesh, padyshim, jo vetëm duke respektuar po mbrojtur fillimisht individin, të drejtat e tij.
Sigurisht, jam i kënaqur që prezenca e Doktor Siniša-s është sot këtu edhe nëpërmjet një instrumenti shumë efektiv që Bashkimi Europian ka për të ndihmuar vendet që janë në fazën e pranimit në Bashkimin Europian, nëpërmjet TAIEX-it. Ne kemi patur këto vite një shfrytëzim goxha të mirë të këtij instrumenti në aspekte nga më të ndryshmet, në pjesën jo thjeshtë të përafrimit të legjislacionit, por të reformave që kemi ndërmarrë duke patur gjithmonë një mendje edhe se si duhet të përputhemi me legjislacionin evropian.
Por, ka dhe një moment shumë të rëndësishëm. Këto vite janë investuar jo pak para për Shëndetësinë Elektronike në Shqipëri. Dhe është momenti që, tashmë, qytetarët të fillojnë të shohin efektin e këtyre investimeve, leverdisshmërinë e këtyre investimeve.
Ne duhet të kemi diçka parasysh, që mundësitë financiare tonat nuk janë të pakufizuara, për të mos thënë janë modeste. Sfida e Qeverisë për të shkuar drejt “Mbulimit Universal” kërkon edhe më shumë investime. Ka njerëz për të cilët, ndoshta në hallin e tyre, me të drejtë mund të thonë, po mirë ne s’kemi ende këtë dhe këtë, ju financoni për teknologji, për sisteme, të cilat duhet të pranojmë kanë një kosto si në Shqipëri edhe në Perëndim. Bile, nga një herë këtu për tregje më të vogla mund të kenë dhe një kosto dhe një çikë më të madhe. Po duhet të kemi parasysh edhe që janë sistemet për të cilat edhe mirëmbajtja e tyre kushton. Janë sisteme që amortizohen shpejt, sidomos moralisht. Domethënë, nga momenti i vënies në punë duhet të jetë shumë i shpejtë cikli i shfrytëzimit, se sa më shumë ai i investimit. Edhe për faktin se sot, në kuptimin e mirë, ka dhe një konkurrencë midis sektorëve, sepse të gjithë po ecin në këtë drejtim. Jo thjesht sepse është në modë, po se tashmë është bërë realitet.
Ne, kemi ndërkohë edhe një avantazh, mendoj unë, që gjithmonë e më tepër edhe publiku është shumë më familjar me përdorimin e teknologjisë. Për nga struktura që kemi ne, të gjithë e dinë, që sot ka shumë të moshuar që janë gjyshër dhe gjyshe që nga shtëpia përdorin “Skype”-in, për të folur me të afërmit e tyre, pse të mos e përdorin edhe për një hall apo një merak shëndeti. Sepse sot, pothuajse në çdo familje ka një aparat smartphone, direkt apo indirekt, çdo familje ka një komunikim Interneti, duhet të fillojmë ti përdorim gjithmonë e më tepër.
Është gjynah, për shembull, që ne kemi sot rreth 1 milionë Karta Shëndeti aktive, dhe vetëm 12 mijë janë aplikuar on-line në portalin e-Albania. Domethënë, përqindja është jashtëzakonisht e vogël.
Apo vetëm 6 mijë vetë kanë konsultuar gjatë një viti përgjigjet e “Check-Up”-it nëpërmjet e-Albania. Ende, është jashtëzakonisht i vogël shfrytëzimi, ndërkohë që në marrëdhënie jo-formale, gjithmonë e më tepër, kardiologët marrin EKG-në me “Whatsapp”, – po marr gjënë më të përhapur. Por, duhet të jemi goxha të kujdesshëm në mënyrën e përdorimit të tyre. Sidomos, kur përdoret nga institucionet tona dhe na duhet që të kemi një harmonizim edhe midis institucioneve shëndetësore, pavarësisht nëse janë publike apo jopublike. Nga pikëpamja e platformës elektronike s’ka asnjë dallim një qytetar apo një pacient, sot mund të shkojë edhe në institucion publik edhe në institucion jo-publik.
Do të kemi rezistencë nga institucionet jo-publike, sepse mund tu duket sikur po u hyjmë brenda domain-it të tyre, dhe kjo është një nga arsyet që në këtë reformim të këtij aspekti shëndetësor, kërkuam edhe ndihmën e Bashkimit Europian për të marrë, nga njëra anë kush janë standardet sot në Bashkimin Europian, por edhe për të marr pak informacion se si arrihet tek këto standarde, meqenëse Kroacia ka kaluar këtë rrugë në 10 vitet e fundit.
Ne kemi ecur këto kohë me disa sisteme, të cilat gradualisht po bëhen realitet. Receta Elektronike në Durrës funksionon prej gati një viti, nga nesër fillon të shtrihet në të gjithë vendin. Shumë e rëndësishme është që të ecin në paralel edhe me Nënshkrimin Elektronik. Ndoshta, mjekët janë grupi i parë i profesionistëve në Shqipëri, midis të gjithë profesioneve, që gradualisht s’do kenë më firmë dhe vulë. Që është një gjë shumë e avancuar, ndoshta jo vetëm në Shqipëri. Nuk është ndonjë meritë e madhe e jona kjo, është vetëm fakti që ne ju bashkuam të fundit klubit të teknologjisë, dhe sigurisht, do ta fillonim nga ajo çfarë ofrohej sot, s’kishte pse të digjnim etapat edhe një vend më i vogël.
Ne, brenda Shkurtit, do të fillojmë të prezantojmë edhe të zbatojmë, edhe Referimin Elektronik të pacientëve nga një hallkë në një hallkë tjetër të sistemit të referimit. Edhe kjo do të jetë një lehtësi shumë e madhe. Sidomos, për të lehtësuar barrën burokratike dhe administrative ende të lartë që kanë pacientët shqiptarë. Domethënë, ne vërtetë kemi sot radhë pritje shumë më të shkurtra, dhe vërtetë shumë më tepër njerëz nuk e fusin më dorën në xhep, por nëse i thua ti hajde një herë për të zënë radhë, hajde një herë për të bërë ekzaminimin, hajde dhe një herë tjetër për të marr përgjigjen, boll ecejaket ja kanë plas buzën, saqë vjen më moment që thotë që, kush e ka dhe një mundësi po iki tek privati dhe po mbaroj punë brenda ditës nuk kam pse gjithë këto .
Edhe këtu, besoj se na duhet të përmirësojmë, dhe besoj, se duhet të kemi një qasje goxha radikale. Duke përmirësuar recepsionet, e duke zgjeruar recepsionet mund të na duhen vite e vite dhe shumë para, ndërkohë që kemi mbingarkesë burokratike të cilën mund ta thyejmë shumë fortë.
Nga nesër, rreth 20 barna, – në mos gaboj, – pacientë të ndryshëm nuk do vijnë t’i marrin më në farmacinë e QSUT-së, po do ti marrin në farmacitë e spitalit Rajonal. Ky veprim ka kushtuar zero lekë. Besoj se nga 1 Marsi nuk do duhet që të vijnë pacientët, të fusin për ekzaminimet e kushtueshme emrin në listën e pritjes në QSUT, dhe pastaj të vijnë ta kryejnë por do ta bëjnë që nga zyrat e Fondit në qytetin ku ata jetojnë.
Ne në Shqipëri, – unë besoj kuadri ligjor bazë që rregullon e kemi në vend, si dhe në shumë fusha të tjera, – nuk është se na pengojnë ose mungojnë aktet juridike, na pengon zbatimi i tyre dhe praktikat e tyre të zbatimit. Dhe, – ndjesë nëse po cënoj pak, ju që jeni mjekë, përfshirë dhe doktor Siniša-n, – po nuk është e kollajshme t’u ndërrosh mjekëve rutinën e punës së përditshme. Kështu që do të na duhet të kemi parasysh që, në këtë sipërmarrje, do të kemi shpesh herë edhe jo rezistencë, por një lloj mospranimi shumë të lehtë. Boll për faktin që u ndërrojmë atë steriotipin e punës së përditshme, apo faktin që mund t’u duket sikur po u prishim atë suazën në të cilin e kanë ndërtuar aktivitetin e tyre të përditshëm. Unë shpresoj që ju të vazhdoni edhe gjatë ditës sot një punë efektive. Edhe një herë do të falënderoj Komisionerin për prezencën këtu dhe Doktor Siniša-n për kontributin e tij.