Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ishte sot në Forumin Kombëtar “Garë për Mbijetesë”të zhvilluar në kuadrin e fushatës globale të organizuar nga “Save the Children”me qëllim ndërgjegjësimin për çështje që lidhen me shërbimin e kujdesit shëndetësor, arsimin dhe mirëqënien e fëmijëve. Në fjalën e tij Ministri Beqaj theksoi vendosmërinë e qeverisë dhe të institucionit që ai drejton për të rritur cilësinë në shërbimet shëndetësore për fëmijët.
Beqaj pranoi se ende kushtet dhe cilësia nuk është në nivelin që do të donim, por se rruga e ndërmarrë dhe reformat që i është nënshtruar sistemi shëndetësor do të sjellin rritje të mëtejshme të cilësisë së shërbimeve shëndetësore për çdo fëmijë.
“Unë besoj se kemi plane konkrete për të konsoliduar atë që tashmë ekziston, që është kontrolli i shëndetit të gojës me anë të dentistëve që janë në Shqipëri, dhe duam të fillojmë që nga ky vit shkollor, një kontroll më të shpeshtë pranë shkollave. Sot, kemi mundësinë ta bëjmë me mjete më të lehta, sidomos për problemet e shikimit, që në klasën e parë, të dytë e të tretë e me tepër, djemtë dhe vajzat kanë probleme me shikimin, që pastaj i kthehen në pengesë në mësimnxënie, dhe padyshim, në cilësinë e rezultateve. Por me kushtet të cilët ju mësoni, të paktën ato higjeno-sanitare, sigurisht jemi të vetëdijshëm që nuk janë më të mirat, dhe të paktën këtë vit, Inspektorati Shëndetësor (ISHSH – Inspektorati Shtetëror Shëndetësor), që në nga muajt maj-qershor, filloi nga puna për të bërë një ekzaminim të plotë dhe në mes të muajit gusht, kryetarët e bashkive, të paktën të bashkive të mëdha, të zgjedhjeve të qershorit, patën një raport të hollësishëm për çdo shkollë, bashkë me propozimet për ndërhyrjet e shpejta, që mund të realizohen, në mënyrë që javët e ardhshme të fillojë të jenë bërë edhe përmirësimet e para.” tha Beqaj
Më tej ministri nënvizoi disa nga masat që do të ndërmerren në bashkëpunim me të gjithë institucionet përkatëse të cilat do t’u vijnë në ndihmë shëndetit të fëmijëve.
“Përveç asaj, Qeveria ka ndërhyrje më të thella, në mënyrë më të plotë, me bashkëpunim të disa ministrive, edhe drejtpërdrejt me shëndetin e fëmijëve, qoftë me shtimin e orëve të edukimit fizik, qoftë me shtimin e mësuesve të edukimit fizik në përpjekje që ata të jenë edhe më të zotë, edhe disa programe që po zhvillohen në shumë qytete të Shqipërisë për të shtuar terrenet sportive, në mënyrë që të mund të zhvilloni edhe jashtë shkolle aktivitet fizik, apo edhe me një nismë të filluar, që shumë sportistë me emër, të nderuar, po fillojnë të marrin në patronazh shkolla të ndryshme për të ngritur aty klube të futbollit, basketbollit, volejbollit, etj.” u shpreh ai