Nga hyrja në fuqi e ligjit “Për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”, naftëtarët nga 60-65 vjeç që gëzojnë të drejtën e pensionit të parakohshëm do të marrin një përfitim që për të gjithë bashkë mendohet të jenë 550 milionë lekë.
Kështu deklaroi sot deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqaj, gjatë diskutimeve në Kuvend për këtë projektligj.
“Ky ligj vjen për miratim vetëm 38 ditë përpara se të zhvillohen zgjedhjet. Dikush tha se po e sillni këtë ligj për fushatë, por në fakt çdo program qeverisës zbatohet ditë pas dite dhe nëse përmbushja e angazhimeve përmbarore qenka fushatë, besoj se është e mirëseardhur në çdo moment. Në 30 qershor madje, kësaj here qytetarët shqiptarët jo vetëm do të shprehin vullnetin e tyre të lirë sipas një të drejte kushtetuese, por nga aty do të dalin edhe kryetarët e rinj të bashkive, me të cilët edhe për problemet e burimeve natyrore do na duhet të flasim”-, nënvizoi Beqaj.
Sipas tij, ka kohë që diskutojmë se si duhet ti ndajmë të ardhurat nga renta minerare edhe kur prodhohen nga nafta, mineralet e bitumi.
“Dëgjuam një diskutim, ku u thanë të pavërteta.Së pari 1.4 miliardë të reja që është kostoja vjetore e parashikuar për rreth 23 mijë e 400 përfitues përfshin një pjesë jo të vogël, rreth 550 milionë lekë, përfitime për pension të parakohshëm për naftëtarët nga 60-65 vjeç. Deri sot këta naftëtarë marrin zero. Na duhet të trajtojmë problemin e sotëm, por edhe të të ardhmes, ka prapë minatorë miniera që pas 10 vjetësh 15 do të kërkonin pension të parakohshëm dhe shtesë pensioni dhe për pasojë na duhet të ndërtojmë sot një model të qëndrueshëm”-, theksoi ai duke shtuar se kemi zgjidhur të sotmen dhe të ardhmen.
Beqaj u shpreh se “në 2013 në Dibër premtuam tre gjëra uljen e moshës së pensionit, garantimin e vijimësisë së pusit kryesor në Bulqizë dhe rrugën e Arbrit. Dy të parat janë bërë rruga e arbrit po behet dhe po ecet me shpejtësi fantastike. Pikërisht falë këtyre politikave në 2018 Shqipëria prodhoi për herë të parë 1.3 milionë ton krom më shumë se asnjëherë tjetër , si dhe 10 mijë ton ferrokrom”.
“Vërtet ka përpjekje të opozitës për të dëmtuar qeverisjen me kapital politik, por të paktën përveç një opinioni që e krijojmë ne politikanët vetë të dhënat e sotme të turizmit janë fantastike, dolën zyrtarisht sot në prill 2019 në kulmin e flakëve në bulevardin e Tiranës kanë ardhur në Shqipëri erdhën 16% turistë më shumë se në prillin 2018 kur ishte paqja.
Në katër mujor janë 7.4% më shumë, grekë 7.8%. italianë, 8.9%, polakë 12.4% dhe gjermanë 21.3%. Nëse nuk do të ishte kjo situatë do të ishte shumë më mirë. Por këta turistë shërbehen në Shqipëri, nga bizneset, që kanë të punësuar, sjellin valutë të huaj dhe ky është eksport shërbimesh”-, tha Beqaj duke shtuar se prandaj leku vazhdon të jetë i fortë.
Beqaj u shpreh se “kjo tregon shëndet të ekonomisë shqiptare, por është edhe një arsye tjetër nuk kanë kohë njerëzit të përzënë opozitën në protesta se duhet tu shërbejnë turistëve që vijnë edh në hotel, restorant, bujtinë, muze, kinema. Prandaj sigurisht mund ta kishim bërë më parë këtë ligj, por ka qenë nevoja që zgjidhja e sotme të jetë e qëndrueshme edhe pas 10 vjetësh”.
/a.rada