Konsumatorët shqiptarë do të kenë më shumë të drejta në treg kur blejnë produkte të ndryshme, qoftë fizikisht por edhe online.
Projektligji “Për mbrojtjen e konsumatorëve”, i depozituar për diskutim në komisionet parlamentare, vendos detyrime më të qarta për marrëdhëniet tregtare ndërmjet bizneseve dhe konsumatorëve, edhe në tregtinë online dhe platformat digjitale, duke përafruar legjislacionin shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian.
Qëllimi është të garantohet një treg më transparent dhe i drejtë, ku konsumatorët të kenë informacion të plotë dhe të mund të marrin vendime ekonomike të informuara.
Një nga risitë kryesore lidhet me transparencën e çmimeve dhe ofertave promocionale. Projektligji parashikon që çmimi i shitjes të jetë i shënuar qartë për çdo produkt, ndërsa uljet e çmimeve të shoqërohen me çmimin pararendës më të ulët të aplikuar gjatë 30 ditëve të fundit. Ky mekanizëm synon të parandalojë ofertat mashtruese dhe paraqitjen artificiale të uljeve të çmimeve.
Risi të tjera lidhen me zgjerimin e detyrimeve për informimin e konsumatorit. Bizneset duhet të ofrojnë informacion të qartë për karakteristikat, origjinën, cilësinë, çmimin, afatin e përdorimit, mënyrën e përdorimit dhe garancinë e produkteve. Informacioni tregtar në gjuhën shqipe parashikohet si kërkesë bazë, ndërsa përgjegjësia për sigurinë shtrihet edhe te shërbimet.
Sa i takon shitjeve online, me telefon apo jashtë dyqanit, tregtari do të jetë i detyruar të ofrojë disa të dhëna në lidhje me identitetin, çmimin e plotë, kostot shtesë dhe kujtesë për garancinë ligjore dhe tregtare etj.
Ndërsa nga ana tjetër konsumatori ka të drejtë të heqë dorë nga kontratat e lidhura në distancë ose jashtë qendrave të tregtimit brenda 14 ditëve, pa dhënë arsye dhe pa kosto shtesë, përveç kostove të kthimit të mallrave, kur ato nuk mbulohen nga tregtari. Nëse konsumatori nuk informohet për këtë të drejtë, afati mund të zgjatet deri në 12 muaj.
Një tjetër risi është forcimi i mekanizmave për trajtimin e ankesave. Tregtarët do të duhet të pranojnë ankesa me shkrim, fizikisht ose elektronikisht, të konfirmojnë marrjen e tyre dhe t’u përgjigjen brenda 15 ditëve kalendarike. Gjithashtu, ata do të detyrohen të mbajnë regjistrin e ankesave për një vit nga data e marrjes.
Për çdo shitje parashikohet detyrimi i tregtarit për të lëshuar kuponin ose faturën tatimore, ndërsa mallrat duhet të ambalazhohen ose paketohen në mënyrë të rregullt dhe të sigurt. Këto masa synojnë të rrisin përgjegjshmërinë e bizneseve dhe të përmirësojnë zbatimin praktik të të drejtave të konsumatorëve.

