Bashkimi Evropian do të fillojë një program prej 70 milionë eurosh për të mbështetur përfshirjen sociale në Shqipëri.
Lajmi bëhet i ditur nga ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca, i cili thekson se ky program do të prezantojë një skemë të re punësimi për të rinjtë dhe familjet më të prekura nga kriza.
“Ky program është i pari në Ballkan. Jam krenar që, brenda pak muajsh, ne ishim në gjendje të rikalibronim ndihmën tonë financiare në një mënyrë kaq domethënëse. Ndërlidhshmëria është më shumë sesa rrugët, urat dhe linjat e energjisë, ka të bëjë me njerëzit që i përdorin ato. Ne duhet të mbështesim përfshirjen sociale. Programi i ri i #BE-së do të forcojë arsimin dhe punësimin dhe do të ndihmojë familjet shqiptare të prekura nga kriza dhe të rinjtë shqiptarë”, thekson mes të tjerash ambasadori Soreca.
Fjala e plotë e ambasadorit Soreca:
Të dashur pjesëmarrës,
Forumi i Ndërlidhshmërisë i Tiranës është bërë vërtet një takim që nuk mund të humbet për të diskutuar ndërlidhshmërinë në Ballkanin Perëndimor. Është bërë gjithashtu traditë për mua që të ndalem dhe të bëj një vlerësim të makro-zhvillimeve me ju.
Jam i nderuar këtë vit që ndaj një sesion me Presidentin Prodi. Cilësia e programit online të konferencës dëshmon se COVID-19 mund të na shtyjë të jemi më novatorë dhe më të suksesshëm. Do t’i kthehem kësaj më pas.
Ndërlidhshmëria është e gdhendur në ADN-në tonë evropiane. Projekti evropian është zhvilluar duke i lidhur gjithnjë e më shumë qytetarët e tij. Me lirinë e saj të lëvizjes së mallrave, njerëzve, shërbimeve dhe kapitalit përtej kufijve, BE-ja po bënte ndërlidhshmëri shumë më parë se ajo të quhej ndërlidhshmëri!
Procesi i Berlinit, Zona Ekonomike Rajonale, Kuadri i Investimeve i Ballkanit Perëndimor, RYCO dhe nisma të tjera kanë krijuar tashmë një Agjendë të gjerë të Ndërlidhshmërisë në Ballkanin Perëndimor. Siç tha dje Komisioneri Varhelyi, në 20 vitet e fundit BE-ja ka dhënë mbi 10 miliardë euro investime për ndërlidhshmërinë në rajon.
Në Shqipëri, Kuadri i Investimeve i Ballkanit Perëndimor ka mbështetur 33 projekte me një vlerë të përgjithshme prej 2.3 miliardë €, përfshirë ndërtimin e 800 km rrugë të reja, duke siguruar furnizimin me ujë dhe trajtimin e ujërave të ndotura për rreth 300.000 banorë dhe shkolla më të mira për 18.400 nxënës.
Sidoqoftë, është e pamundur të diskutohet ndërlidhshmëria sot ashtu siç bëmë vetëm 6 muaj më parë. Një shembull mbresëlënës përmbledh efektin e COVID-it në përpjekjet tona të ndërlidhshmërisë: në vitin 2019, një total prej 3.540 studentësh apo staf akademik përdorën programin ERASMUS ose për të ardhur në Shqipëri ose për të studiuar në një vend pjesëmarrës. Në vitin 2020, vetëm 120 do ta bëjnë këtë.
COVID19 krijon sfida të pashembullta për zinxhirët tanë të furnizimit dhe vlerave, projektet e infrastrukturës dhe bashkëpunimin institucional.
Por çdo krizë zbulon se ku qëndrojnë përparësitë tona individuale, kolektive dhe institucionale. Për BE-në, kriza nuk e zvogëloi ambicien tonë për Ballkanin Perëndimor. Krejt e kundërta.
Siç thuhet: “Mos lejo atë çka është e ngutshme të të pengojë për atë çka është e rëndësishme”. Ajo për të cilën kemi punuar kaq shumë për ta arritur muajt e kaluar është trajtimi i dy gjërave: të qenit në vijën e parë të ndihmës në luftën kundër COVID-it, ndërsa përgatisnim rimëkëmbjen socio-ekonomike dhe mbështesnim reformat strukturore.
Së pari, e ngutshmja.
Si pjesë e përgjigjes së tij globale ndaj koronavirusit, Bashkimi Evropian angazhoi menjëherë 4 milionë euro për Shqipërinë për furnizimin me pajisje mjekësore për shpëtim të menjëhershëm të jetës dhe i integroi me shpejtësi vendet e rajoneve në strukturat e BE-së për të trajtuar pandeminë. Ne krijuam gjithashtu Korridore të Gjelbra parësore, duke siguruar rrjedhën e pakufizuar të pajisjeve personale mbrojtëse dhe mallrave thelbësore midis BE-së dhe rajonit. Ne vepruam me shpejtësi, furnizuam partnerët tanë dhe forcuam besueshmërinë tonë.
Shumica e shteteve anëtare të BE-së janë përballur dhe ende po përballen me një krizë të pashembullt të shëndetit publik. Por edhe në këto kohëra të vështira, BE-ja dhe shtetet anëtare të saj e kanë mbajtur angazhimin e tyre për të mbështetur Ballkanin Perëndimor.
Pastaj, e rëndësishmja.
Vitin e kaluar, në këtë forum, unë thashë që ndërlidhshmëria duhet të jetë më gjithëpërfshirëse. Elitat e Ballkanit Perëndimor, si ato politike ashtu edhe të biznesit, janë gjithnjë e më të ndërvarura dhe përfitojnë nga investimet e BE-së që lidhen me ndërlidhshmërinë, por shumica e qytetarëve jo.
Kriza na ka detyruar të trajtojmë atë çka ishte thellësisht e padrejtë. Ndërlidhshmëria është më shumë sesa rrugë, ura dhe linja të energjisë – ajo ka të bëjë me njerëzit që i përdorin ato. Nuk ka agjendë të ndërlidhshmërisë që ta bëjë atë të suksesshme pa fuqi blerëse, kualifikim, punësim dhe shëndet të mirë.
Prandaj jam i lumtur të njoftoj një program të ri të mbështetjes së BE-së për përfshirjen sociale, që do të fillojmë ta paraqesim këtë vit. Ne do ta përcaktojmë gjithë zarfin vjetor IPA me një rekord prej 70 milionë eurosh për përfshirjen sociale.
Programi do të forcojë shërbimet e kujdesit shoqëror, sigurimin e arsimit gjithëpërfshirës dhe mundësive të punësimit. Meqenëse sistemet arsimore duhet të jenë të gatshme kur të na duhet përmirësimi i aftësive dhe rikualifikimet, ne do të forcojmë aftësimin profesional dhe arsimor.
Situata e të rinjve, në veçanti, është një emergjencë sociale, me afërsisht 40% të të rinjve që duan të largohen. Programi do të prezantojë gjithashtu një skemë të re punësimi për të rinjtë, do të zgjerojë mbulimin e programeve të ndihmës për punësim dhe do të synojë familjet më të prekura nga kriza, për shembull, përmes ndihmës së përcaktuar në para.
Ky program është i pari në Ballkan. Nuk është bërë kurrë më parë, pasi politika e zgjerimit tradicionalisht nuk ka hyrë te mbrojtja sociale. Ishte e qartë se ne kishim nevojë ta ndryshonim këtë. Jam krenar që, brenda pak muajsh, ne mundëm ta rikalibronim ndihmën tonë financiare në një mënyrë kaq domethënëse.
Ndihma për rimëkëmbjen socio-ekonomike të rajonit është tashmë përparësia jonë. Ne gjithashtu kemi ndarë 26 milionë euro për një program që do të mbështesë bizneset e vogla këtë vit dhe vitin e ardhshëm. Kjo do t’i ndihmojë ata të ri-punësojnë personelin që u largua nga puna gjatë krizës. Gjithashtu do të mbulojë planifikimin e pagesave të kredisë ose do të ndihmojë për shlyerjen e borxheve. Këto ndërhyrje të vogla mund të sjellin një ndryshim të madh për bizneset e vogla – dhe sërish ato janë risi në ndihmën tonë.
IPARD, programi ynë i BE-së për modernizimin e sektorit të bujqësisë, po i ndihmon fermerët shqiptarë dhe bizneset agroushqimore për të kapërcyer krizën. Ne kemi bërë ndryshime në mënyrë që të trajtojmë më mirë ndikimet negative të pandemisë.
Një pikë që dua ta theksoj me forcë është se e gjithë mbështetja që përmenda vjen me kushte. Për shembull, BE-ja ka dhënë 180 milion euro makro-asistencë për Shqipërinë për të mbuluar nevojat e saj të financimit të jashtëm me kushte të favorshme. Të gjitha disbursimet do t’i nënshtrohen përmbushjes së reformave konkrete në menaxhimin e financave publike, politikave ekonomike dhe sociale dhe luftës kundër korrupsionit.
Nuk ka një agjendë ndihme dhe një agjendë reformash. Ato janë të njëjta, dhe kontribuojnë në mënyrë të barabartë në konvergjencën e BE-së për standardet, normat dhe politikat.
Tani, më lejoni të them disa fjalë për ndërlidhshmërinë digjitale.
Nëse ka një gjë që ka bërë kriza COVID është përshpejtimi i tranzicionit drejt një bote më digjitale. Zgjidhjet digjitale si puna nga shtëpia, të mësuarit në shtëpi apo shërbimet e porositjes në internet kanë kontribuar shumë në qëndrueshmërinë ndaj COVID-it.
Në të njëjtën kohë, pandemia ka ekspozuar ndarjen digjitale midis grupeve shoqërore, vendeve dhe rajoneve.
Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë mbulim shumë më të ulët me internet me brez të gjerë sesa BE-ja dhe Shqipëria ka më të ulëtin ndër të gjithë. Vetëm 1% e zonave rurale janë të mbuluara. Kjo është një sfidë dhe një mundësi, pasi qasja e hershme në internetin me brez të gjerë mund të kapërcehet, duke përshpejtuar shpalosjen e teknologjive më të fundit.
Këtë korrik ne përfunduam një projekt për identifikimin e nevojave, opsioneve dhe strukturës së financimit për të ndërtuar rrjetet e ardhshme me brez të gjerë në Shqipëri. Kjo do të formojë bazën e vendosjes së brezit të gjerë deri në vitin 2025, për të cilën Banka Evropiane e Investimeve dhe Kuadri i Investimeve i Ballkanit Perëndimor janë zotuar të kontribuojnë. Objektivi ynë është të arrijmë qasje në lidhjen me brez të gjerë për 70% të familjeve në zonat rurale dhe të inkurajojmë investimet private.
Të nderuar pjesëmarrës,
Si përfundim, nga gjashtë muajt e fundit shumë intensivë, unë do të doja të nxirrja tre mësime mbi ndërlidhshmërinë mes Bashkimit Evropian dhe rajonit.
Së pari, pandemia COVID-19 konfirmoi shumë qartë përfitimet e bashkëpunimit dhe solidaritetit evropian me Ballkanin Perëndimor. BE-ja ishte edhe një herë donatori më i madh për forcimin e reagimit shëndetësor dhe gatishmërisë ndaj krizave në rajon.
Ne kemi vënë në dispozicion financime dhe pajisje dhe partnerët tanë janë sot shumë më të përgatitur për t’u përballur me një valë të dytë. Ne duhet të mbështetemi te ky besim dhe bashkëpunim për t’i bërë ekonomitë tona më të forta dhe shoqëritë tona më të qëndrueshme.
Së dyti, Bashkimi Evropian nuk është i ngurtë, burokratik dhe i vendosur në rrugën e tij. Në një periudhë të shkurtër kohe, ne e kemi ridrejtuar tërësisht bashkëpunimin tonë për të mbështetur qëndrueshmërinë dhe rimëkëmbjen social-ekonomike – duke provuar që BE-ja mund të jetë fleksibël dhe të përshtatet me shpejtësi.
Ne po ofrojmë programe që nuk janë përdorur kurrë më parë, nga bindja e thellë se agjenda e ndërlidhshmërisë do të dështojë nëse nuk investon në kapital njerëzor.
Së fundi, ne duhet të jemi shumë më të mirë në komunikimin e investimeve të BE-së dhe shumë më të guximshëm në shpjegimin e agjendës së ndërlidhshmërisë. Mund t’ju befasojë fakti që unë e mbylla ndërhyrjen time mbi komunikimin, por është thelbësore që qytetarët të kuptojnë përfitimet e drejtpërdrejta nga BE-ja. Shpesh njerëzit i përdorin rrugët e financuara nga BE-ja, pikat e kalimit të kufirit apo qendrat e trajnimit pa e ditur këtë.
Gjatë COVID-it, ne nisëm një fushatë të quajtur “Evropa është këtu”, duke u përqendruar te ndërlidhshmëria. Sepse Shqipëria nuk do të bëhet vend i BE-së ditën e anëtarësimit. Ajo po bëhet e tillë çdo ditë, përmes çdo investimi që përmirëson jetën e shqiptarëve dhe i afron standardet me ato të Bashkimit Evropian.
/e.rr