Bashkimi Evropian po përgatitet të zbatojë një nga reformat më të mëdha në menaxhimin e kufijve: sistemin e hyrjes/daljes (Entry/Exit System – EES). Ky mekanizëm dixhital pritet të hyjë në fuqi në të gjitha portet dhe pikat kufitare deri më 10 prill 2026, duke sjellë ndryshime të ndjeshme për vizitorët që nuk janë shtetas të BE-së.
Sistemi i ri do të zëvendësojë vulat tradicionale të pasaportës me regjistrim elektronik. Udhëtarët do të duhet të regjistrojnë të dhënat e pasaportës dhe biometrike, përfshirë gjurmët e gishtave dhe skanimin e fytyrës, gjatë vizitës së parë. Në udhëtimet pasuese, të dhënat e ruajtura do të përdoren për verifikim, duke e bërë procesin më të shpejtë dhe më të sigurt. Qëllimi kryesor është të gjurmohet me saktësi hyrja dhe dalja e vizitorëve jo nga vendet e BE, si dhe respektimi i kufirit 90 ditë brenda çdo periudhe 180-ditore.
Megjithatë, zbatimi i EES nuk ka qenë i lehtë. Aeroporte si Gjeneva dhe Lisbona kanë raportuar radhë të gjata dhe probleme teknike gjatë testimeve, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se periudhat e pikut, si Pashkët dhe vera, mund të sjellin vonesa të ndjeshme. Disa vende kanë kërkuar pezullim të përkohshëm për të shmangur kaosin në udhëtime.
Në Mbretërinë e Bashkuar, pikat e kontrollit në Dover, Folkestone dhe London St Pancras do të pajisen me kioska EES përpara nisjes drejt Francës dhe vendeve të tjera të BE-së. Ndërkohë, Irlanda dhe Qipro nuk do ta zbatojnë sistemin, duke vazhduar me kontrollet manuale.
Pas EES, pritet të hyjë në fuqi edhe Etias, një autorizim elektronik udhëtimi i ngjashëm me ESTA në SHBA. Ky sistem do të nisë në tremujorin e fundit të 2026 dhe do të ketë një tarifë prej 20 euro për hyrje në Evropë.











