Në Bashkimin Evropian janë të interesuar që misioni i EULEX-it të përmbyllet në Kosovë sipas planit dhe, mundësisht, nëse nuk do të mbetet në kujtesë shumë për të mirë, për shkak të skandaleve, së paku që të mos mbetet në kujtesë për të keq, shkruan Koha Ditore.
Por në kohën kur kanë mbetur edhe më pak se një vit për të përmbyllur këtë mision në Kosovë, në BE po mendohet për një prani të vazhdueshme në fushën e politikës së sigurisë dhe mbrojtjes në Kosovë edhe pas largimit të Misionit të tanishëm, dhe në disa raste edhe me mandat ekzekutiv.
Në një “non paper” që qarkullon në BE, që mendohet se është hartuar së bashku nga Gjermania dhe Britania e Madhe, të cilin e ka siguruar “Koha Ditore”, thuhet se, me gjithë sukseset e Misionit, ende nuk është arritur niveli i dëshiruar për fazën përfundimtare.