Nga Ilva Tare
Prej disa ditësh ka nisur në Britaninë e Madhe një debat mbi buxhetin e televizionit publik BBC dhe propozimin e qeverisë së Cameron për shkurtime prej disa qindra milion stërlinash. Pjesë e debatit janë bërë edhe të ashtëquajturit ‘yje’ të ekanit dhe kinemasë angleze sikundër edhe drejtuesit e BBC-së që premtojnë luftë të ashpër kundër planit të shkurtimeve. Vetëm fatura e pagave të punonjësve të BBC-së për vitin e kaluar financiar arrin në 1 miliard stërlina, me pagesa të prezantuesve televizive që shkojnë në 208 milionë. Ndërsa rreth 80 menaxherë të rëndësishëm të platformës televizive paguhen më shumë se banori i numrit 10 në Doëning Street.
Në Shqipëri nuk ekziston modeli i BBC-së dhe as kultura për të financiuar një sipërmarrje aq të pavarur dhe profesionale sa institucioni që konsiderohet si shkollë gazetarie në rang ndërkombëtar. Unë nuk e di se sa paguhen menaxherët e TVSH-së sonë, por edhe nëse e kanë pagën (zyrtare) më të lartë se Kryeministri ynë nuk vlen si informacion pasi nuk ka vend për paralelizëm. E vetmja lidhje mes TVSH-së dhe BBC-së është dallimi në mënyrën e reagimit të dy shoqërive përkatëse. Në Britani janë ngritur në këmbë përfaqësues të shoqërisë civile, elitës televizive, kritikë dhe njerëz të angazhuar me median për të kërkuar ruajtjen e pavarësisë financiare që ndikon direkt në cilësinë e programeve.
Ndërsa në Shqipëri një debat i tillë është pëngmarrë nga politika që me preteksin e barazisë banale të përfaqësimit pozitë-opozitë po dështon në ngritjen e një institucioni që duhet të ishte pronë e të gjithë qytetarëve. Të vetmit që nuk duhet të kishin të bënin me Televizionin Publik duhet të ishin politikanët, që kanë dëshmuar në këto dy dekada se janë të etur të gllabërojnë dhe kontrollojnë gjithcka që hidhet në eter. Edhe formulat e provuara tashmë si të dështuara me gjoja përfaqesim bipartizan pozitë-opozitë duhen flakur tej dhe duhet menduar për një zgjidhje të re, bashkëkohore e mbi të gjitha profesionale.
Nëse kjo qeveri do ta kishte pasur seriozisht premtimin se do t’ja kthente TVSH-në publikut sapo Rilindja të agonte në pushtet, sot duhet të kishim një trupë të re drejtuese. Edhe ata kandidatë që kishin vlera dhe kandiduan për Drejtor të Përgjithshëm u dekurajuan, madje dhe më keq nuk u votuan nga një bord që u përzgjodh nga partitë e për rrjedhojë e përdor votën në mënyrë militante. Se kujt i duhet një drejtues i zgjedhur nga orekset e dy kampeve politike në Shqipëri nuk është e qartë, por qëllimi i lënies në mëshirë të fatit dhe urisë së konkurrencës private të TVSH-së është kristal i pastër dhe lidhet me interesa klienteliste të maxhorancave të radhës me grupe të radhës mediatike.
Pyetja që mbetet pa përgjigje është indiferenca e shoqërisë civile në Shqipëri. Përse heshtin emra të njohur të gazetarisë, analistë që sigurojnë jetesën me mendimet e tyre në platforma televizive. Përse nuk u intereson të ngrihen dhe të bashkojnë zërat, të protestojnë dhe t’i kërkojnë politikës të heqë dorë nga një pasuri e munguar publike, për të cilën në Britaninë e Madhe, një anglez paguan 145 stërlina në vit në emër të vlerësimit për profesionalizimit dhe të prestigjit dhe imazhit të vendit të tyre në botë.
Unë e kuptoj pse një vend që prodhon edhe në 2015-tën refugjatë nëpër rrugët e Europës, nuk e ka shumë merak as prestigjin, as imazhin e aq më pak profesionalizmin dhe stdandardet bashkëkohore. Por nuk kuptoj përse është më i rëndësishëm dhe më urgjent ndricimi në strehën e Kryeministrisë sesa errësira në godinën simbol të propagandës. Qoftë edhe sa për sy e faqe mund të kishte pasur një rend tjetër prioritetesh për një nga institucionet që është provë e gjallë e filozofisë poshtëruese të pushteteve, përdori sot se mot nuk i dihet. Është shumë vonë për të vepruar, por ka ende kohë për të vendosur për një model televizioni publik që mund ta bëjë cdo qytetar shqiptar të ndjehet i përfaqësuar dhe krenar për vendin e tij, përpara se të vijë viti 2050!