Ish-ambasadori Bashkim Zeneli, një ndër figurat historike të Partisë Socialiste, u është përgjigjur akuzave që ngrihen ndaj tij në ditarin politik të profesor Servet Pëllumbit për takime të fshehta me Sali Berishën. Në një reagim për “Panorama”, Zeneli e quan ditarin politik të Servet Pëllumbit si ditarët e Enver Hoxhës, me të cilin sulmon armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm të partisë.
Ish-ambasadori i quan si trillime deklaratat e profesorit socialist, duke e etiketuar atë jo në pak raste si “Pëllumbi” i partisë, që ishte kundër anëtarësimit në NATO dhe afrimit me Shtetet Bashkuara të Amerikës. Në qëndrimin e tij, Bashkim Zeneli thekson se Servet Pëllumbi dhe njerëzit e tij duhet të mbajnë përgjegjësi që e kanë mjelë Partinë Socialiste për 25 vjet.
“Socialistët e vërtetë ishin pro aleancës së fuqishme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,’Pëllumbi’ i partisë ishte kundër. Unë dhe shokët e mi, që takonim diplomatë të lartë amerikanë, ishim agjentë amerikanë dhe bënim lojën e Berishës. Fatmirësisht, nga ajo udhëheqje e PS-së jemi të gjithë gjallë për të treguar! ‘Pëllumbi’ dhe takëmi i tij duhet të mbajë përgjegjësi që e mbajtën peng dhe e molën PS-në për 25 vjet.
NGA BASHKIM ZENELI
“Marrja rrin, i zoti s’e len!” Një shprehje amerikane thotë “mos u fut në llucë me derrin se baltosesh, e derrit kjo i pëlqen se majmet”.
Por dy fjalë po i them… Ditari i “Pëllumbit” të partisë u ngjan ditarëve të Enver Hoxhës në luftën kundër “armiqve të brendshëm” të partisë. Dhe nuk mund të ndodhte ndryshe për profesorin e adhuruar të shkollës së partisë, shefi i edukimit Marksist-Leninist në Komitetin Qendror. Meqë edhe ka studiuar dhe është trajnuar në Moskë, po i kujtoj shprehjen ruse: “kakim ti bill, takim ostallsja”, “Ai që ke qenë, ai ke mbet”.
“Pëllumbit” të partisë duhet t’i kujtoj se socialistët e vërtetë ishin kundër Marksit, ndërsa ai deklaronte se po hoqët atë, iki edhe unë. Socialistët e vërtetë ishin për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, ndërsa “Pëllumbi” i partisë, kundër. Socialistët e vërtetë ishin për pranimin e Shqipërisë në Këshillin e Europës, “Pëllumbi” i partisë, kundër, se “nuk i ishte pjekur molla”.
Socialistët e vërtetë ishin pro aleancës së fuqishme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “Pëllumbi” i partisë ishte kundër. Unë dhe shokët e mi, që takonim diplomatë të lartë amerikanë, ishim agjentë amerikanë dhe bënim lojën e Berishës. Fatmirësisht, nga ajo udhëheqje e PS-së jemi të gjithë gjallë për të treguar!
“Pëllumbi” i partisë hëngri shumë mirë me Partinë e Punës, hëngri shumë mirë edhe me PS-në, dhe tani po u shërben oligarkëve, që duke i shumëfishuar milionat po e sponsorizojnë atë që të baltosë PS-në. Shpif, trillo, sajo, gënje, mashtro, hamendëso, akuzo, përbalt, falsifiko, moho, kjo është motoja e ditarit të tij, njësoj si Enveri. Në Shkodër thonë “marrja rrin, i zoti s’e len!”.
Ia kam pas dhënë një përgjigje publike të hapur, ditën për diell dhe jo skutave, me germa të mëdha “Pëllumbit” të partisë, 20 vjet më parë: “Nuk marr frymë nga gurmazi i Servet Pëllumbit”. “Pëllumbi” dhe takëmi i tij duhet të mbajnë përgjegjësi që e mbajtën peng dhe e molën PSnë për 25 vjet.
Dhe vazhdojnë me idetë komuniste të tipit të shpëlarjes së trurit me gënjeshtra, t’i mbajnë shqiptarët të përçarë, të mashtruar të shfrytëzuar, të përvuajtur dhe larg Europës, që të sundojë dhe të majmet pjella e tyre oligarkike. Mua nuk me ngre kush për gjuhë. Nuk kam ditë të përdridhem e spërdridhem politikisht për asnjë interes. Prandaj, edhe kam 11 vjet që kam dalë në pension që në moshën 56- vjeçare, nga Berisha dje dhe nga rilindja sot.
Jam akoma i ri dhe në tryezën time të punës do të zërë vend edhe një libër për historinë e PS-së, për kontributin e shumë shokëve e shoqeve, me të cilët luftuam bashkë për Shqipërinë demokratike dhe PS-në demokratike. Librit tim nuk do t’i vijë era PAMPERS./ Panorama./ a.k