Në dhjetor të 2020, ambasador Bashkim Zeneli, “Mjeshtër i madh”, botoi librin “Berlini 1945 – Maji i Fitores”, i cili në 77- vjetorin e fitores ndaj nazizmit na rikujton mesazhin e vigjilencës dhe moshumbjes së kujtesës historike, gjë që u vërtetuan më së miri me agresionin rus në Ukrainë.
DWIGHT EISENHOWER, BERNARD MONTGOMERY, GEORGI ZHUKOV, DHE JEAN DE LATTRE DE TASSIGNY
Shoqëria aktuale ndërkombëtare ka shumë armiq që rriten dhe zhvillohen brenda saj. E keqja sot ka potenciale të pakrahasueshme shkatërruese, më tepër se fashizmi dhe nazizmi i Luftës së Dytë Botërore. Libri i ambasador Bashkim Zenelit mbetet një thirrje modeste për vigjilencë.
Bashkim Zeneli
“Ende nuk ishte tharë boja e firmave të hedhura në Reims, në aktin e kapitullimit të plotë dhe pa kushte të Gjermanisë, dhe gjenerali Eisenhower do të merrte një telegram me protestë nga zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë sovjetike, marshalli Aleksei Antonov: Komanda supreme sovjetike ishte e detyruar të mos e njihte tekstin e kapitullimit, mbasi ai nuk ishte përgatitur e nuk ishte miratuar nga Komisioni Evropian i Këshillimit, me autorizimin e qeverive në Uashington, Londër dhe Moskë.
Gjenerali Eisenhower do t’i përgjigjej se “ai i ishte përmbajtur me dhimbje detyrimeve”, se “nuk kishte firmosur një kapitullim të njëanshëm” dhe se “edhe një përfaqësues sovjetik, gjenerali Susloparov ishte i pranishëm në Reims dhe kishte nënshkruar gjithashtu dokumentin”.
Por Stalini do të këmbëngulte që “nënshkrimi i kapitullimit të përsëritej… dhe të përsëritej në Berlin, në kryeqytetin e marrë nga Ushtria e Kuqe”. Madje, ai kërkonte që, me nënshkrimin e aktit të kapitullimit, “këtë herë të ishin të pranishëm përfaqësuesit më të lartë të Aleatëve të luftës…”. Gjenerali Eisenhower në fillim pranoi, por më pas u tërhoq, meqenëse edhe Kryeministri Churchill nuk ishte dakord për nivelin më të lartë ushtarak…. Eisenhower do të shkruante më vonë: “Gjermanët nënshkruan në Reims kapitullimin pa kushte, dhe përsëritje në Berlin ishte çështje e sovjetikëve dhe që tregonte nevojën për prestigj personal të Stalinit”.
Vetëm një javë pas paradës së 9 majit në Moskë, që u quajt Parada e Fitores marshalli Stalin do të gradohej në gjeneralizëm “për shërbimin e jashtëzakonshëm në luftën e madhe patriotike”. Kjo ishte në vazhdën e marrjes së medaljeve se Heroit të Bashkimit Sovjetik, të Urdhrit të Leninit dhe të Urdhrit të Fitores.
Grada zbukurohej nga pesë yje platini me 135 diamante dhe 5 rubinë në mëdhenj”. Dhe më në fund, aleatët ranë dakord të dërgonin në Berlin përfaqësuesit e tyre me plotfuqishmërinë për të nënshkruar Aktin e Kapitullimit me Gjermaninë. Britanikët do të caktonin marshallin e Forcave Ajrore, Arthur Tedder; amerikanët, gjeneralin Carl Spaatz, dhe si përfaqësues i forcave ushtarake franceze ishte gjenerali Jean de Lattre de Tassigny. Nga pala gjermane ishin gjeneral-feldmarshalli Wilhelm Keitl, gjenerali Hans-Georg von Friedeburg (që ishte edhe në nënshkrimin në Reims) dhe gjenerali Hans-Jurgen Stumpff.
Marshalli Zhukov do të porosiste për organizimin e një ceremonie shumë të madhe, jo në komandën e tij, por në një sallë të madhe të një shkollë në Karlsrot. Të tre përfaqësuesit e ushtrisë gjermane, u pritën në aeroportin e Temperlhofit nga gjenerali Sokolovskij, zëvendësi i marshallit Zhukov, me tri kompani nderi të ushtarëve sovjetikë… “Më parë në aeroport do të mbërrinte nga Moska Andrej Vishinskij, ish-prokurori i përgjithshëm i Bashkimit Sovjetik dhe tani zv. ministër i Jashtëm.
Ai erdhi me një grup të madh diplomatësh sovjetikë. Ishte dërguar nga Stalini për të qenë këshilltar politik i Zhukovit. Mbas një orë do të ulej edhe avioni me gjeneralin Carl Spaatz dhe marshallin Tedder, zëvendës i Eisenhowerit”. (Kam shkruar edhe më sipër për ardhjen në Berlin të Viskinskit). Ishin shtruar tapetë, ishin zgjedhur mobilie të reja, gota pijeje dhe salla ishte e mbushur me lule. Edhe rruga që të sillte në godinën e shkollës ishte pastruar dhe ishte zbukuruar me lule. Autori i librit, “Acht Tage im Mai…”, Volker Ullrich, tregon se bashkë me ushtarakët më të lartë sovjetikë, në sallë kishte ardhur edhe Erich Honecker, pasuesi i mëvonshëm për mbi 2 dekada i Walter Ulbrichtit, udhëheqësi i Partisë dhe i shtetit në Republikën Demokratike të Gjermanisë, deri vetëm pak ditë para rënies së Murit të Berlinit, në vitin 1989.
Honecker kishte qenë i burgosur nga Hitleri për 10 vite. Më 27 prill 1945, mbas mbërritjes së Ushtrisë së Kuqe, ai kishte ardhur në Berlin nga Brandenburg-Görden. Në tekstin e Aktit të Kapitullimit, sovjetikët nuk do të bënin ndonjë ndryshim të dukshëm në krahasim me atë të 7 Majit në Reims.
Ata vetëm zëvendësuan formulimin “Komanda e lartë e trupave sovjetike” me formulimin e ri “Komanda e lartë e Ushtrisë së Kuqe”. Ata kërkuan gjithashtu, që në kuadër të artikullit 6 “të njihej në tekst vetëm gjuha angleze dhe ruse”.
Marshalli Zhukov, në kujtimet tij, do të ndalet në prag të ceremonisë së nënshkrimit të Aktit të Kapitullimit, në një detaj të bisedës, midis gjeneral-feldmarshallit Keitl dhe një oficeri sovjetik: “Keitl do t’i shpjegonte oficerit sovjetik se, duke ardhur për këtu, u shokova nga shkatërrimet e mëdha që pashë në rrugë. Dha ai mori përgjigjen: Po a nuk ishit ju të shokuar, zoti marshall, kur me urdhrin tuaj mijëra qytete dhe fshatra sovjetikë do të shkatërroheshin e do të rrafshoheshin njësh me tokën. Dhe nën gërmadhat e këtyre rrënojave, do të gjenin vdekjen miliona bashkatdhetarë të mi, midis të cilëve, dhjetëra mijëra fëmijë”.
Në prani të shumë ushtarakëve të lartë dhe të mbi 100 gazetarëve dhe fotoreporterëve, marshalli Zhukov do të ftonte për t’u ulur në tavolinën e nënshkrimit gjeneralët gjermanë, amerikanë, britanikë dhe francezë (dëshmitarë). Marshalli Zhukov do të shkruajë në kujtimet e tij se “gjenerali Keitl eci drejt tavolinës me trupin drejt si qiri dhe përshëndeti lehtë si një prusian i kopsitur. Por jo, ky nuk ishte më Keitl krenar…
Tani ai ishte krejtësisht i rënë, pavarësisht se përpiqej të mbante qëndrim… Gjermanët do të uleshin në një tavolinë të vogël, jo larg portës së sallës… E pyeta nëse kishte ndonjë gjë për tekstin e kapitullimit dhe ai, pa folur, më la të kuptoja se nuk kishte gjë”. Gazetarët mbanin shënim çdo gjë dhe fotoreporterët kërkonin të kapnin çdo detaj me aparatet e tyre.
Nga solemniteti që marshalli Zhukov i kishte dhënë kësaj ceremonie, dukej sikur ajo ishte e para dhe e vetmja e nënshkrimit të kapitullimit, pavarësisht se ishte firmosur një ditë më parë në Reims. Shkrimtari sovjetik, Konstandin Simonov, ka qenë i pranishëm në të gjithë ceremoninë e nënshkrimit të kapitullimit në Berlin. Ai ka përshkruar gjithçka me hollësi.
Ai shkruan se “gjeneralët Friedeburg dhe Stumpf dukeshin krejtësisht të rënë, ndërsa marshalli Keitl, përpiqej të qëndronte drejt, pa lëvizur dhe vazhdimisht, me një lloj arrogance, hidhte shikimin nga Zhukovi. Dukej se diçka vlonte brenda tij”.
Tani do t’u vinte radha nënshkrimeve. I pari do të firmoste Zhukovi, pastaj Tedder, më pas Spaas dhe në fund gjenerali de Lattre de Tassigny, që ishte dëshmitar. Keitl qëndronte më trupin drejt në karrigen ku ishte ulur. Koka dukej se i rëndonte gjithnjë e më shumë mbrapa. Mbas tij, një oficer i gjatë gjerman i stafit, duke qëndruar në këmbë “do e lotonte pa i lëvizur asnjë fije muskuli në fytyrë”.
Pastaj Zhukovi do të ngrihej në këmbë dhe duke parë nga vendi ku ishin ulur të deleguarit gjermanë do të fliste rusisht: “Ne ftojmë delegacionin gjerman të nënshkruajë aktin e kapitullimit”. Përkthyesi do të përkthente, por marshalli Keitl do ta kuptonte dhe papritur do të shkonte drejt tavolinës. Ora shënonte 00:43 minuta e mëngjesit të datës 9 maj 1945 (ka qenë ditë e mërkurë). Ceremonia zyrtare kishte mbaruar. Akti i kapitullimit u nënshkrua, mbas 7 majit në Reims, edhe në Berlin. Gjeneralët gjermanë njëri pas tjetrit do të ngriheshin për të shkuar në vilën pranë sallës.
Aty ishte përgatitur një tavolinë e bollshme për darkën, saqë gjenerali Keitl, në procesin e Nürnbergut, do të ndalej duke shpjeguar me detaje se “nuk mund të mos thosha se një luks i tillë dhe një tavolinë aq e pasur dhe e zbukuruar, për ne ishte e papritur. Në fund kishte edhe luleshtrydhe të freskëta. Rrallë një berlinez mund të kishte parë një tavolinë të tillë, vetëm në restorantin Schlemmer. Edhe vera ishte gjermane”.
Në mëngjesin e datës 9 maj, gjeneralët gjermanë do të fluturonin përsëri nga aeroporti i Tempelhofit për në Flensburg, ku do të mbërrinin në orën 10:00. Me nënshkrimin e aktit të kapitullimit në Berlin, në orën e parë të mëngjesit të datës 9 Maj 1945, ishte respektuar edhe premtimi i dhënë më 7 maj në Reims, për t’u lënë 48 orë trupave gjermane, për t’u dorëzuar vetë dhe me të gjitha llojet e armatimeve, përfshirë edhe flotën detare ushtarake dhe aviacionin ushtarak.
Për këtë, që me datën 8 maj, në orën 20:00, komanda e lartë e ushtrisë gjermane do të bënte të njohur urdhrin që me datën 9 maj, në orën 00:00, armët duhet të uleshin dhe çdo gjë do t’u dorëzohej pa u shkatërruar trupave aleate… “Edhe më 9 maj, paradite, në Çekosllovaki, Austri dhe në Baltik, ushtria e mbetur gjermane do të rezistonte ndaj ushtrisë së kuqe. Atë ditë në Kurland do të kapeshin 180 mijë ushtarë gjermanë robër, ndërsa në Prusinë Lindore 150 mijë, në duart e Ushtrisë së Kuqe”.
“Presidenti” Dönitz, në Flensburg, tani po konsultohej me bashkëpunëtorët e tij, nëse duhej të funksiononte qeveria e tij, edhe mbas kapitullimit “për të zgjidhur problemet e ngutshme të furnizimit të popullatës” apo duhet të dorëhiqej. Në “kabinetin” qeveritar do të shfaqeshin mendime të ndryshme. Disa ministra mbronin nevojën e funksionimit të qeverisë për “të ndihmuar popullin dhe për të sistemuar valën e madhe të njerëzve që vinin nga lindja drejt perëndimit”.
Ministri i industrisë së luftës, i shkarkuar nga detyra me testamentin e Hitlerit, Albert Speer, do të shprehej se “me kapitullimin, detyra e qeverisë Dönitz për të përfunduar luftën, ishte plotësuar. Tani i gjithë territori i Rajhut, deri në Enklavën e Flensburgut, ishte në duart e fuqive fituese dhe qeveria, në fakt, nuk ka më asnjë arsye të qëndrojë”.
Megjithatë, “Presidenti” Dönitz nuk ishte plotësisht i bindur se qeveria e tij nuk mund të kishte më asnjë rol, që ajo nuk mund të mos ekzistonte. Ai, nga Radioja në Flensburg, do të kërkonte “mendimin” e popullit gjerman se ishte vetëm në vullnetin e tij që të qëndronte më në detyrë dhe do të “bënte atë çfarë i thoshte populli”.
Me demagogji, cinizëm dhe paturpësi të pashoqe, Dönitz do të deklaronte se “vetëm dashuria për Gjermaninë dhe ndjenja e detyrës”, e bënin të qëndronte në detyrën e “Presidentit të Gjermanisë”. Po aq cinike dhe e paturpshme ishte deklarata e komandës supreme të ushtrisë gjermane më 9 maj, kur njoftonte për dorëzimin e trupave dhe të të gjitha llojeve dhe mjeteve të armatimit. Midis të tjerash, aty thuhej se “lufta jonë 6-vjeçare mori fund. Ajo na dha edhe fitore të mëdha, por edhe humbje të mëdha… Arritjet unikale në front për atdheun do të vlerësohen më vonë nga historia…”.
Presidenti Dönitz, po më 9 maj, në një fjalim që mbajti para oficerëve në Flensburg, në mënyrën më kriminale, do të deklaronte se “ne nuk kemi pse të turpërohemi… Ajo çfarë ushtria gjermane dhe populli gjerman ka arritur në këto 6 vite luftë është unikale në histori dhe në botë…
Ne qëndrojmë si ushtarë që nuk kemi njolla në nderin tonë…” Deri në vdekje Dönitz u qëndroi besnik ideve të tij nacionalsocialiste, bindjes për “luftën e drejtë” të Gjermanisë. Ai e kishte për nder emrin si “President” nëpërmjet testamentit të Hitlerit, në ditën e fundit të jetës së tij, në ditën e Fundit të Rajhut të Tretë, në ditën e fundit të Gjermanisë naziste. Dhe krenohej Marshalli i Madh Dönitz, para ushtarakëve në Flensburg më 9 maj, kur kapitullimi ishte nënshkruar se “6 vite luftë do të mbeten unikale në histori”.