Bashkia e Tiranës i kërkon qytetarëve që të shmangin grumbullimin e njerëzve në funerale dhe të mos kryhet më rituali i dhënies së dorës në respekt të familjarëve të të ndjerëve.
Pohimin e bëri sot kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të shmangin dhënien e dorës, madje edhe nëpër funerale apo dhe në ambiente të tjera.
“Ka disa aktivitete që menaxhohen nga bashkia e Tiranës, shërbimi funeral, celebrimet, disa shërbime të tjera, që ka disa tradita të mira shqiptare, që ne shkojmë dhe bëjmë për njëri-tjetrin. Duke qenë se jemi në situatë emergjence ajo që kërkohet në situata të tilla, në tubime të mëdha, është që në takime ku duhet të japim dorën dhe ngushëllojmë përmes dhënies së dorës, do të duhet të mos e bëjmë më këtë, por të gjejmë mënyra alternative për të shprehur keqardhjen.
Në çdo shërbim funeral, në Sharrë dhe në Tufinë, duhet të këshillojmë familjarët që ky nuk është momenti për të bërë ritualin e dhënies së dorës. Ky është një moment për të shtyrë pritjet dhe përcjelljet e morteve, si në Sharrë dhe në Tufinë. Dua që për këtë të kemi një informacion publik”, theksoi kryebashkiaku.