Me sa duket, Bashkia e Tiranës është e vendosur të mos tolerojë askënd që vandalizon qytetin, duke gjobitur këdo që urinon, ndot apo zapton hapësirat publike. Pas rasteve të para ku u gjobitën tre qytetarë që urinonin në urën e Lumit të Lanës, të tjera raste u janë shtuar sot sanksioneve nga Policia Bashkiake.
E nëse ndokush mund të shqetësohet se këta janë të varfër dhe po u bihet në qafë kot, mësohet se në Drejtorinë e Tatim Taksave të Bashkisë së Tiranës të gjithë kundravajtësit kanë paguar gjobat 50 mijë lekëshe. Me sa duket, paratë nuk u mungojnë për të shlyer gjobën, por kjo mënyrë e të sjellurit është kthyer në një kulturë që duhet ndëshkuar dhe ndaluar. Rastet që shikoni në foto janë akte, të cilat jo vetëm ndotin, por edhe shëmtojnë kryeqytetin.