Bashkia e Durrësit ka reaguar për pasojat e përmbytjeve që ndodhën këtë të mërkurë, pas reshjeve të dendura të shiut që ranë gjatë paradites. Sipas njoftimit të Bashkisë, situata është e vështirë dhe reshjet kanë përmbytur një numër të konsiderueshëm banesash.
Në veçanti, situata paraqitet kritike në zonën e Durrësit të Ri, në rrugën “Bisht Kamza”, ku shumë shtëpi janë përmbytur. Bashkia njofton se nesër do të fillojnë verifikimet për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet.
Po ashtu, Ministria e Mbrojtjes ka raportuar për vështirësi edhe në Shkozet, ku rreth 40 banesa janë prekur nga moti i keq. Ekipet e emergjencave civile janë duke punuar intensivisht për largimin e ujit nga shtëpitë dhe për të ofruar ndihmën e nevojshme.
“Do të bëjmë maksimumin për të përshpejtuar vlerësimin e dëmeve dhe rimbursimin e tyre nga buxheti i bashkisë”, thuhet në përfundim të njoftimit.