Policia e Kosovës ka arrestuar edhe një person të tretë lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur dy ditë më parë (29 nëntor) në Prishtinë, ku u vra 33-vjeçarja, Liridona Murseli.
Lajmin e bën të ditur media kosovare “Express”, ndërsa personi është arrestuar në Prishtinë.
Kujtojmë që gjatë ditës së sotme, në pranga është vënë, bashkëshorti i viktimës, Naim Murseli, i cili kishte paguar me 30 mijë euro autorin, Granit Plava që dyshohet se kreu vrasjen.
Gjatë marrjes në pyetje ka qenë autori i pari i cili ka treguar se është paguar nga Naim Murseli, të cilin e kishte edhe bashkëfshatar, për t’i vrarë gruan.
Më vonë edhe vetë Naimi, ka pranuar se i ka premtuar Plavës, 30 mijë euro që ai t’i vrasë gruan dhe një pjesë të parave ia kishte dhënë, ndërsa për pjesën tjetër kishin rënë dakord që t’ia jepte më vonë.
Fillimisht ngjarja u raportua si grabitje. Ku Naim Murseli pretendoi se disa persona i kanë dalë përpara makinës për t’i grabitur, ndërsa ky i fundit ka marrë dy fëmijët dhe është larguar, ndërsa autorët kanë qëlluar mbi gruan e tij.
/a.d