Nga Alfred Peza
Dy partitë më të mëdha politike të Shqipërisë, kanë mbledhur forumet e tyre më të larta drejtuese në dy ditët e kësaj fundjave, për të marë vendime të rëndësishme organizative. Eshtë një përkim interesant kohor, për dy objektiva të ndryshme që mund të ketë partia e qeverisjes me partinë që udhëheq opozitën. E gjitha kjo, në një periudhë gati të baraslarguar ndërmjet zgjedhjeve parlamentare të vitit të shkuar dhe atyre të reja lokale, të vitit të ardhshëm.
Nëse Partia Socialiste mblodhi të shtunën Asamblenë Kombëtare, Partia Demokratike mbledh të dielën Kuvendin Kombëtar. Nëse Partia Socialiste i hodhi sytë nga zgjedhjet e ardhëshme, Partia Demokratike gëlon nga mëritë dhe përçarjet e krijuara nga zgjedhjet e shkuara.
Nëse Partia Socialiste ka si objektiv të deklaruar bashkëqeverisjen me qytetarët, në përgatitje për të hyrë e vetme në zgjedhjet e ardhshme, Partia Demokratike po tenton të vetqeveriset. Ose e thënë ndryshe, lidershipi i saj aktual, po bën gjithçka për ti dhënë mundësinë vetes që të arrijë të mari kontrollin e plotë të drejtimit brenda partisë.
Partia Socialiste ka shpërndarë një libër me ato që ajo i konsideron si arritjet e 6 mujorit të parë të qeverisjes së mandatit të dytë. Edi Rama ka habitur jo pak kur ka folur si rrallëherë troç, siç edhe qytetarët duan më shumë në fakt. Duke njohur si probleme reale; – mosfunksionimin si duhet të programit të bashkëqeverisjes me qytetarët; – atë që perceptohet si arrogancë e qeverisë dhe e ministrave dhe; -konsultimin para vendimarrjeve që prekin drejtpërdrejtë interesin e njerëzve, siç ishte rasti i vendosjes së tarifës së udhëtimit me pagesë në rrugën e Kukësit. Çështje këto që paralajmëruan edhe ndryshime në qeveri, në shtator.
Partia Demokratike me miratimin në Kuvendin Kombëtar të projekt- librit të rregullave të shkruara, miratuar më parë në Kryesi dhe Këshillin Kombëtar, do i japi fund ndoshta polemikave të forta të brendshme që e kanë shoqëruar periudhën post zgjedhore. Të përjashtuarit dhe të mospërfshirët në listat e deputetëve, nuk po arrijnë që të gjejnë qetësi. Aq sa, me zyrtarizimin e rregullit të përjetësimit të pozitave të kryetarit, e humbasin përfundimisht shpresën për tiu imponuar. Një moment që mund të shoqërohet me çarje dhe krijimin e një partie të re, që do të përpiqej të ishte një lloj LSI-je e së djathtës shqiptare.
Kaq mjafton për të kuptuar se dy partitë kryesore në Shqipëri, edhe për shkak të pozicioneve të kundërta politike në raport me pushtetin, kanë në të njëjtën kohë halle të ndryshme për të zgjidhur dhe sfida po ashtu të ndryshme për të përballuar.
Bashkëqeverisja e socialistëve nëpërmjet asaj që Kryeministri e quajti “demokracia dixhitale”, duket një gjetje origjinale. Nëse ia del, kjo do të thotë që qeveria e Ramës do arrijë që të ndërtojë një sistem kapilar menaxhimi të nevojave, kërkesave, sygjerimeve dhe zgjidhjeve për hallin e çdokujt dhe gjithkujt në territor. Gjë që do të tregojë se më në fund, është ndërtuar një sistem efikas bashkëveprimi dhe bashkërendimi mes qytetarëve, shtetit dhe qeverisjes. Ose e thënë ndryshe, pas kësaj mund të themi se kemi më në fund një shtet funksional me dimension social.
Ndërsa vetëm duke kaluar nëpërmjet provës së zjarrit për vetëqeverisjen, Partia Demokratike mund tia dalë që të rikuperojë kohën e humbur, të rimarë veten nga cfilitja që i kanë krijuar problemet e brendshme dhe të krijojë premisa për tu rikthyer në pistën reale të garës për të qenë një alternativë pushteti. E për të ëndërruar e punuar shumë më pas, për tu rikthyer në pushtet.
Të gjithë naivët dhe idealistët e pandreqshëm të se djathtës dhe shoqërisë shqiptare në tërësi, patën mundësinë 24 orë përpara Kuvendit Kombëtar të PD, të dëgjonin Berishën dhe të kuptonin njëherë e mirë se Lulzim Basha nuk është atje duke vepruar “me kokën e vet”. Kaq mjafton për të kuptuar se si do të jetë edhe e ardhmja e vetqeverisjes së PD prej tij./Alpenews.al