Nuk ka vonuar shumë dhe Presidenti i Sirisë Bashar Al Assad ka komentuar deklaratat e presidentit të Francës Francois Hollande i cili tha se “Assad është pjesë e problemit në Siri dhe jo zgjidhja e tij”.
Assad ka reaguar duke deklaruar se kreut të shtetit francez duhet t’i vijë turp për ato që ka thënë. Sipas Assad, “Hollande delegjitimon parimin bazë të demokracisë, që është populli që zgjedh liderin e tij”.
“A ka kërkuar populli sirian që Hollande të flasë në emër të tij. A do të pranonte kombi francez që një lider i huaj të thoshte se Hollande nuk është presidenti i duhur për Francën? A nuk do të ishte ky një poshtërim për kombin francez? Kështu e sheh dhe populli sirian deklaratën e papërgjegjshme të presidentit Hollande”, tha Assad për gazetën “Valeurs Actuelles”.
Më tej presidenti sirian shtoi se “Hollande duhet të kërkojë falje dhe të turpërohet për deklaratat që ka bërë duke poshtëruar një komb si ai sirin që ka një histori qytetërimi mijëravjeçare”. Ai e mbylli intervistën duke thënë se nuk do të bashkëpunojë kurrë me Francën.
“Nuk do humbasim kohën tonë duke biseduar me një shtet që mbështet terrorizmin. Ata duhet të ndryshojnë politikën e tyre në rast se duan të bisedojnë me ne”, tha Assad.









