Lulzim Basha ia ka dalë ditën e sotme që të mbledhë Kuvendin Kombëtar të PD, të thirrur kohë më parë me vendimin e kryesisë së kësaj partie.
Kreu i Komisionit të Drejtimit të punimeve të Kuvendit të Bashës i ka nxjerrë shifrat pak mbi atë të Kuvendit Kombëtar të Berishës të mbajtur një javë më parë, më 11 dhjetor.
Nga 4934 delegatë që kishte Sali Berisha më 11 dhjetor dhe që morën vendimin sipas tij për shkarkimin e Bashës dhe të strukturave e forumeve drejtuese “jolegjitime” të PD, mbërrijmë tek Kuvendi i sotëm i Bashës i cili kishte 5004 delegatë pjesëmarrës, me votën e të cilëve edhe ai përjashtoi Berishën dhe grupin që e mbështeste nga strukturat drejtuese të PD.
Po 7600 delegatë janë të shkretën në Kuvendin e PD, pavarësisht se Berisha dhe Basha i kanë fryrë aq shumë sa kanë arritur në 10 mijë të tillë.
Nuk marrim përsipër të evidentojmë se kush ka të drejtë ose jo për numrin e delegatëve pjesëmarrës në Kuvendet e 11 dhe 18 dhjetorit, por fakti që janë manipuluar shifrat duket qartë.
E rëndësishme është të përqëndrohemi tek mesazhet që folësit në Kuvendin e Bashës dhanë për demokratët dhe qytetarët, ndërkohë që në të gjithë vendin Berisha ka dërguar demokratët në referendum për të materializuar dhe sipas statutit të tij, shkarkimin e kreut të PD.
Që në krye të herës mesazhi i dhënë nga të gjithë diskutantët, duke filluar nga disa ish themelues të PD në dhjetor të vitit 1990, vazhduar tek Agron Gjekmarkaj e deri tek vetë Lulzim Basha ka qënë deviza e orientimit pro-perendimor të PD.
Madje është precizuar si aleati kryesor i PD dhe i shqiptarëve SHBA, nga ky ka marrë “jetë” sipas diskutantëve dhe acarimi i Berishës, i cili është sipas tyre i orientuar kundër këtyre vlerave për shkak se SHBA e ka shpallur atë “non grata” dhe për pasojë dhe Basha e përjashtoi nga grupi parlamentar i kësaj partie. Dhe mirë kanë bërë, se SHBA është vërtetë aleati më i mirë i shqiptarëve, pa mbështetjen e të cilit nuk do të kishim këtë pozicion që kemi sot.
Për këtë arsye, Kuvendi i Bashës vendosi të votojë për lënien jashtë strukturave drejtuese të të gjithë atyre që shpallen “non grata” nga SHBA, duke e fiksuar në statut këtë propozim. Pra mbetet jashtë Sali Berisha, dhe të gjithë ata që mund ta pasojnë në të ardhmen.
Ndërkohë që Gjekmarkaj e cilësoi berishizmin e sotëm njëlloj si enverizmin e djeshëm dhe për këtë arsye, PD duhet të dekomunistizohet e të orientohet nga vlerat më të mira demokratike europiane.
Por teksa dëgjuam nga fillimi deri në fund fjalimin e Lulzim Bashës në Kuvendin e thirrur prej tij, u vu re se kishte përcaktuar dhe slloganin e PD për këtej e tutje në rrugën e përcaktuar nga ai për rithimin në shinat e demokracisë, pa kult individi të kryetarit dhe në bashkëpunim me aleatët tanë të mëdhenj SHBA dhe BE. Por dhe për të fituar zgjedhjet përballë kundërshtarit politik.
Në çdo paragraf të fjalimit, Lulzim Basha përsëriste pa ndryshuar asnjë presje thirrjen: “Si do të jetë PD sot, do jetë Shqipëria nesër”.
Kjo na bëri të mendojmë se në ditët e ardhshme në përballjen me Berishën por dhe në përballjet zgjedhore për 6 bashkitë në zgjedhjet e pjesshme vendore nëse Meta bindet që ti dekretojë dhe zgjedhjet e tjera të radhës, ky do të jetë sllogani i PD për të thithur votat e elektoratit.
Por një thënie e tillë neve që kemi jetuar në të dy kohët, kemi qënë shumë të rinj atëherë, na kujton kohën e komunizmit, format e edukimit e parullat në të gjitha muret e shkollave, pallateve e deri në kodrat dhe malet përreth, që i thurnin himne PPSH, Enver Hoxhës dhe Rinisë!
Dhe një nga këto parulla që shkruhej kudo në atë kohë, por dhe që na përsëritej shpesh ne të rinjve të asaj periudhe deri në vitin 1990 ka qënë: “Si do të jetë rinia sot, do jetë Shqipëria nesër”.
Ka qënë një “mësim” i Enver Hoxhës, i cili nga strukturat e partisë së asaj kohe, por dhe të rinisë kërkohej të na ngulitej në mendje, “për t’u bërë të aftë dhe të mirë sot dhe për t’i shërbyer partisë dhe atdheut nesër”.
Sali Berisha e di përmendësh këtë postulat të Enver Hoxhës pasi ka qënë për 25 vite anëtar por dhe sekretar i PPSH, ndërkohë që kishim shpresuar që dhe Lulzim Basha që e gjeti demokracia 17 vjeç të mbante dhe ndonjë këshilltar pak më të madh në moshë e me mend afër, që t’i thoshte sëpaku se çfarë nuk duhej bërë.
Pasi sllogani që ka përmendur mbi 40 herë Lulzim Basha në Kuvendin e sotëm të PD dhe që do të jetë përcaktues për të ardhmen e kësaj partie ishte “mot a mot” si postulati i Enver Hoxhës që kishte “mbirë” në çdo faqe pallati, vetëm se fjalën “rinia” e ka zëvendësuar me “PD”.
Shpresojmë që një sllogan i tillë i “vjedhur” nga Enver Hoxha të jetë bërë publik dhe themel i strategjisë së PD për të ardhmen për shkak të padijes nga Basha, por dhe për shkak se nuk ka një këshilltar tamam afër. Të kishte pyetur të paktën Jemin Gjanën për këtë dhe të mos e angazhonte vetëm me nxjerrjen dhe publikimin e shifrave në Kuvendin e PD.
Ndryshe do të na pezmatonte fort një situatë e tillë në PD, ku pjestarë të strukturave të kësaj partie, intelektualë por dhe anëtarë të thjeshtë, kërkojnë deri në maksimum heqjen dorë nga berishizmi në parti, i cili është njësoj si enverizmi në atë kohë./J.M